KA MARRËVESHJE! PD, LSI, Gjiknuri e Hajdari në një tryezë: Zgjedhorja miratohet deri më 15 mars! Aty ku s'ka konsensus, ndërhyn OSBE

TIRANË - Arrihet marrëveshje politike për të bërë pjesë të diskutimeve për reformën zgjedhore, edhe opozitën joparlamentare. Procesi i diskutimit për reformën zgjedhore është zhvendosur në një tryezë jashtë Parlamentit, për herë të parë me praninë e të gjitha palëve politike me kërkesën e opozitës së bashkuar për të dalë në një draft përfundimtar i cili të miratohet pa asnjë ndryshim dhe me konsensus të plotë në seancë pleanare në Kuvend jo më vonë se 15 marsi. 

Dy përfaqësuesit e mandatuar të opozitës së bashkuar (pas një takimi në slinë blu mes Bashës, Kryemadhit e aleatëve), ish-deputetët Petrit Vasili nga LSI dhe Oerd Bylykbashi nga PD, u ulën në një tryezë me dy bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari. Në një dokument të dakordësuar mes tyre ku u vunë 'piketat' për vijimin e punës dhe u institucionalizua një Këshill Politik që do të mandatojë punën për reformën, thuhet se nëse gjatë rrugës palët hasin në përplasje, do të jetë ndërhyrja e ekspertëve të OSBE/ODIHR që do të japë zgjidhje. 

Për publikun, ky takim ishte i papritur, por në prapaskenat politike, gjithçka ishte dakordësuar dhe bërë gati. Kjo u duk kur gazetarët, të sapo njoftuar për një mbledhje të komisionit të posaçëm për reformën, pyetën kryedemokratin Basha nëse ky është një hap larg konsensusit. Por me përgjigjen e dhënë, Basha e dinte mirë se nuk bëhej fjalë për një mbledhje të komisionit parlamentar, por për një tryezë tek Pallati i Kongreseve, ku dy të mandatuarit e opozitës joparlamentare, ishin nisur për t'iu bashkuar takimit me Gjiknurin dhe Hajdarin.

"Ne me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, kemi mundësuar një proces në të cilën të dakordohen mbi propozimin tonë prej tetorit", tha Basha në përfundim të një takimi ditën e sotme me kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi dhe aleatëve. Por për Damian Gjiknurin, kjo tryezë nuk ishte me ndërmjetësimin kombëtar, edhe pse ai tha që ata do të vijojnë të jenë monitorues të procesit. "Ju e patë që aty janë palët shqiptare të ulura në tavolinë, natyrshëm që ndërkombëtarët e ndjekin me shumë vëmendje", tha ai. 

E para që i uli në tryezë palët, ishte prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në nëntor të vitit 2019, por palët, më shumë se sa bashkimin në një pikë, shpalosën divergjenca të forta sa i përket sistemit,  financimit të partive politike dhe reklamave të fushatës. PD dhe LSI u përfaqësuan në nivel ekspertësh të çështjeve zgjedhore. Në këtë tryezë munguan me kast drejtuesit e partive kryesore të opozitës së bashkuar, Basha e Kryemadhi, me kërkesën e refuzuar, për përjashtimin nga ky proces të Damian Gjiknurit. Por nga bojkoti deri tek OSBE, sot palët gjendet të gjitha në të njëjtën tryezë.

Bashkëkryetarja e komisionit të posaçëm, Rudina Hajdari e shprehu edhe sot publikisht në përfundim të tryezës se kërkesa e saj më e fortë është arritja drejt ndryshimit të sistemit me lista të hapura, që do të thotë që qytetarët shqiptarë të votojnë për kandidatin drejtpërdrejtë dhe jo për partinë e cila përmes radhitjes në sajë të preferencës së kryetarit zgjedh deputetët në varësi të votave të marra.

Por qëllimi i tryezës së parë që forcat politike, PD, LSI, opozita e re dhe mazhoranca ulen në një tryezë të vetëm, pa prani të "ndërmjetësuesve" të huaj, është arritja e konsensusit të plotë dhe dalja në përfundim me një draft të vetëm. Se sa do të arrihet kjo, mbetet t'i lihet zhvillimeve politike që do të pasojnë këtë tryezë.  Nuk dihet po ashtu, nëse miratimi i reformës, do të sjellë zgjedhje të parakohshme, siç Basha kërkoi sot, që të mbahen në të njëjtën datë me ato lokale.

Deri më tani Komisioni i Posaçëm Parlamentar me përbërje të deputetëve të shumicës dhe opozitës, kanë punuar në dy drafte, depolitizimin e komisionerëve dhe financimin e partive politike. Ndërsa opozita jo parlamentare në tryezën paralele ka zhvilluar disa takime ku ka diskutuar për votimin elektronik dhe financimet, por ende nuk është zbuluar drafti i plotë me propozimet. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:25
Gjiknuri: Tryeza me të gjitha palët për zgjedhoren, pa ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve! Diskutohet edhe sistemi (VIDEO)

Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri tha se ulja në tryezë e PD-së dhe LSI-së erdhi si shkak i një marrëveshjeje që edhe opozita jashtëparlamentare të bëhet pjesë e procesit të reformës për të arritur një draft të dakordësuar nga palët për miratim në Kuvend.

"Kemi një marrëveshje që opozita jashtëparlamentare të përfshihet në procesin e reformës zgjedhore për të arritur një draft të dakordësuar. ODIHR do i kërkojmë të vijë zyrtarisht në Tiranë, për çështjet që palët mund të ndahen. Jemi të gatshëm që të gjejmë çdo lloj komunikimi me opozitën, siç e kemi thënë edhe më herët. Gjetëm një modalitet që opozita të jetë pjesë e reformës zgjedhore", tha Gjiknuri.

Sa i përket ndryshimit të sistemit, Gjiknuri tha se është pjesë e punës së komisionit, por do t'i mbetet pritshmërive nëse arrihet konsensus i plotë edhe për këtë çështje. 

"Sistemi është objekt i punës së komisionit, por do një dakordësi, por që nuk lidhet me rekomandimet e OSBE/ODIHR", tha ai, duke sqaruar se asistenca e OSBE-së nuk do të jetë për ndasi që lidhen me diskutimet për sistemin zgjedhor. 

Gjiknuri la të kuptohet se kjo tryezë u arrit nga vetë palët, dhe jo me ndërmjetësimin ndërkombëtar. "Janë palët shqiptare në tavolinë, ndërkombëtarët e ndjekin me shumë vëmendje", tha Gjiknuri.

Ora 14:19
Hajdari: PD e LSI e pranuan që zgjidhja nuk vjen nga protestat! Do luftoj deri në fund për listat e hapura (VIDEO)

Për bashkëkryetaren e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, Rudina Hajdari  ulja në tryezë, tregon se opozita jashtëparlamentare është ndërgjegjësuar se zgjidhja vjen përmes ideve e propozimeve dhe jo protestave të dhunshme. Në përfundim të takimit, ajo tha se nuk do të heqë dorë nga kërkesa e saj për ndryshimin e sistemit dhe për listat e hapura.

"Besoj se prezenca e PD dhe LSI në këtë tryezë tregon se kanë pranuar që rruga e duhur për të zgjidhur problemet është rruga institucionale, dhe jo e protestave e molotovëve që dëmtojnë Shqipërinë. Besoj se pranuan që rruga që do t'i jepte zgjidhje krizës politike është duke ardhur me ide dhe plane konkrete, të cilat i diskutuam sot. Kjo do të kërkojë konsensus nga të gjitha palët, por unë dua të theksoj se vullneti i opozitës brenda parlamentit do të vazhdojë sa i takon ndryshimit të sistemit. Shqiptarët kanë nevojë që t'i kthehet sovraniteti në parlament. Shqiptarët të kenë një kod dhe jë sistem zgjedhor që i jep atyre të drejtën e lirë për të pasur një përfaqësim dinjitoz në parlament. Unë do luftoj deri në fund për këtë qëllim. Zgjodhëm rrugën e duhur, atë të institucioneve", u shpreh Hajdari.

Ora 14:18
Bylykbashi e Vasili: Garanci se reforma zgjedhore do të bëhet me konsensus (VIDEO)

Në përfundim të takimit, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili e vlerësuan një hap të rëndësishëm tryezën e përbashkët për reformën zgjedhore, që do t'i kthejë besimin shqiptarëve tek procesi demokratik zgjedhor.

"Sapo dakordësuam dokumentin që ne si opozitë dhe pala tjetër, ramë dakord për fillimin e një procesi të rëndësishëm siç është ai i Reformës Zgjedhore, një kërkesë e kahershme e opozitës dhe ky dokument sot garanton atë që kemi kërkuar prej kohësh. Që Reforma Zgjedhore të bëhet me konsensus dhe ky konsensus i arritur të qëndrojë deri në fund, të jetë gjithëpërfshirës dhe në këtë mekanizëm ne do të kemi edhe asistencën ndërkombëtare që do të na garantojë që konsensusi ynë është në përputhje të plotë me rekomandimet ndërkombëtare. Më së fund, edhe pas kaq kohësh nga kërkesa jonë që daton muaj më parë, do të institucionalizohet një forum, i cili do të jetë Këshilli Politik, i cili do të mandatojë më pas punën për të kryer të gjithë këtë reformë", tha Bylykbashi.

"Praktikisht është hedhur një hap në raport me një moment të rëndësishëm që ka të bëjë me plotësimin e një kushti kyç të Bundestagut gjerman, lidhur me hapjen e negociatave për anëtarësim dhe për përparimin e integrimit europian dhe që e shëndosh një proces tashmë shumë të sëmurë nga njëanshmëria për të ndërtuar një proces konsesualiteti dhe gjithëpërfshirje, por dhe me ato garanci të ekspertizës ndërkombëtare, e cila garanton soliditet dhe adreson ato çështje të cilat kanë qenë shkaku i shkatërrimit të besimit dhe në praktikë të zgjedhjeve të mbajtura në Shqipëri kohët e fundit. Baza e parimeve është parimore mbi çdo gjë tjetër dhe njëherazi krijon dhe mundësinë që të gjithë aktorët dhe faktorët të kenë mundësi të shprehen, të realizohet gjithëprëfshirja dhe ai konsesualitet që i ka munguar procesit dhe e ka bërë që të mbeste në vend, duke lënë pa u realizuar një objektiv themelor për integrimin europian. Besoj që në këtë moment është hedhur një hap në këtë drejtim, i cili në rast të përgjegjshmërisë së duhur dhe të luajlitetit të plotë nga pala tjetër, do të ishte një mundësi për të ecur përpara dhe për të çliruar vendin jo vetëm nga damka e zgjedhjeve të manipuluara dhe të blera, por njëkohësisht do të hapte një proces politik në drejtim të integrimit europian, i cili ka ngelur rrezikshëm në udhëkryq si kurrë më parë për Shqipërinë", tha Vasili.

Sa i përket uljes në një tryezë me bashkëkryetarin e komisionit Damian Gjiknuri, Petrit Vasili, i cili nga fotot që u shpërndanë nga takimi u shfaq mjaft dashamirës me të, u shpreh: Nuk kemi ndryshuar asnjë qëndrim, por nuk kemi imponuar dhe nuk imponojmë zgjedhjet e palës tjetër dhe preferencat e saj. Ne jemi këtu pikërisht me bindjen për ndërtimin e një procesi solid, të shëndetshëm dhe të pa kontestuar nga palët.

Ora 13:50
Palët bien dakord: Reforma zgjedhore miratohet jo më vonë se 15 mars...Aty ku mungon konsensusi, ndërhyn OSBE/ODIHR

Takimi i parë mes bashkëkryetarëve të Komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari ka nxjerrë dokumentin e parë në frymën e konsensusit me opozitën e bashkuar, e cila u përfaqësua në një tryezë jashtë parlamentit, me Petrit Vasilin dhe Oerd Bylykbashin. Palët bien dakord që reforma zgjedhore të miratohet në Kuvend jo më larg se 15 marsi.

Përmes këtij dokumenti "bese", jepet garanci se drafti që do të dakordësohet pas diskutimeve mes Hajdarit, Gjiknurit, Vasilit, Bylykbashit dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare, nuk do të ndryshohet në asnjë moment në komisionin e posaçëm dhe do të shkojë për miratim në seancë plenare, siç është rënë dakord në tryezat e dakordësimit.

Në rast të mungesës së konsensusit në pika të veçanta, dokumenti parashikon asistencën e OSBE/ODIHR-it me ekspertë të saj.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lui: 14/01/2020 18:31

    Pas pushimit te ceshtjes kunder Bashes, dhe pranimit te Bashes te ulet ne dialog pa kushte per zgjedhoren do te thote qe eshte bere nje pisllek midis tyre e normalisht kunder popullit.. Ja dhe nje zhgenjim tjeter i rradhes per popullin qe pret me shprese qe dikush te denohet e te jape llogari..

    Përgjigju
  • Lui: 14/01/2020 18:26

    Fakti qe ka marreveshje midis hienave do te thote qe edhe per nja 10-15 vjet Shqiperia do jete peng I ketyre letyrave parti..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës