Ndërmarrjet e Ujësjellësit në Bashkinë e Elbasanit kanë nisur aksionin ndaj të gjitha bizneseve që operojnë në këtë territor për të verifikuar kontratat e tyre me këtë ndërmarrje. Aktualisht në qytet dhe Njësi Administrative janë kontrolluar 631 biznese ku rezulton se një pjesë e tyre nuk kanë kontrata me ujësjellësin ndërsa një pjesë operon me puse.

Grupet e kontrollit i referuan rastet pranë Drejtorisë së Baseneve për të gjitha ato puse të palicensuara, ndërsa është kërkuar bashkëpunim i higjienës për ato biznese/restorante të cilat operojnë me ujë pusi. Është kërkuar nga kjo e fundit të merren masa të menjëhershme pasi uji i pusit rrezikon shëndetin e konsumatorit.

Gjithashtu u kërkua që këto institucione të jenë pjesë e aksionit në vazhdimësi për të bërë të mundur trajtimin e të gjitha rasteve. Në një deklaratë për mediat Kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini u shpreh “Në të gjithë Bashkinë e Elbasanit janë shpërndarë grupet e punës nga ujësjellësi dhe punonjësit e administratës për aksionin e ujit të pijshëm. I gjithë synimi është disiplinimi i këtij shërbimi dhe likujdimi i faturave aktuale dhe atyre të prapambetura.

Aksioni është përqendruar në të gjithë bizneset e qytetit dhe të fshatit dhe që në ditën e parë të tij kemi hasur në kundërshti të bizneseve të cilët nuk kanë pranuar të ligjërohen. U bëj thirrje publikisht për ndërgjegjësim pasi disiplinimi i furnizimit me ujë të pijshëm është në shërbim të qytetarëve të cilët më në fund të mund të marrin 24 h ujë. Të gjitha rastet kur konstatohen shkelje do të veprohet sipas ligjit”.

Aksioni do të vazhdojë intensivisht deri në ligjërimin e plotë të këtij shërbimi dhe uljen e humbjeve në rrjet. Bashkia Elbasan u bën thirrje edhe konsumatorëve familjarë të përfitojnë nga afati i vendosur për të bërë lidhjet e duhura, për të vendosur sahatet dhe për të lidhur aktmarrëveshjen për pagesat me këste.

d.b/shqiptarja.com