TIRANE- Drafti për ndryshimin e ligjit për arsimin e lartë parashikon që në 5 vitet e para, që nga hyrja në fuqi e tij, do të financohen nga shteti vetëm universitetet publike. Kjo deklaratë ka ardhur nga anëtarët që po merren me hartimin e draftit, të cilët u shprehën se deri tani financimet për 16 universitetet publike kanë qenë tepër të ulëta, ndërkohë që në institucionet e arsimit të lartë parashikohet që të ketë tre modele financimi.

“Të paktën për 3 vjeçarin e parë është 100% ekspicide, në mënyrë absolute financimi nga buxheti i shtetit është një akt vetëm për institucionet publike" tha Ervin Demo, anëtar i komisionit të reformës së arsimit të lartë. Kjo deklaratë u bë gjatë një diskutimi në Universitetin e Arteve, ku drejtues dhe pedagogë të këtij institucioni janë shprehur kundër edhe ndërhyrjes së bordeve në menaxhimin e fondeve. Sipas tyre nuk duhet të krijohen struktura paralele, ndërsa universiteti i arteve duhet të ketë një trajtim të veçantë. Ky institucion, i cili ka nevojë për më shumë financime dhe ka pak studentë, duhet trajtuar në mënyrë të veçantë dhe jo njësoj si të gjitha universitetet e tjera publike.

“Në këtë pikëpamje, nëse ndryshojmë këtë logjikë, dhe unë jam pro respektimit të konstatimit tuaj në materialin e raportuar, që dy elementë janë të rëndësishëm: të njihen specifikat e theksuara të Akademisë së Arteve dhe të konsiderohen fondet e financimit, që disponon edhe Instituti i Kulturës, për këtë institucion, i cili ka pikërisht këtë lloj specifike. Këto janë dy pikënisje, për mua, shumë të mira, sepse po të hyjmë në detaje, më vjen keq por të gjitha përgjigjet që ju jepni për shqetësimet dhe pyetjet tona nuk futen te ne, krijojnë konflikt”, u shpreh Xhevdet Ferri, pedagog.

Edhe çështja e transferimeve nga privati te publiku do të ndryshojë, pasi do të jetë universiteti, që do të përcaktojë se sa do të kalojnë. “Hyjnë çdo vit 150 studentë, që transferohen nga universitete të ndryshme. Tashmë ne do të vëmë normat tona. Po të kërkojmë ne që personat të futen, duke vendosur një numër të caktuar të pikëve, ne mund ta lëmë, por kjo është politikë e jona, siç do jetë edhe politika juaj”, tha Myftar Barbullushi, anëtar i Komisionit për reformën në Arsimin e Lartë.

Komisioni i reformës për arsimin e lartë është në mbyllje të fazës së diskutimeve me universitetet, ndërkohë që në ditët në vijim pritet raporti i dytë dhe final që do ti paraprijë draftit të ri. Nga ana tjetër, deri në fund të këtij viti, pritet të përfundojë edhe akreditimi i universiteteve, e më pas edhe i programeve, një proces që pritet të penalizojë disa universitete.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 28 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com)