Kreu i PD, Sali Berisha tha se ishte Edi Rama ai që urdhëroi ndërprerjen në mënyrë të njëanshme të punës së komisionit të reformës territoriale. Berisha tha se PS po kërkon të paraqesë një raport që nuk është prezantuar fare në raport, duke thënë se është në kundërshtim me ligjin. Berisha tha se opozita e ka gati raportin me 400 faqe dhe se duan shtimin e numrit të bashkive.
“Në një akt tërësisht të njëanshëm, kjo pseudomazhorancë do të lexojë raportin e komisionit të reformës territoriale të paparaqitur në komision. Ky raport, që kanë sjellë socialistët, është një raport që nuk është paraqitur në komision. Pra është një raport që paraqitet absolutisht kundër ligjit në një kohë kur çdo gjë po ecte sipas një axhende të miratuar bashkërisht për konsultat me qytetarët, e me radhë, Edi Rama ndryshon menjëherë qëndrim kur e pa se në mbarë Shqipërinë qytetarët po kundërshtonin reformën që ai kishte bërë, dhe natyrisht e kuptoi se edhe projektin e tij nuk do ta miratonte njeri, ndërpreu në mënyrë të njëanshme punën e përbashkët në komision dhe tani do të paraqesë raportin në mënyrë të kundërligjshme.
Ne kemi raportin tonë 400 e sa faqe, por ne kemi qenë seriozë në mënyrën tonë dhe nuk kemi bërë publike propozimet sepse donim që të ishte i pranishëm përfaqësuesi i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, të cilët sigurisht do të ishin broker në variantet që do paraqiteshin. Ky akt bën të pashpresë reformat në Shqipëri. Por unë them një gjë, që jo në dokumentet e fundit të BE, por edhe në raportin e KE të tetorit që kaloi, dy janë kushtet. Janë të dy reformat, territoriale dhe elektorale, kushtet që Shqipëria të avancojë në këtë proces
Ne kemi projektin tonë i cili ka një numër bashkish që varion nga 90 në 110, por shton komunat. Ne nuk themi të shkojmë tek modeli i përparshëm, jo, sepse ka ndryshime demografike, të cilat modelin e përparshëm me katërqind e sa komuna e bëjnë jo shumë realist. Por ne kërkojmë rikthimin e komunave mbi bazën e kritereve demografike të mundshme. Ose aty ku kanë qenë dy apo tre komuna, mund të krijohet një komunë. Pra, ne kemi bërë një punë shumë serioze në hartë në përcaktimin e njësive të ardhshme. Por kjo nuk u lejua sepse u ndërpre. Edi Rama nuk dëshironte reformën. Do me çdo kusht ta kthejë Shqipërinë në çifligun e vet”, tha Berisha.
Lajmi kryesor:
Debate për 'Territorialen', opozita s'lejon vijimin e seancës, mban të bllokuar foltoren! 'Kusht' Peleshit: Tërhiq Maznikun!








