Reforma zgjedhore/ PD propozon 'fushata të varfra': Ndalohen kreditë dhe dhuratat, partitë të shfrytëzojnë vetëm fondet publike e kuotat e anëtarësisë

Fushata elektorale të ‘varfra’ dhe jo kaq pompoze sa i kemi parë në të gjithë këto vite do të shihnim në vazhdim nëse propozimi i Partisë Demokratike për ndryshime në Kodin Zgjedhor do të miratohej. Në draftin e siguruar nga Report Tv bëhet e qartë se PD ka kërkuar shfuqizimin e pikave c dhe ç të nënit 86 të Kodit Zgjedhor duke hequr kështu mundësinë e marrjes së kredive, dhuratave apo huajave nga partitë dhe kandidatët në kohë zgjedhore, duke i lënë ato vetëm me fondet të ardhura nga buxheti i shtetit dhe kuotat e anëtarësisë. Ky propozim demokrat vjen në një kohë kur është vënë në shënjestër të akuzave se në 2017 u financua me para ruse.

Një tjetër propozim i Partisë Demokratike është për veprimtaritë e ndaluara në prag të zgjedhjeve. Nga 4 muaj, demokratët propozojnë që veprimtaritë shtetërore që shihen si fushatë e partisë në pushtet, të ndalohen që në momentin kur presidenti dekreton zgjedhjet. Propozimet e socialistëve u fokusuan në rekomandimet kyçe të OSBE ODIHR që lidhen me listën e zgjedhjeve dhe reduktimin e influencës politike përgjatë procesit zgjedhor

Një propozim i Partisë Socialiste është që zgjedhësit të njoftohen nëpërmjet Portalit Unik Qeveritar e –Albania, falas, për qendrën e votimit, vendndodhjen dhe adresën e saj, si dhe numrin rendor të zgjedhësit në listën e zgjedhësve të qendrës së tij të votimit. Në pikën 2 të nenit 55 të propozuar thuhet se lajmërimi nëpërmjet e-Albania bëhet duke respektuar afatet e përcaktuara dhe në përputhje me modalitet që përcaktohen në udhëzim të përbashkët të Ministrit që mbulon gjendjen civile dhe KQZ-së, pas konsultimit me AKSHI -n.

Këto propozime u paraprinë nga debate të shumta mes anëtarëve të komisionit të reformës zgjedhore. Alibeaj u kritikua nga të vetët se nuk kishte dërguar në kohë draftin me ndryshime, ndërsa debati mes Petrit Vasilit e bashkëkryetarit socialist të Komisionit, Damian Gjiknurit kaloi deri në ofendime.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:51
Debat mes opozitës te ‘Zgjedhorja’, Alibeaj-Mediut: Mund të ikësh po të duash, s’pranoj të thuash se ka çorganizim! Vasili: Lëri këto histori fshati

 

Debatet mes opozitës nuk kanë munguar në komisionin për Reformën Zgjedhore teksa po flitej mbi punën e ekspertizës. Pas propozimit të Alibeajt, Mediu u shpreh se komisioni nuk ka funksionuar në këtë mënyrë duke përmendur edhe çorganizim të komisionit.

Mediu: Nuk ka nevojë për komision, ka nevojë vetëm për ju të dy, nuk ka funksionuar ndonjëherë kështu ky komision, ka pasur debat dhe zgjidhje në komision. Kjo nuk është reforma e asnjë partie, është për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, për çfarë duhet grupi i ekspertëve nëse është kështu. Këtë debat e kemi bërë që në fillim, çështja është çorganizimi total që kemi ne.

Alibeaj: Këtë nuk e pranoj unë. Çorganizim këtu nuk ka, mund të ikësh po të duash. Kërkuat ekspertizë, ekspertët i keni, të ndodhë që eksperti i PD të punojë dhe ai të kërkojë dritë jeshile nga ekspertët e partive të tjera nuk do ndodhë kurrë, të kundërtën po bëjmë, po vendosim ekspertët e partie të tjera në kushtet e ekspertit të PD. Kemi interesin më të madh që materialet kryesore të vijnë nga PD, por dhe ekspertët e tjerë do duhet që të punojnë dhe të japin zgjidhje për të kënaqur interesat e partive që përfaqësojnë. Jo vetëm që nuk ka ekspertë të kategorive A B dhe C, kushte të njëjta për të gjithë.

Vasili: Lëri këto histori fshati.

Ora 12:19
Mediu kritika Alibeajt: Jeni bashkëkryetar për të përfaqësuar opozitën, të konsultohemi para se të vijmë këtu

 

Fatmir Mediu ka kritikuar Enkelejd Alibeajn në Komisionin e Reformës Zgjedhore duke i thënë se është bashkëkryetar i opozitës, ndaj duhet të konsultohen para se të shkojnë në mbledhje.

Mediu: Grupi i ekspertëve nuk mund të vijnë këtu pa i parë dhe pa I diskutuar këto, tjetra e kam me ju zoti Alibeaj, ju jeni aty si përfaqësues i opozitës nuk mund të vijmë këtu pa u konsultuar paraprakisht bashkë. Të mos vijmë këtu e të bëjmë diskutim njëri në një anë, tjetri në anën tjetër.

Alibeaj: Keni ekspertët tuaj, ekspertëve tuaj i kemi çuar materialin. Duhet punë edhe nga ekspertiza juaj, vetëm në këtë mënyrë mund të jemi të unifikuar, që edhe ekspertët tuaj ti shohin ti kritikojnë ti pasurojnë propozimet. Nuk e pranoj që eksperti i PD të bëjë punën dhe të tjerët të rrijnë e të shohin e të thonë që nuk kemi kohë.

Ora 12:02
Debate te ‘Zgjedhorja’/ Gjiknuri: S’rregulloj dot problemet e opozitës! Vasili: Ti s’di çfarë flet, bën militantin

 

Nuk kanë munguar debatet e opozitës me mazhorancës në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Damian Gjiknuri shprehet se nuk i rregullon problemet e opozitës ndërsa letrën e Petrit Vasilit e cilëson politike. Ky i fundit nuk hezitoi t’i kundërpërgjigjej duke i thënë se bën militantin.

Pjesë nga debati

Gjiknuri: Nuk rregulloj dot unë problemet e opozitës, se e dimë përse nuk ecëm, ekspertëve do i cojmë draftet tona. Letra e vasilit politike, si trakt.

Vasili: Ti nuk di cfarë flet, unë nuk citova konstatime të mia, por OSBE ODIHR, ty të duken zgjatim të konferecave të shtypit, bën militantin, mund të thuash s’duam ti bëjmë, por nuk mund të thuash fletë-rrufe.

Alibeaj: Unë nuk do të doja të bëja vërejtje, aq më pak bashkëkryetarit, por do të doja të bëja një thirrje, nuk jam dakord me konstatimet tuaja, jam dakord me atë që në letrën e vet Vasili ka thënë, duhet të adresojmë rekomandimet e OSBE, tjetra që do të doja ta thoja, është që kjo është reformë për shqiptarët, ti bëjmë shërbimin shqiptarëve. Nëse do t’i hiqnim të gjitha gjuhën provokative, do t’i jepnim mundësi që ky komision të ecte sa më shpejt, pastaj diskutimet politike i bëjmë edhe jashtë kësaj salle.

Ora 11:52
Reforma Zgjedhore/ Opozita: Sollët 1 javë me vonesë draftin! Gjiknuri: Gati të tërhiqem e të pranoj dështimin vetëm që të ruajmë qetësinë tuaj

 

Në Komisionin e Reformës Zgjedhore, deputetët e opozitës janë shprehur se drafti i ka mbërritur me vonesë, ndonëse prej 1 jave është dekretuar data e zgjedhjeve të 14 majit. Sa i përket letrës së Petrit Vasilit, Damian Gjiknuri u shpreh se është politike dhe u shpreh se është i gatshëm që të tërhiqet dhe të mosn preket asgjë nga Kodi Zgjedhor e të pranojë dështimin.

Pjesë nga diskutimi

Oerd Bylykbashi: Ka një javë që presidenti I Republikës ka dekretuar datën e zgjedhjeve. Drafti na ka ardhur tani, vë në diskutim punën e organeve që do të hartojnë ndryshimet. Gjithë kjo turbullirë, nuk ka të drejtë parlamenti ta bëjë, ka subjekte të tjera që nuk janë në këtë sallë, mund të dëmtohen, mund të dëmtohen edhe këto forca që janë këtu. Aq më tepër që vini edhe me paketa të mëdha, të ndryshojmë kodin zgjedhor, dhe drafti ka ardhur vetëm 5 muaj e gjysmë para zgjedhjeve. Kur do jemi në gjendje t’i themi subjekteve zgjedhore shihni se e keni fushën e lirë, ky komision të ketë të qartë se çfarë po bën, ndryshime që cenojnë procesin zgjedhor. Ne duhet të shohim çfarë nuk cënon procesin zgjedhor që ka nisur tashmë.

Enkelejd Alibeaj: Javës së kaluar Vasili ka sjellë një shkresë, një nga cështjet kryesore që duhen adresuar janë rekomandimet e OSBE-ODIHR,në materialin që është shpërndarë, janë të paraqitura. Punës së ekspertit të PD nuk duhet tu vendosen kufizime. Te ndryshimet që afektojnë zgjedhjet lokale, të ecet më shpejt. E nxjerrim nga shinat ndonjëherë komisionin për shkak të politikës.

Damian Gjiknuri: Letra e Vasilit i është shpërndarë të gjithë anëtarëve të Komisionit. Nuk pashë asnjë risi të shtuar nga konferencat për shtyp. S’i dhashë rëndësi të vecantë. Të gjitha janë deklarime politike. Nuk ka asgjë të keqe. S’mund të hapim hapësirën e debatit pafund se s’kemi një listë dëshirash. Ne do nisemi te disa parime. Unë jam me parimin që nëse opozita dëshiron që të mos prekim asgjë dhe për të ruajtur stabilitetin ligjor, e pranoj dështimin dhe të mos merremi me reformën zgjedhore. E dyta jam dakord të shqyrtohen propozime për rolin e administratës. E kuptoj që opozita e ka merak rolin e shtetit, por shteti s’mund të ngrijë se ka zgjedhje. Shteti është mbi palët. Mendoj që të bëhet propozimi nga ekspertët për punën e bërë. Ose nëse keni ide ta ndërpresim këtë punë, s’më pëlqen dështimi por shkoj për stabilitetin politik dhe qetësinë e opozitës.

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Deputeti i LDK: Veprimet e qeverisë Kurti, e kanë kthyer presionin e Perëndimit ndaj Kosovës

Deputeti i LDK: Veprimet e qeverisë Kurti, e kanë kthyer presionin e Perëndimit ndaj Kosovës