Sapo kryeparlamentari Niko Peleshi deklaroi fundin e fjalës për procedurë dhe nisjen e prezantimit të raporteve përkatëse të PS e PD për reformën territoriale, opozita bllokoi foltoren.

Peleshi u la kohë bashkëkryetarëve Arbjan Mazniku e Luçiano Boçi të vijojnë prezantimin, por deputetët kundërshtuan duke mos lejuar palën e PS të vijojë raportimin.

Me pengimin e vijimit të seancës, kryetari i Kuvendit njoftoi 5 minuta pushim deri në lirimin e foltores. Seanca rinisi sërish. 

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:34
’21 janari’, Klosi: Kemi dëshirë të dëgjojmë drejtësinë! Vetëm ju bëni protesta me armë

Opozita po e shtyn qëllimisht ndjekjen e rendit të ditës, tha Blendi Klosi, për shkak të raportimit të organeve të pavarura të drejtësisë. Duke u kthyer pas në kohë dhe te protesta që zhvillohet jashtë parlamentit, Klosi u shpreh se PD është e vetmja që ka bërë protesta me armë, duke i përmendur “21 Janarin.”

“Sot në këtë parlament duhet të raportojnë organet e drejtësisë së re që janë këtu për të gjykuar të gjithë ata që kanë shkelur ligjin. Drama më e madhe, e lidhur me protestat po të doni, është “21 Janari”. Edhe ne kemi dëshirë ta dëgjojmë ç’do të thotë drejtësia e re për “21 Janarin.” Protesta bëhen pafund në këtë vend, por protesta me armë vetëm ju keni bërë. Vetëm ju mbani mbi vete krime në protesta. Ajo që keni bërë ju, nxitja e dhunës, nuk është gjë e re. Në atë bulevard, dy herë është gjuajtur me armë. Ti ke gjuajtur me armë Sali Berisha, hidhni gurin e fshihni dorën!”, tha Klosi.

Ora 13:28
Reforma Territoriale/ Berisha: Rama ndërpreu punën në mënyrë të njëanshme, ne kemi raportin tonë 400 faqe! Duam shtimin e bashkive

 

Kreu i PD, Sali Berisha tha se ishte Edi Rama ai që urdhëroi ndërprerjen në mënyrë të njëanshme të punës së komisionit të reformës territoriale. Berisha tha se PS po kërkon të paraqesë një raport që nuk është prezantuar fare në raport, duke thënë se është në kundërshtim me ligjin. Berisha tha se opozita e ka gati raportin me 400 faqe dhe se duan shtimin e numrit të bashkive.

“Në një akt tërësisht të njëanshëm, kjo pseudomazhorancë do të lexojë raportin e komisionit të reformës territoriale të paparaqitur në komision. Ky raport, që kanë sjellë socialistët, është një raport që nuk është paraqitur në komision. Pra është një raport që paraqitet absolutisht kundër ligjit në një kohë kur çdo gjë po ecte sipas një axhende të miratuar bashkërisht për konsultat me qytetarët, e me radhë, Edi Rama ndryshon menjëherë qëndrim kur e pa se në mbarë Shqipërinë qytetarët po kundërshtonin reformën që ai kishte bërë, dhe natyrisht e kuptoi se edhe projektin e tij nuk do ta miratonte njeri, ndërpreu në mënyrë të njëanshme punën e përbashkët në komision dhe tani do të paraqesë raportin në mënyrë të kundërligjshme.

Ne kemi raportin tonë 400 e sa faqe, por ne kemi qenë seriozë në mënyrën tonë dhe nuk kemi bërë publike propozimet sepse donim që të ishte i pranishëm përfaqësuesi i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, të cilët sigurisht do të ishin broker në variantet që do paraqiteshin. Ky akt bën të pashpresë reformat në Shqipëri. Por unë them një gjë, që jo në dokumentet e fundit të BE, por edhe në raportin e KE të tetorit që kaloi, dy janë kushtet. Janë të dy reformat, territoriale dhe elektorale, kushtet që Shqipëria të avancojë në këtë proces

Ne kemi projektin tonë i cili ka një numër bashkish që varion nga 90 në 110, por shton komunat. Ne nuk themi të shkojmë tek modeli i përparshëm, jo, sepse ka ndryshime demografike, të cilat modelin e përparshëm me katërqind e sa komuna e bëjnë jo shumë realist. Por ne kërkojmë rikthimin e komunave mbi bazën e kritereve demografike të mundshme. Ose aty ku kanë qenë dy apo tre komuna, mund të krijohet një komunë. Pra, ne kemi bërë një punë shumë serioze në hartë në përcaktimin e njësive të ardhshme. Por kjo nuk u lejua sepse u ndërpre. Edi Rama nuk dëshironte reformën. Do me çdo kusht ta kthejë Shqipërinë në çifligun e vet”, tha Berisha.

Ora 13:20
‘Ne kemi fuqinë për të ndryshuar sistemin’, Spiropali-Berishës: A do ta çlirosh opozitën? Kryetari i PD: Pëllumbesha në botën e çudirave s’meriton përgjigje

 

Ndërsa mori fjalën në Kuvend, Elisa Spiropali tha se për çdo akuzë që opozita i bën mazhorancës, ajo ka folur. Por thirrja e saj e drejtpërdrejtë ishte për të gjithë deputetët se së bashku mund të bëjnë ndryshimin e sistemit.

Një pyetje e pati edhe për Berishën, të cilin e pyeti nëse ka vullnetin të çlirojë partinë e tij.

“Edhe para protestës, edhe gjatë protestës unë kam folur për reformimin e pushtetit, nevojën për korrigjim, nevojën për të kaluar te sistemi i institucioneve, për vetëpastrim, luftën ndaj korrupsionit, nevojën për të kuptuar që ky është moment historik, nevojën për ta ndryshuar këtë sistem politik dhe zgjedhor që sot ka prodhuar banalitet sepse njerëzit janë të papërfaqësuar dhe s’ka as ide ideologjike, kam folur për institucione shtetërore që përdoren me besimin e madh se ne kemi gjithë fuqinë për ta ndryshuar këtë. Po ti Klevis, Sali, a ke fuqinë të hapësh rrugën dhe partinë tënde dhe të çlirosh opozitën? A ke fuqinë të bëhesh pjesë? Unë besoj që PS e ka këtë fuqi! Asnjë sulm s’më ndal dot se s’kam asgjë për të fshehur! Asnjë bedel që mendon se mund të dëmtojë! S’do t’ia dalë se do të hiqet si apendicit”, tha Spiropali.

“Elisa, pëllumbesha në botën e çudirave, nuk meriton asnjë përgjigje”, ia ktheu Berisha.

Ora 13:06
Reforma Territoriale, Boçi: PS po vepron në mënyrë të njëanshme, do që të shkrijë bashkitë

 

Bashkëkryetari i reformës territoriale, Luçiano Boçi akuzon PS se po vepron në mënyrë të njënashme sa i takon reformës territoriale. PD kërkoi shtyrjen e afatit me 3 muaj, por PS e rrëzoi kërkesën dhe vijoi me prezantimin e raportit të hartuar nga ekspertët. Boçi akuzoi PS se po tenton të shkrijë numrin e bashkive për të vijuar me projektin e shpopullimit të vendit.

“Jemi në një veprim të njëanshëm politik, të parapërgatitur. Unë e kam paralajmëruar, që nuk duan të shkojnë konsensus, kanë një projekt për të ulur dhe shkrirë bashkitë, për të vazhduar shpopullimin, për të mos i përfaqësuar njerëzit në pushtetin vendor. Vetëm për të realizuar një qëllim politik. Janë shtyrë dëgjesat me 8 kryetarë bashkish dhe më pas duhej të vazhdonim me dëgjesat sipas shtyllave, do vazhdohej me dëgjesa me grupet e interesit, shoqatat e bashkive, do vazhdohej me dëgjesat e kërkuara nga vetë komunitete. Nga ne është kërkuar një përfaqësues i Kongresit të Autoritetit Vendore të KiE që kanë shprehur shqetësimet tyre në raport me reformën e 2015. Nuk ka një raport, pretendohet se është bërë nga ekspertët. Ekspertët nuk janë mbledhur asnjëherë të diskutojnë në raport me kriteret dhe parimet që duhet të dalin nga raporti i 2015”, tha Boçi.

Ora 11:11
Refuzohet kërkesa e PD për zgjatjen e afatit të Territoriales! Berisha: S’keni ligj, raportet s’janë prezantuar në komision

 

Me 82 votat kundër të mazhorancës dhe vetëm 27 vota pro të opozitës, u rrëzua kërkesa e PD që të zgjatej me 3 muaj afati për komisionin e reformës territoriale. Sali Berisha akuzoi mazhorancën se po vepron në mënyrë të njëanshme, pasi raportet si të opozitës dhe mazhorancës nuk janë diskutuar në komisione. Berisha tha se do të ngrejnë qytetarët në kryengritje.

“Në këtë komision është bërë nga pala jonë puna më serioze dhe është konkretizuar në një raport prej 400 e ca faqesh, në përputhje me axhendën e përbashkët janë organizuar dhjetëra konsulta, axhenda e përbashkët kishte vazhdimin me konsulta të tjera raporti që pretendoni të paraqisni sot është i paligjshëm. Nuk është miratuar në komisionin parlamentar dhe në praktikën dhjetëra vjeçare komisionet bipartizan kanë shtyrë sa herë ka qenë e nevojshme afatet. Ju paraqiteni me një raport që nuk është paraqitur në komisionin e reformës, ky është brutalitet, ky është një akt që ju do të doni me çdo kusht të largoni pushtetin nga qytetarët. Sa kohë ky raporti jonë nuk është i debatuar në komision, ne nuk e dorëzojmë. Duhet të dyja raportet të paraqiten në komision, të debatohen pastaj të vijnë në kuvend. Po ju nuk keni ligj, as normë as moral. Ne do bëjmë gjithçka që qytetarët të ngrihen në kryengritje kundër jush në mënyrë që të bëjmë drejtësinë që i takon”, tha Berisha.

Ora 11:04
‘Territorialja’, Balla: Jemi kundër zgjatjes së mandatit të komisionit, sot dëgjojmë gjetjet e grupeve! E humbët trenin

 

Grupi i PS është kundër kërkesës për zgjatjen e mandatit me 3 muaj të Komisionit për reformën territoriale. Taulant Balla tha se komisioni e ka kryer detyrën e vet dhe procesi s’mund të kthehet mbrapsht. Ai qartësoi se dita e sotme përqendrohet te dëgjesa e raporteve dhe jo miratimi i reformës. Një fjalë e pati edhe për grupin e PD të cilit i tha se “e humbi trenin.”

“Kërkesa e parashtruar i ngjan kërkesës së një udhëtari që ka humbur trenin një javë më parë dhe do të ikë me trenin që ka humbur. Ky proces nuk mund të kthehet mbrapsht sepse ky diskutim mund të ishte bërë një javë më parë ku për ironi ky kuvend u gjend në situatë të ngjashme. Për zgjedhoren kishim kërkesë nga të dy bashkëkryetarët. Sot nuk kemi kërkesë nga dy bashkëkryetarët. Megjithatë, unë besoj që të gjithë e dimë fare mirë, sot ne jemi përgatitur për të dëgjuar gjetjet. Gjithë Shqipëria e di që sot Kuvendi do të dëgjojë gjetjet nga grupet e PS dhe PD. Kjo nuk do të thotë që sot do të miratohet reforma e re. Më pas, gjithë palët dhe çdo deputet nëse do, mund të vijë me propozimet e veta. Ky komision nuk mund të zgjatet më, e ka përfunduar mandatin e vet. Mos të mungonit më datë 16, të kishit ardhur. Nuk kemi një arsye sot pse keni humbur. Treni i orës 7 pa 5 ka ikur, e keni humbur”, tha Balla.

Ora 08:38
Report Tv zbardh kërkesën e PD për zgjatjen e afatit të Komisionit të ‘Territoriales’ me 3 muaj: S’janë përmbushur objektivat

Grupi parlamentar i PD paraqiti sot në Konferencën e Kryetarëve kërkesën për zgjatjen me 3 muaj të mandatit të Komisionit për ‘Territorialen.’ Sipas kërkesës së siguruar nga Report Tv, Pd rendit si arsye mospërmbushjen e një sërë objektivave.

Në kërkesë cilësohet se s’kanë përfunduar konsultimet dhe aktivitetet e parashikuara. Gjithashtu, kërkohet që raporti të konsultohet së pari me Kongresin e Autoriteteve Lokale e Rajonale të Këshillit të Europës.

1. Për zgjatjen e mandatit të Komisionit me 3 (tre) muaj, në mënyrë që të vijojë puna e Komisionit edhe gjatë muajit gusht dhe të mos konsiderohet e përfunduar veprimtaria e tij, dhe

2. Të merret paraprakisht opinioni zyrtar i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës mbi produktin/rekomandimet/sugjerimet e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale”, janë kërkesat e PD.

Ndërkohë kreu i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi tha se një ditë më parë u ka ardhur një e-mail me një raport për reformën territoriale. Sipas tij nuk sqarohet askund origjina e dokumentit.

"Na ka ardhur dje një e-mail me një raport për reformën territoriale. Ne nuk e dimë se nga vjen ky dokument dhe nuk sqarohet askund origjina e tij. Kuvendi nuk mund ta trajtojë në këtë mënyrë. Nuk mundet që Kryetari i Kuvendit të sjellë dokumente për të cilat nuk dihet se nga vijnë. Nuk ka mbaruar puna për Reformën Territoriale. Doni të bëni reformë apo teatër? Ju nuk keni pyetur as 30% të qarkut më të madh, siç është Tirana. Ka ende nevojë për punë, sepse kjo reformë prek drejtpërdrejt qytetarët. Është një reformë e rëndësishme", tha ai.

Luciano Boçi nga ana tjetër thotë se Kuvendi nuk mund të shqyrtojë asnjë dokument që vjen nga institucione të tjera, përveçse përmes rrugës parlamentare.

“Ky raport që doni të kaloni sot nuk është produkt i Komisionit Parlamentar.Nuk mund të ketë raport përfundimtar pa kaluar më parë në komision. Ju thoni se ka mbaruar afati. Po unë them se nuk ka mbaruar puna”, tha Boçi.

 

 


 

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë...