TIRANE- Gjatë këtyre viteve, Shqipëria njeh shumë pak raste ku prokurorë apo gjyqtarë janë arrestuar për akuzën e korrupsionit apo fshehjes së pasurisë. Hetimet për këtë kategori janë përqendruar më tepër gjatë periudhës kur në Tiranë është ngritur njësia Task-Forcë pranë prokurorisë së Tiranës, e cila në valën e hetimeve arriti të arrestojë dhe prokurorin e kryeqytetit Aleksandër Plepi dhe gruan e tij gjyqtare pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Plepi u dënua nga gjykata e Durrësit ndërkohë për gruan e tij gjyqtare, gjykata vendosi pafajësi. Hetimet për korrupsion në gjykata dhe prokurori kanë vijuar të fokusohet akoma dhe më tepër në 6 mujorin e këtij viti ku njësia antikorrupsion e ngritur pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka shënuar disa raste në të dy krahët. I pari që ka rënë në pranga është gjyqtari i Sarandës Rasim Doda, pasi është akuzuar se i ka kërkuar një shumë prej 80 mijë euro pronarit të një firme ndërtimi në Sarandë.

Shuma është kërkuar për llogari të dhënies së një vendimi pro kompanisë ndërtuese. Më tej arrestimet kanë vijuar me gjyqtaren e Lezhës Parashqevi Ademi, e cila është kapur në zyrën e saj teksa ka marrë një sasi lekësh prej 500 mijë lekësh, duke favorizuar një të pandehur në masën e dënimit. Bashkë me të në prangat e policisë ka rënë dhe një avokat i cili ka luajtur rolin e sekserit. Tashmë Ademi është dënuar me 4 vite burg, ndërkohë një tjetër masë dënimi është dhënë dhe për avokatin e arrestuar.

Më tej hetimet kanë vijuar me një rast tjetër, ku këta radhë ka qenë prokurori i Fierit Petrit Vukaj ai që ka rënë në prangat e njësisë antikorrupsion. Vukaj kishte marrë një sasi prej 3 milion lek të vjetra në këmbim të uljes së masës së dënimit për një të pandehur. Ulja e masës së dënimit do bëhej gjatë dhënies së pretencës nga ana e prokurorit Vukaj, ndërkohë që edhe pasi i kishte bërë këtë “qokë”, Vukaj është denoncuar pasi ka qenë gjykata e Fierit ajo që nuk ka pranuar kërkesën e prokurorit, për uljen e dënimit dhe e ka dënuar të pandehur vetëm me burg, dhe jo me kusht.

Arrestimet në prokurori, kanë vijuar me ndalimin në mënyrë demonstrative të prokurorit Haxhi Giu. Ky i fundit ushtron funksionin e tij në prokurorinë e Krujës, ndërkohë më parë ka qenë personi që ka drejtuar hetimet për rastin e vrasjes së ish-deputetit të PD Azem Hajdari. Giu u arrestua pasi kishte premtuar disa personave se për ndryshimin e akuzave të tre personave, do të merrte një shumë prej 29 mijë euro.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 15 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)