TIRANË, 8 Janar/ ATSH-Z.Tosku/- Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj u takua me të rinj të Forumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë në Durrës dhe Kavajë, në kuadër të 23- vjetorit të themelimit të FRESSH-it dhe zgjedhjeve të ardhshme lokale.
Në fjalën e tij, Veliaj preku dy çështje kryesore, reformën e pensioneve që ka nisur të zbatohet nga 1 janari 2015 dhe projektligjin e hapjes së dosjeve të ish- sigurimit.
Ministri Veliaj iu referua skemës së kaluar të pensioneve, që e konsideroi të falimentuar. "Skandali më i madh qe kemi zbuluar muajt e fundit ka të bëjë me qeverisjen gjatë 8 viteve të kaluara dhe qëndron në faktin se njerëzit punonin për shtetin dhe shteti nuk u ka paguar as sigurimet shoqërore. Pra, imagjinoni pak: edhe shteti shqiptar punonte në të zezë. Kur shteti punon në të zezë dhe ua mban nga rroga punonjësve përqindjen e sigurimeve shoqërore, pastaj i bën rrush e kumbulla dhe njerëzit rrezikojnë të mbesin pa pensione, kjo është skandaloze. Kjo është arsyeja pse unë besoj se ne të majtët dimë t'i administrojmë më mirë qytetet dhe shtetin tonë", deklaroi Veliaj.
Nga ana tjetër, ministri Veliaj u bëri thirrje të rinjve se misionin e transparencës lidhur me të shkuarën komuniste ka pikërisht brezi i ri. "Sot është e paimagjinueshme se si partia që e quan veten parti të djathtë dhe antikomuniste është kundër hapjes së dosjeve. Ne të rinjtë e Shqipërisë kemi misionin për ta bërë këtë transparencë, nëse duam që kombi ynë të jetë një komb, i cili maturohet dhe reflekton për të kaluarën që këto të mos ndodhin më në të ardhmen. Një komb pa kujtesë dhe që nuk bën transparencë mbi atë që ka ndodhur, i përsërit gabimet e veta", tha ai. /a.ke/