"Ky është propozim i një grupi prej 7 deputetësh, si parashikohet në rregulloren e Kuvendit, ndërsa kanë firmosur dhe dy kryetarët e grupeve parlamentare dhe deputetë. Komisioni është ndërtuar në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, e cila njeh si komisionet e përhershme edhe ngritjen e komisioneve të posaçme parlamentare që natyrisht kanë objekt të përcaktuar dhe kohë të kufizuar", tha Xhafaj, i cili shpjegoi se komisioni do të funksionojë për një periudhë 6-mujore, me mundësi shtyrje afati.
Ngritja këtij komisioni të posaçëm parlamentar, i parashikuar shprehimisht në Kushtetutë, si instrument i rëndësishëm në përmbushjen e funksionit legjislativ nga Kuvendi i Shqipërisë, është shprehje e përgjegjësisë për të adresuar një problematikë të gjithëpranuar, sikundër është mosfunksionimi në standardet e kërkuara të sistemit të drejtësisë në vend.
Konferenca e Kryetarëve në këtë vendimmarrje, shqyrtoi me përgjegjësi të gjitha hapat e ndërmarrë deri më tani nga ana e aktorëve institucionalë vendas dhe partnerëve ndërkombëtarë, ku veçohen tryezat e punës të organizuara nga Presidenti i Republikës dhe Ministria e Drejtësisë, të cilat, kanë evidentuar nevojën për një reformim të thellë të sistemit gjyqësor në veçanti, si dhe të gjithë sistemit të drejtësisë.
Në këto tryeza gjithëpërfshirëse, të gjithë aktorët kanë pranuar se Kuvendi i Shqipërisë, si institucioni përfaqësues i vullnetit qytetar shqiptar, ku të gjitha forcat politike kanë mundësi dhe japin kontributin e tyre në procesin ligjvënës, është hapësira më e përshtatshme kushtetuese dhe institucionale për të garantuar një reformë të gjithëpranuar për sistemin e drejtësisë, përmes një procesi plotësisht transparent, gjithëpërfshirës dhe profesional.
Komisioni i Posaçëm Parlamentar do të jetë forumi i përshtatshëm, ku të gjitha grupet parlamentare nëpërmjet anëtarëve që do të jenë pjesë e kësaj strukture, do të mund të analizojnë situatën aktuale, të përcaktojnë objektivat për përmirësimin e saj dhe në përfundim të hartojnë një paketë ndryshimesh të kuadrit normativ në fushën e drejtësisë, të tilla që të garantojnë mirëfunksionimin e sistemit dhe qëndrueshmërinë e tyre në kohë.
Komisioni i Posaçëm në veprimtarinë e tij do të mbështetet në mënyrë thelbësore në ekspertizën më të mirë vendase dhe ndërkombëtare. Asistenca e ekspertëve të Komisionit Evropian (Misioni Euralius IV), Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID/OPDAT), Këshilli i Evropës(Komisioni i Venecias), Prezencës së OSBE-së, e misioneve të asistencës për çështjet e drejtësisë të përfaqësive diplomatike në Tiranë, etj., do të garantojë përmbushjen e standardeve më të mira ndërkombëtare në të gjitha fazat e punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë. /ATSh/