Reforma penale në takimin
e “ Drejtësia në sfidën e Integrimit”

Reforma penale në takimin <br />e “ Drejtësia në sfidën e Integrimit”
Në takimin e dytë të tryezës me temë “ Drejtësia në sfidën e Integrimit”, në vëmendjen kryesore ishte reforma penale, si prioritet kyç në reformën në drejtësi. Pas prezantimit të propozimeve të Partisë Socialiste për ndryshimet në Kodin Penal, ju la vend edhe pjesës së diskutimeve të pjesëmarrësve në tryezë, ku secili mund të shprehte sugjerimet dhe pikëpamjet e tij.

I pari që u bë pjesë e diskutimit ishte ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu. Ai theksoi se reforma në drejtësi përsa i përket fushës penale në vendin tonë është e vonuar. ”Mendoj se lidhur me reformën në drejtësi në fushën penale, jemi të vonuar. Kodet tona në atë kohë u bënë me atë pak përvojë dhe atë pak ndihmë që patëm. Mendoj që Kodi Penal duhet të bëhet i ri për arsye se është ndryshuar nëntë herë dhe gjysma e dispozitave janë ndryshuar. Kjo ka ndodhur sepse janë bërë ndryshime të herë pas hershme nga administrata dhe institucione të kohës. Ky Kod Penal ekzistues është prekur shtatë herë nga Gjykata Kushtetuese. Një nga këto prekje ka sjellë heqjen e dënimit me vdekje, por kjo solli kontradikta në sanksionin e veprave penale. Dua të them se Kodi Penal do shtyhet me zor edhe pas këtyre ndryshimeve që mendohet të bëhen, por mendoj që të gjitha ndryshimet të shikohen me specialistë të një niveli më të ngushtë. Mendoj që Kodi Penal është një nga të metat e mëdha që ka vendi”- u shpreh Avdiu.

Një tjetër përfaqësuese e jurisprudencës po në fushën kushtetuese ishte Aurela Anastasi, e cila në këtë tryezë ishte në kuadrin e përfaqësueses së shoqërisë civile. “Ju falenderoj për mbështetjen që na keni dhënë ne si shoqëri civile. Dimensioni gjinor është tejet i rëndësishëm. Mbështes propozimet që ju keni parashtruar duke marrë parasysh dhe sugjerimet tona. Është një hap i madh për dënimin e rrahjes në familje dhe dënimi i dhunës në marrëdhëniet familjare, që ka sjellë pasoja psikologjike dhe fizike. Kjo është një përgjigje e merituar dhe ishte koha në bazë të situatës aktuale. Vitin që kaloi patëm 17 gra të vrara, nipër, djem të vrarë nga baballarët. Ne mendojmë se këto vijnë si rezultat i dhunës së përditshme në familje. Një nga pikat problematike gjithashtu është ekzekutimi i vendimit të mbrojtjes. Dhe kjo do thoja ka ardhur në kohën e duhur, duke patur parasysh që zyrat e përmbarimit janë privatizuar. Përshëndes nismën tuaj për penalizmin e veprave elektorale, por duhet që figurë e veprës penale të jetë dhe votimi familjar sepse kjo ka të bëj me mentalitetin diskriminues në familje, e ky ekziston edhe në afërsi të Tiranës, jo vetëm në zonat e thella”.

Një tjetër çështje që u diskutua nga të ftuarit në këtë tryezë ishte ndryshimi në ligjin për shpifjen dhe fyerjen. Darian Pavli, ekspert në komisionin e ligjeve për Kodin Civil, u shpreh se: “ Do të ndalem në një aspekt konkret të propozimit tuaj, ka të bëj me propozimin për depenalizim të dispozitave të shpifjes dhe fyerjes. Mendoj se është një iniciativë pozitive duke qenë se kaloi me konsensus, pra ka ekzistuar një lloj pozitiviteti. Në lidhje me fyerjen e thjeshtë opinionet janë të ndryshme. E mirë do të ishte të depenalizohej kryesisht, por këto janë vendime me natyrë politike. Gjykata Europiane ka bërë të qartë se funksionarët politikë duhet të kenë toleranca më të mëdha, por jo mbrojtje të posaçme, në mënyrë kategorike jo”.

Pjesës së diskutimit ju bashkua dhe Xhil Karaj, anëtarë i dhomës së avokatëve, i cili u ndal në problemet që hasen në zbulueshmërinë e veprave kriminale: “Ju bëj thirrje deputetëve që midis forcës zbuluese dhe dënimit të rëndë të zgjedhin primaren. Për mua primare është forca zbuluese, por ne kemi rritur masat ndëshkuese duke patur vendime për dënime të përjetshme më shumë se shumë shtete të Bashkimit Europian. Në qoftë se pranojmë se forca zbuluese ndalon krimin atëherë politika duhet t’i japi prioritet organeve të zbulimit, investimit në infrastrukturë”.

Por nuk qëndruan jashtë fokusit të kësaj tryeze dhe kuadri njerëzor që operon në fushën e drejtësisë. Ardian Visha ish-prokuror, sot avokat, u shpreh se: “Teknikisht them se funksionon drejtësia penale. Por mendoj që funksionon keq në produktin që jep. Përsa i përket kuadrit ligjor jam pozitiv po them se nuk janë të mjaftueshme vetëm ndryshimet në të. Ndërsa përsa i përket kuadrit njerëzor ka gjyqtarë, prokurorë, avokat që nuk dinë të lexojnë ligjin, por ka dhe nga ata që nuk duan ta lexojnë. Me këtë kuadër njerëzor që operon problemet janë të pashmangshme. Mënyra sesi rekrutohen gjyqtarët dhe prokurorët lënë për të dëshiruar”. ah/shiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Veliaj thirrje politikës: Mos u përfshini duke penguar çdo investim në Tiranë, zgjatimi i Lanës do transformojë qytetin

Veliaj thirrje politikës: Mos u përfshini duke penguar çdo investim në Tiranë, zgjatimi i Lanës do transformojë qytetin