TIRANE- Reformat në sistemin e drejtësisë do të jenë tema në fokus të takimeve që ministri i Drejtësisë, Nasip Naço do të zhvillojë në Francë e Holandë. Ministri Naço do të niset nesër për një vizitë zyrtare në Francë dhe Holandë, ku pritet të takohet me homologun e tij holandez Ivo Opstelten, Kryetarin e Gjykatës Supreme të Holandës, si dhe Kryetaren e Komisionit Parlamentar për Siguri dhe Drejtësi.
 
Gjatë këtyre vizitave, ministri Naço do të zhvillojë disa takime të nivelit të lartë me përfaqësues të qeverive të të dyja shteteve por edhe me aktorë të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë.
 
Pjesë e axhendës gjatë vizitës në Francë është takimi me Ministren e Drejtësisë franceze Christiane Taubira, si dhe takimi me anëtarët e Këshillit të Lartë të Magjistraturës, të kryesuar nga Vincent Lamanda, President i këtij Këshilli, etj.
 
Gjatë takimeve do të diskutohet rreth reformave që po ndërmerren në sistemin e drejtësisë, lidhur me proceset integruese të Shqipërisë, me fokus të veçantë luftën kundër korrupsionit.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)