Në një raport të Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe Qëndresës Qytetare theksohet se sistemi aktual elektoral vazhdon të përballet me probleme strukturore si politizimi i administratës zgjedhore, përdorimi i burimeve publike për qëllime elektorale dhe ndëshkueshmëria e ulët për shkeljet zgjedhore.

Ndër rekomandimet kryesore të raportit është depolitizimi i administratës zgjedhore, përmes krijimit të një trupe të përhershme komisionerësh të certifikuar dhe të përzgjedhur mbi bazë meritash, duke reduktuar ndikimin e partive politike në komisionet e administrimit të zgjedhjeve.

“Kallëzimet e lidhura me vëzhguesit partiakë ose koordinatorët e sigurisë për presion ndaj votuesve ose mbajtje të listave të zgjedhësve dhe aplikacioneve të tjera që dhunojnë të dhënat e tyre personale, nuk shoqërohen me verifikime të plota ku mjafton si hap verifikues të shikohen edhe kamerat e sigurisë”, tha Erida Skëndaj nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Përfaqësuesit e Ambasadës Britanike në Tiranë apeluan palët politike se reforma e re duhet të jetë gjithëpërfshirëse.

“Një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe funksionale që adreson realisht rekomandimet thelbësore të OSBE-ODIHR”, u shpreh Artela Mitrushi.

Të tjera organizata të shoqërisë civile theksuan nevojën për një reformë reale dhe jo një arnim i Kodit Aktual.

“Shqetësimi kryesor është a do të ketë reformë? A mund të quajmë çdo arnim reformë?”, shtoi Afrim Krasniqi.

Sa i përket hetimeve për krimet zgjedhore, organet e prokurorisë kërkojnë zgjatjen e afateve kohore.

“Krimet zgjedhore nisin shumë më përpara, 3-6 muaj ditës së zgjedhjeve ose më shumë, kështu që periudha 3 ditë para e 3 ditë prapa është e vogël sepse krijimi i grupit hetimor dhe bërja e hetimeve të përbashkëta ka vështirësitë e veta”, tha Eni Çuli, drejtues i prokurorisë Berat.

Raporti thekson gjithashtu nevojën për mbrojtje më të fortë për sinjalizuesit e shkeljeve zgjedhore, duke propozuar që mbrojtja ligjore të shtrihet jo vetëm për personat që denoncojnë shkeljet, por edhe për familjarët dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Ndër rekomandimet e tjera përfshihen garantimi i barazisë së subjekteve politike në media, përmirësimi i funksionimit të Kolegjit Zgjedhor, rregullimi më i qartë i votës së diasporës dhe forcimi i hetimit të krimeve zgjedhore, përmes bashkëpunimit më të ngushtë mes KQZ-së, prokurorive dhe institucioneve ligjzbatuese.