Reforma në Drejtësi, PS-PD
'luftë' për numrat e Kushtetutës

Reforma në Drejtësi, PS-PD<br />'luftë' për numrat e Kushtetutës
TIRANE- Reforma në drejtësi nuk mund të bëhet pa votat e opozitës. Ndryshimet që kërkon të bëjë maxhoranca kanë në thelb ndryshime kushtetuese, por ndërhyrja në aktin themeltar të shtetit, kërkojnë votat e 94 deputetëve. Në nenin 177 të saj, Kushtetuta përcakton se ndryshimi i saj bëhet me votat e të paktën 2/3 së anëtarëve të Kuvendit.

Në kushtet kur maxhoranca nuk i ka 94 vota, asaj i duhet patjetër konsensusi i opozitës. Depozitimi i emrave të opozitës për komisionin e reformës në drejtësi, u duk se shënoi një marrëveshje mes palëve. Por shpresa e një konsensusi të tillë u zbeh seancën e së enjtes, kur maxhoranca refuzoi t’i japë opozitës numër të barabartë anëtarësh.

Pse opozita mban peng reformën në drejtësi në aspektin numerik?
Mazhoranca përmes qeverisë, por edhe përmes komisionit të posaçëm parlamentar, është shprehur se reforma në drejtësi, do të kalojë drejtpërdrejt në ndryshimin e Kushtetutës. Por këto ndryshime nuk janë të mundura pa votat e opozitës. Ndryshimi i aktit themeltar të shtetit, kërkon 94 vota në parlament, vota të cilat, maxhoranca e sotme nuk i ka, pavarësisht fuqisë së saj numerike në parlament. Referuar vendeve që secila parti ka në parlament nga zgjedhjet e vitit 2013, por edhe dinamikave politike gjatë këtyre  dy viteve, mazhoranca ka të sigurta vetëm 86 vota.

Më konkretisht, PS ka vetëm 64 mandate të saj, pasi vota e Tom Doshit nuk është e sigurt pas mungesës së tij të gjatë në parlament dhe konfliktit me Ramën dhe Metën. LSI ka fituar vetë 16 mandate dhe ka marrë dhe 2 deputetë nga Partia Republikane.

Ardhja e PDIU-së në koalicion i ka sjellë mazhorancës 4 vota, pasi Dashamir Tahiri është renditur në radhët e opozitës. Një votë shtohet nga bashkimi i Nard Ndokës me shumicën, por të lëkundur veç Tom Doshit, është dhe Mark Frroku i PKD-së e Vangjel Dule i PBDNJ-së. Pra, maxhoranca  shkon në 87 vota. Edhe nëse Tom Doshi, Mark Frroku e Vangjel Dule të votojnë për këto ndryshime kushtetuese, përsëri maxhoranca ka vetëm 90 nga 94 votat e nevojshme. Ndaj është e nevojshme pjesëmarrja e të paktën 4 deputetëve të tjerë demokratë, për të bërë të mundur ndryshimin e Kushtetutës.

Çfarë ndryshimesh kushtetuese kërkon të kryejë maxhoranca?
Presidenti i Republikës nuk duhet të jetë njëherësh edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD). Ndarja e këtyre dy posteve propozohet nëpërmjet dokumentit analitik të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë mbi bazën e të cilit do të fokusohet gjithë puna për reformën në drejtësi.

Dokumenti prej rreth 100 faqesh i parashikon reformim të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, policisë gjyqësore apo prokurorisë si edhe sugjeron ndryshime kushtetuese në funksion të kësaj reforme. Në këtë dokument thuhet se amendamentet e Kushtetutës në prillin e vitit 2008 duhet të rishikohen me qëllim që të korrigjohen efektet e pamenduara anësore që krijuan ndryshime në formulën e zgjedhjes së Presidentit dhe mekanizmin e votëbesimit të qeverisë, duke e rikthyer atë në variantin e para 2008s, me shumicë të cilësuar në të 5-ta raundet ose me votë nga populli.

Ku ndahen maxhoranca dhe opozita për reformën në drejtësi?
Më 27 nëntor 2014, Kuvendi vendosi të ngrejë Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi. Sipas këtij vendimi, Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 11 anëtarë, nga të cilët 6 janë përfaqësues të shumicës parlamentare (5 PS, 1 LSI) dhe 5 përfaqësues të pakicës parlamentare (3 PD, 1 PR dhe 1 PDIU). Kryetari i komisionit është përfaqësues i shumicës parlamentare dhe zëvendëskryetari është përfaqësues i pakicës parlamentare. Që në fillim opozita e bojkotoi këtë komision, pasi kundërshtoi formulën e përbërjes së tij.

Opozita kërkoi numër të barabartë anëtarësh në këtë komision, si dhe bashkëkryetarin. Këto kërkesa opozita i bazonte në argumentin se vetëm në këtë mënyrë, mund të prodhohej një reformë rezistente në kohë, me konsensusin e të dyja palëve. Pas më shumë se 8 muaj bojkoti për këtë çështje, opozita u duk se u dorëzua, duke hequr dorë nga kërkesa e bashkëkryesimit, por depozitoi 6 emrat e saj, duke i qëndruar kërkesës për numër të barabartë anëtarësh.

Fatmir Mediu që i pari përfaqësues i opozitës që mori pjesë në konsultimet publike në Durrës për këtë reformë, duke dhënë sinjalin se ngërçi po zgjidhej. Por seanca parlamentare e së enjtes, e ka lënë të hapur çështjen. Eduard Halimi kërkoi ndryshimin e formulës së komisionit, për të pasur jo 11, por 12 anëtarë, ku ndarja mes palëve të jetë e barabartë. Në emër të mazhorancës, Gramoz Ruci, refuzoi këtë kërkesë duke thënë se rregullat nuk mund të ndryshohen gjatë lojës. Në këto kushte, Ilir Meta kërkoi më shumë kohë për dialog mes palëve, dhe interesante është qasja e faktorit ndërkombëtar për këtë çështje. 

Si është i ndërtuar komisioni i posaçëm për këtë çështje?
Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi ka  pranë tij 20 ekspertë të fushave të ndryshme. Ekspertët janë ndarë në 6 grupe përkatësisht ai për ndryshimet kushtetuese, gjyqësorin, drejtësinë penale, edukimin juridik, profesionet e lira dhe strategjinë antikorrupsion. Me propozim të anëtarit të komisionit, Pandeli Majko edhe deputetët janë ndarë sipas problematikave të përcaktuara për grupet e ekspertëve, duke pasur secili grup një deputet të mazhorancës dhe një të opozitës.

Pjesë e procesit janë dhe studentë të Shkollës së Magjistraturës dhe ata të ekselencës. Ndërkohë që sekretariati teknik i ngritur pranë komisionit do të drejtohet nga sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Albana Shtylla. Përbërja e komisionit "Për Reformën në Sistemin e Drejtësisë" në dokumentin themelues është 6 deputetë të mazhorancës, dhe 5 nga opozita. Emrat e mazhorancës që po punojnë në këtë komision janë : Fatmir Xhafaj,  Kryetar, si dhe anëtarët Pandeli Majko, Vasilika Hysi, Ulsi Manja, Spartak Braho dhe Vexhi Muçmata. Deputetja e LSI-së, Silva Caka është anëtare zëvendësuese.

Ndërkohë opozita propozoi pak ditë më parë emrat e saj, duke propozuar si nënkryetar Eduard Halimin, dhe anëtarë të tjerë: Oerd Bylykbashin, Arben Ristanin, Gent Strazimirin dhe Fatmir Mediun. Zgjidhja e këtij ngërçi tashmë shikohet vetëm në një diktat të mundshëm të ndërkombëtarëve, në funksion të integrimit. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS