Debati për reformën territoriale vijoi me replika në Komisionin e Ligjeve, ku drejtori i Financave në Ministrinë e Financave, Fran Brahimi, mbështeti bashkimin e disa bashkive, duke argumentuar se kursimi në buxhet arrin në mbi 30%. 

"Ministria e Financave dhe Këshilli i Ministrave e mbështet këtë nismë. Në vitin 2015 shpenzoheshin 130 milionë euro. Largimi i shërbimeve, 80-90% e tyre janë burokratike. Shërbimi publik gjendet nga celulari. Ulet kostoja dhe ofrohet shërbimi. Nëse bashkohen bashkë këto bashki që janë sugjeruar kursimi është mbi 30%. Shpenzimet për paga dhe dieta kthehen në investime." tha Brahimi. 

Deputeti i PD-së Saimir Korreshi e kundërshtoi argumentin dhe kërkoi specifika për performancën e bashkive si Divjaka apo Roskoveci 

 “Ky po tall by**ën. Jo ore, është duke tall by**ën ai. Unë të pyeta kush ka pasur performancë më të mirë, Divjaka apo Roskoveci?” tha Korreshi 

"Divjaka sigurisht. Tentativa për të shkuar në një ekonomi shkalle kursen para që shkojnë për investime të tjera. Pjesa më e madhe e shërbimeve do të jenë dixhitale" u përgjigj Brahimi. 

Ndërsa për numrin e punonjësve Brahimi pranoi se nga viti 2015 “është rritur me mbi 20 mijë punonjës"

"Mbi 14 mijë janë rritur nga shtimi i kompetencave. Mbi 5 mijë është rritja neto e punonjësve” tha ai

Në debat ndërhyri edhe Ulsi Manja.

"Nuk e ulni dot Franin ju se është aty që nga 1997-ta. Ka qenë aty edhe në kohën tuaj” i  tha ai Korreshit.

Ky i fundit e mbylli fjalën duke akuzuar se reforma territoriale është bërë për të grumbulluar vota për PS-në. 

“Sipas të dhënave të Maznikut, është bërë vetëm për të grumbulluar votat për PS, si e si t’i mblidhni mekanikisht duke shumëzuar dhe hequr bashkitë me prirje të djathtë. Natën e mirë dhe mirupafshim!” tha Korreshi. 

“Me nder qofsh, vazhdojmë me rendin e ditës”, iu përgjigj Manja, duke vazhduar seancën. 


Lajmi kryesor:

Reforma territoriale ndez debate PS-PD tek 'Ligjet', rrëzohet kërkesa e opozitës për futjen e draftit të saj në rend dite, Manja: Nuk e kam në tryezë, duhet të ndjekë procedurën