Reforma zgjedhore, ja
propozimi i PS-se për KQZ-në

Reforma zgjedhore, ja<br />propozimi i PS-se për KQZ-në
Shqiptarja.com, zbardh të plota propozimet e PS sa i përket disa projektneneve të kodit të ri zgjedhor që parashikohet të diskutohet në Kuvend, edhe pse për këto të fundit, nuk ka rënë dakord Partia Demokratike. Sipas draftit që botohet sot "Dhoma Kombëtare e Avokatëve, Avokati i Popullit, Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë i paraqesin kuvendit të paktën dy kandidatë" japin propozimet e tyre për kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas propozimit socialist, kryetar i KQZ zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmat e votave të deputetëve dhe kjo ndodh pasi kandidatët kanë kaluar një proces dëgjimor në komisionin e ligjeve të kuvendit. Socialistët kanë gjetur një zgjidhje edhe për ata anëtarë të KQZ që u mbaron mandati: ata paguhen si anëtarë të KQZ deri në 31 dhjetor 2012, ndërsa nëse ka ndonjë anëtar që ka qenë më parë në një funksion të rëndësishëm publik, ai kthehet në detyrën që ka pasur.

JA  DRAFTI I PLOTE PER KQZ SIPAS PROPOZIMIT TE PS
NENI 15
Zgjedhja e Kryetarit të KQZ-së

Anëtari i shtatë dhe njëkohësisht Kryetar i KQZ-së, zgjidhet jo më vonë se 10 ditë pasi të ketë përfunduar procedura e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së, sipas nenit 14 të këtij Kodi, sipas procedurës së mëposhtme:

a)Dhoma Kombëtare e Avokatëve, Avokati i Popullit, Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë i paraqesin kuvendit të paktën dy kandidatë. Njoftimi për vakancën behet jo më vonë se 30 ditë nga afati i përcaktuar në neni 19 të Kodit. Në këtë listë nuk mund të përfshihen ose nëse janë përfshirë përjashtohen, kandidatët e propozuar sipas shkronjës “a” të pikës 1 të nenit 14 të këtij Kodi;

b) grupi parlamentar i partisë më të madhe të shumicës parlamentare përzgjedh dy nga kandidaturat e ardhura sipas shkronjës “a” ;

c) grupi parlamentar i partisë më të madhe të opozitës parlamentare përzgjedh dy nga kandidaturat e propozuara sipas shkronjës “a” të këtij neni.

ç) Kandidaturat e përzgjedhura i nënshtrohen seancës dëgjimore në Komisionin e Kuvendit që mbulon cështjet ligjore dhe adminisratën publike. Komisioni i propozon kuvendit për votim dy kandidatë të përzgjedhur në mënyërë kolegjiale pas konsultimit me të gjithë partitë parlamentare. Në rast se nga konsultimet nuk arrihet të përzgjidhen dy kandidatë, secili kandidat përzgjidhet respektivisht nga grupi më i madh parlamentar i shumicës dhe grupi parlamentar më i madh i opozitës, si dhe një kandidat nga partitë e tjera parlametare në mënyrë kolegjiale, të cilat i kalojnë Kuvendit për votim;

d) Kryetar i KQZ-së zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit. Nëse janë paraqitur më shumë se dy kandidatë dhe asnjë kandidat nuk ka marrë shumicën e votave të kërkuara, zhvillohet një votim i dytë mes kandidatëve që kanë marrë më shumë vota.

Neni 181
Zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së

1. Kuvendi, 30 ditë nga data e dekretimit të ndryshimeve të këtij ligji zgjedh anëtarët e KQZ-së, sipas neneve 14 dhe 15 të këtij Kodi.

2. Betimi kryhet jo më vonë se 24 orë nga dita e zgjedhjes.

Neni 182
Ndërprerja e mandatit të anëtarëve ekzistues të KQZ-së

1. Anëtarët e KQZ-së që u ndërpritet mandati para kohe për shkak të ndryshimeve në këtë Kod, qëndrojnë në detyrë deri në zëvendësimin e tyre me anëtarët e rinj të zgjedhur sipas këtij Kodi.

2. Anëtarit të KQZ-së, që i ndërpritet mandati për shkak të nenit 182 përfiton pagën e funksionit deri në 31 dhjetor 2012.

3. Anëtari i KQZ-së, të cilit i ndërpritet mandati, kthehet në funksionin publik të mëparshëm, ose emërohet në një funksion ekuivalent me të.

Neni 183
Përtëritja e anëtarëve të KQZ

1. Dy nga anëtarët e zgjedhur sipas pikës 1 të nenit 14 të këtij kodi e ushtrojnë detyrën për 3 vjet me të drejtë rizgjedhjeje. Anëtarët që u ndërpritet mandati përpëra kohe përcaktohen me short mes tre anëtarëve të propozuar nga shumica parlamentare dhe tre anëtarëve të propozuar nga opozita parlamentare sipas pikës 1 të nenit 14 të këtij Kodi. KQZ zhvillon hedhjen e shortit në seancë publike jo më vonë se 30 ditë nga konstituimi.

2. Kryetari i KQZ i zgjedhur sipas nenit 15 të këtij Kodi e ushtron këtë detyrë për 4 vjet me të drejtë rizgjedhjeje duke qënë një nga kandidatët sipas gërmës (a) të nenit 15 të këtij kodi.

Mbledhja e komisionit parlamentar të reformës zgjedhore përfundoi mbrëmë pa asnjë sukses.  Dy partitë kryesore politike edhe pse u duk se ranë dakort në nisje te mbledhjes që cështjen e riformatimit të KQZ t’ia delegonin Kuvendit për gjetjen e një formule, në fund të mbledhjes PD në mënyrë “surprizë” paraqiti një tjetër formulë dukë sjellë kundërshtimin e ashpër të socialistëve.
CFARE NDODHI MBREME
Komisioni i reformës zgjedhore deri mbrëmjen e djeshme kishte miratuar me konsensus kapitujt që kishin të bënin me numërimin dhe votimin. Ishte rënë dakord mes palëve për numërimin elektronik me zona pilote. Por dje në mbrëmje PD hoqi dorë si nga kjo pikë, ashtu sikurse nuk donin të kishte diskutime as për votimin. Sipas propozimit që hodhi në tavolinë PS, numërimi me elektronikë të bëhet me projeke pilote, por kjo të specifikohej qartazi me ligj. Ndërsa PD u tërhoq nga të gjitha procedurat për numërimin duke pretenduar se këtë mund ta bëjë KQZ, gjë që në fakt nuk u pranua nga socialistët. PS propozoi ndër të tjera që për procesin e votimit, aparaturat të ishin në vendin e votimit por as kjo nuk gjeti konsensus. Ndërkaq, çdo ndryshim tjetër që do të bëhet, edhe tani që u prish çdo lloj balance, duhet të marrë sërish verdiktin e dy forcave kryesore PD-PS. PD nuk pranoi ditën e djeshme të diskutonte as për administratën zgjedhore, duke lënë në ajër gjithë procesin dhe duke e kaluar atë në Parlament, i cili nga ana e tij do të bëjë edhe njëherë shtyrjen e afatit të komisionit të reformës zgjedhore.
sg/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Aksident i rëndë në Korçë, makina zë poshtë të riun që po lëvizte me skuter (VIDEO)

Aksident i rëndë në Korçë, makina zë poshtë të riun që po lëvizte me skuter (VIDEO)