Refugjati i luftës nga Kosova: Ne e dinim Shqipërinë kopsht me lule, por vetëm në 1999 u njohëm realisht, kur hapët dyert për ne

Refugjati i luftës nga Kosova: Ne e dinim Shqipërinë kopsht me lule, por vetëm në 1999 u njohëm realisht, kur hapët dyert për ne

Abaz Osmani

Abaz Osmani ish-refugjat i Kosovës në Lozhan të Korçës thotë për DritareTV se mikpritja që u bënë shqiptarët në 1999-ën është një vepër e madhe e njerëzimit. Ai tregon se korçarët i hapën dyert mijëra shqiptarëve të Kosovës në çastin e tyre më të vështirë, kur serbët i dëbuan nga shtëpitë dhe ata gjetën një shtëpi të dytë në Korçë.

Korçarët, thotë Osmani, na pranuan fillimisht si njerëz, e pastaj si shqiptarë. Ai tregon si krijuan një konunitet të vogël për ato tre muaj që qëndruan në fshatin Lozhan të Korçës, kujton me shumë dashamirësi Xhemalin që i hapi shtëpinë dhe sot janë miq dhe mësuese Luljetën që mësoi fëmijët në kampin kosovar.

“Ne në Kosovë kemi pasur një imazh të Shqipërisë kopsht me lule, rregull e pastërti, pasuri, shtet model. Ne e mendonim Shqipërinë si një shtet model ideal. Dhe në vitin 1999, Kosova pa një tjetër Shqipëri. Gjatë viteve 90 ka pasur shkëmbime njerëzish, informacionesh, dhe ne kuptuam që Shqipëria nuk ishte kopsht me lule, por këto ishin shkrime gazetash dhe histori të rralla individuale, sepse pak njerëz kanë ardhur në Shqipëri, gjatë atyre viteve.

Me 1999 ne u njohëm realisht, si komb. Dhe imagjinojeni se as mikpritësit nuk na njihnin. Edhe ata do të jenë habitur. Kush janë këta? Çfarë lloj shqiptarësh qenkan këta? Si flasin kështu? Si sillen kështu? Çfarë hanë kështu? Që thotë Kadare, ra ky mort e u pamë!

P.sh nëna ime, nana, që atëherë i kishte 80 vjeç, nuk kuptonte pothuajse asgjë. Nga dialekti i Gramshit. Por, në atë dramë të madhe historike, ne kosovarët gjetëm megjithatë nënën e munguar, ose më mirë, vëllanë e madh, që nuk e kishim takuar kurrë. Edhe pse nuk kuptoheshim mirë shqip, e kishim shumë paragjykime në mes, ne ndjeheshim në shtëpi, ndonëse shtëpitë e vërteta ishin shkrumb e hi.

Ne, shumica e refugjatëve kosovarë, jetuam në shtëpitë e banorëve të Lozhanit. Na morën nëpër shtëpi, hanim me ta, flinim me ta, shikonim TV me ta. Sikur shkon te kushërinjtë. Ne nuk ishim refugjatë, por mysafirë. Dhe kur e shoh këtë, sot pas 25 vjetësh, më duket më e madhe.

Çfarë vepre e madhe e njerëzimit. Sepse kjo nuk është vepër kombëtare. Shqiptarët nuk treguan vetëm solidaritet nacional, të tillë çfarë e tregon Shkodra për Vlorën, në një moment emergjence, sepse po e përsëris, ne njiheshim vetëm nga historia, ndoshta e projektuar, e jona, ne nuk kishim komunikuar më parë.

Ne ishim ca shqiptarë të tjerë. Dhe megjithatë na pranuan plotësisht. Pra unë them se na pranuan si njerëz, së pari. Them se mikpritja shqiptare e 1999-ës është moment sipëror civilizues i popullit shqiptar në Shqipëri dhe Maqedoni, por edhe Preshevë e Ulqin etj, dhe duhet të njihet si i tillë, jo vetëm nga ne, në përvjetorë të caktuar, por nga i gjithë njerëzimi!

Për shembull familja e Xhemajl Miskut. Dy dhoma gjumi, një standard modest jetese, merr 6 refugjatë kosovarë. Jeta e familjes ndryshon plotësisht. Nuk është se detyroheshin, sepse kampe e çadra e bukë për refugjatë kishte plot, gjithandej Shqipërisë. As se përfitonin ndonjë gjë. Por, njeriu për njeriun nuk është ujk, por vëlla.

Xhemajlin e takoj sa herë vij në Tiranë. Edhe ai vjen shpesh në Prishtinë. Ka shumë të tilla miqësi që ruhen e kultivohen. Janë miqësi të zemrës. Ndoshta tingëllon romantike, por ne jemi takuar në një moment dramatik, që për shkak të mirësisë së manifestuar, ka prodhuar efekte romantike.

Domethënë ne u tronditëm atëherë kur e kuptuam se Shqipëria, ndonëse e bukur e plot gjelbërim, ishte një vend i varfër, i pazhvilluar në kuptimin material. Megjithatë, gjetëm se njeriu kishte mbijetuar.

Shumë shqiptarë u vunë të ndihmojnë, me ndihmat, me sigurinë, me gjitha operacionet logjistike. U krijua shkolla për fëmijët e kampit, e vetmja shkollë për refugjatët kosovarë, në gjithë Shqipërinë, që organizoi mësim të plotë gjithëditor dhe që u njoh si vit shkollor, me diploma të shtetit shqiptar. Këta fëmijë u mësuan nga mësuese Luljeta.

Ne refugjatët kosovarë kishim krijuar një si këshill përfaqësuesish. Dhe më kujtohet, shkuam te kryetari i bashkisë, tre katër veta, për t’ia paraqitur disa kërkesa. Kërkonim libra shkollorë, linjë telefonike, gazeta. Kështu ishim marrë vesh si këshill. Por njëri nga ne, aty gjatë takimit, i kërkoi kryetarit edhe mish…”, thotë ndër të tjera Abaz Osmani. Dritare.net

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lule: 02/07/2024 12:12

    Shqiperia lule ishte, eshte, dhe do te jete, dhe kur dhe e izoluar nga te gjithe iu mbajti zjarrin ndezur ne gji per atdhedashuri.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të lejohet mjeku të punojë njëkohësisht në spital publik e privat?



×

Lajmi i fundit

Në një dekadë Shqipëria “humbi” 300 mijë të rinj! Eksperti: S’ka meritokraci, nuk promovohen në punë

Në një dekadë Shqipëria “humbi” 300 mijë të rinj! Eksperti: S’ka meritokraci, nuk promovohen në punë