Drejtuesit e regjimit e shihnin këtë komunitet si shkaktar të rritjes së akteve kriminale. E vetmja mënyrë për të ndalur këtë fenomen sipas tyre ishte akomodimi i tyre nëpër banesa e qendra pune dhe largimi njëherë e mirë nga rruga dhe jeta e tyre prej nomadësh.
Për këtë qëllim nga Ministria e Brendshme dhe Kryeministria ishte hedhur ideja e krijimit të një “Komisioni për sistemimin e arixhinjve nomadë dhe zhdukjen e lypsave”.
Menjëherë pas kësaj nga kryeminsitria kishte dalë një urdhëresë e gjatë ku përveçse jepej në detaje aktiviteti shqetësues i kësaj pjese të popullsisë, jepeshin edhe direktivat dhe ndarja e detyreve për institucionet që ngarkoheshin për t’i dhënë zgjidhje problemit.
“Arxhinjtë, disa prej të cilëve ndodhen prej shumë kohësh në vëndin t’onë dhe të tjerët kanë ardhë kohët e fundit, janë popull nomadë, që, duke u endë prej një vëndi në tjetrin, i shpëtojnë lehtë kontrollit t’organeve të sigurimit publik.
Këta jetojnë në një gjëndje të mjeruarshme, pse ndodhen në kondita shumë të këqija ekonomike, morale dhe hygjenike; politikisht qëndrojnë shumë ulët dhe rrojnë krejt të veçuar nga shoqërija.
Arxhinjtë përbëjnë foletë, ku gjejnë vënd të përshtatshëm korrupsjoni, parazitizmi, imoraliteti dhe çdo vepër tjetër e keqe”, thuhet ndër të tjera në shkresën urdhëruese të kryeministrisë.
Korrespodenca prej disa faqesh ruhet në një prej dosjeve të fondit dokumentar të Kryeministrisë në AQSH. Për lexuesit e Shqiptarja.com, sot do të sjellim një pjesë të këtyre dokumenteve.
V.F. – L.P.
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
MINISTRIJA E P. TË MBRËNDËSHME
DEGA PËR ZHDUKJEN E KRIMEVE
Nr. 888/1
Tiranë, më 20 maj 1947
L A N D A: Mbi krijimin e një komisjoni.
K R Y E M I N I S T R I S Ë
MINISTRISË BUJQËSISË
K Ë T U
Ky Dikaster qysh prej kohe ka ngritur problemin e sistemimit të arixhinjve nomadë dhe zhdukjen e lypësisë, nga fakti se këto janë burimi i kriminalitetit dhe se shumë ndodhje që bëhen si vjedhje dhe mashtrime kryhen prej këtyre elementave.
Organet mvartëse duke vepëruar konformë udhëzimeve që u janë dhënë kanë bërë hapat e para për të dyja çështjet por, për sistemimin definitif të nomadëve dhe sistemimin e elementave lypsa, nuk përkrahen nga ana e komiteteve dhe seksioneve të bujqësisë, pa ndihmën e të cilëve nuk mund të zgjidhen definitivisht.
Prandaj ndihet nevoja e krijimit të një komisjoni ku do të marrë pjesë dhe një i deleguar i atij Dikasteri me qëllim që të studjohet mirë mënyra e zgjidhjes të këtyre problemeve.
M I N I S T R I:
(firma, vula)
V.F. – L.P.
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
KRYEMINISTRIJA
Nr. 875
Tiranë, më 24-5-1947
L A N D A: Mbi krijimin e një Komisioni.
Ministris së P. të Mbrendshme
(Degës për Shdukjen e Krimeve)
T i r a n ë
Gjegje shkresës Nr. 888/I datë 20.V.1947.
Kjo Kryesi aprovon krijimin e nji Komisioni për sistemimin e arixhinjve nomadë dhe shdukjen e lypsave dhe autorizon si të deleguarin e saj në këtë Komision Z. Miti Naçi.
Na njoftoni datën dhe orën e mbledhjes së parë të këtij Komisioni.
SEKRETARI I PËRGJITHSHËM:
(vula, firma)
V.F. L.P.
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
K R Y E M I N I S T R I A
Nr. 438 Res.
Tiranë, më 21/VII/47
L A N D A: Mbi krijimin e një komisjoni.
MINISTRISË SË P. BReNDËSHME
Ministrisë së BUJQËSISË e pyjeve
Ministrisë së tregtisë
Ministrisë së p. botore
Sekretarjatit të frontit demokratik
Komiteteve ekzekutive të prefekturave
T I R A N Ë
Sikundër dihet, plagët që na kanë lënë trashëgim regjimet e kaluara janë të pa-numërta.
Për shërimin e kësaj gjëndjeje, Pushteti i ynë, si efekt të Reformave ekonomike dhe shoqërore që po realizon, ka sjellë përfundime të kënaqëshme në çdo drejtim; por qëllimit do t’i arrihet vetëm atëhere kur këto plagë të jenë shëruar plotësisht.
Një nga problemet e tjera që duhet t’i preokupojë organet shtetërore për një zgjidhje radikale dhe të shpejtë, është edhe çështja e zhdukjes dhe e luftimit të kriminalitetit, i cili, me masat e marra, është pakësuar mjaft, por jo n’atë gradë sa që mund të thuhet se nuk ekziston më.
Nga raportet që ka kjo Kryeministri, rezulton se shumica e vrasjeve, e grabitjeve, e vjedhjeve, e mashtrimeve etj. kryhen në pjesën më të madhe, prej lypsish dhe vagabondash, një pjesë e madhe e të cilëve (e këtyre të fundit) formohet nga arxhinjtë.
Lypësija, kjo plagë shoqërore dhe burimi i sa e sa të këqijave, duhet të çduket rrënjësisht nga gjiri i shoqërisë së re. Lypësit janë ende të shumtë në vëndin t’onë. Këta përbëjnë shumë kategori: disa prej tyre lypin për të vetmin fakt se janë mësuar dhe kjo u është bërë zakon; disa të tjerë lypjen e përdorin si mjet për të siguruar jetesën, pse ndodhen pa punë ose për shkak moshe ose infirmiteti nuk janë në gjendje të punojnë; disa të tjerë lypin, pse janë të shtyrë nga të tjerët.
Arxhinjtë, disa prej të cilëve ndodhen prej shumë kohësh në vëndin t’onë dhe të tjerët kanë ardhë kohët e fundit, janë popull nomadë, që, duke u endë prej një vëndi në tjetrin, i shpëtojnë lehtë kontrollit t’organeve të sigurimit publik. Këta jetojnë në një gjëndje të mjeruarshme, pse ndodhen në kondita shumë të këqija ekonomike, morale dhe hygjenike; politikisht qëndrojnë shumë ulët dhe rrojnë krejt të veçuar nga shoqërija. Arxhinjtë përbëjnë foletë, ku gjejnë vënd të përshtatshëm korrupsjoni, parazitizmi, imoraliteti dhe çdo vepër tjetër e keqe.
Veprat e lypësave dhe t’arxhinjve mbështeten kryesisht në nevojën e jetesës dhe në mungesën e edukatës. Me edukimin dhe përmirësimin e gjëndjes ekonomike të tyre, do t’i arrihet zgjidhjes së këtij problemi, që është një problem jo vetëm shoqëror, por një çështje që intereson edhe qetësinë publike. Prandaj kjo Kryesi me anë të kësaj
Qarkoreje ju ngarkon këto detyra:
a) Ministrisë së P. të Brëndëshme që me anë t’organeve të saj të pregatisë sa më parë listat e të gjithë atyre lypësave, duke formuar për çdo kategori lista të veçanta: lypësit që janë të gjymtuar dhe të kaluar nga mosha dhe ata që janë fizikisht mirë, por që ndodhen pa punë, të vendosen, me ndërmjetësinë e organeve të Pushtetit lokal, ndër azile dhe në punë; fëmijtë vagabonda të mirren n’institutin e korrektimit dhe ata jetimë, ndër streha. Kundër të gjithë atyre prindërve, që shtyjnë fëmijtë e vegjël për të lypë, të merren masa administrative; ata mund edhe të proçedohen sipas kodit penal. Arxhinjtë duhet të grumbullohen ndër vënde të caktuara duke mos u lejuar që të lëvizin gjer në vendosjen dhe sistemimin definitiv të tyre.
b) Ministris së Bujqësisë, që të kujdesohet për sistemimin sa më të shpejtë t’arxhinjve, duke i instaluar në toka dhe duke u siguruar farën e nevojshme dhe veglat e punës, në mënyrë që t’aktivizohen dhe të fillojnë nga punimet e vjeshtës.
c) Ministris së Tregëtisë, që arxhinjëve t’u sigurojë ushqimin për një kohë të parë, mbulesat dhe vesh-mbathjet.
ç) Ministris së P. Botore, që të ndihmojë në ngritjen e banesave dhe të furnizojë me materjalet e nevojshme.
d) Frontit Demokratik, që të kujdeset, në mënyrë të veçantë për edukimin moral dhe politik të tyre, me qëllim që këta elementë të shoqërisë të xhvishen nga zakonet prapanike të së kaluarës dhe t’u ngjallet dëshira për punë, duke u bërë kështu të vlefshëm për vehte dhe për shoqërinë.
Por zgjidhja konkrete e këtij problemi të bëhet nga Komitetet Ekzekutive të cilat ngarkohen ekskluzivisht të kryejnë këto detyra.
a) Ndalimin e qarkullimit të arëxhinjve (cinganëve).
b) Vendosja në punë njerëzit e aftë.
c) Ndalimin e tyre në toka dhe të ngarkohen detyrimisht t’a punojnë.
ç) Me i ndihmue në krijimin e strehimeve të tyre.
d) “ “ në pikpamje ekonomike.
Sigurisht në lidhje me këtë problem e këto detyra do të gjënden vështirësi, por këto duhet të kalohen pa tjetër mbassi kemi të bëjmë me një çështje që ka rëndësi për vëndin t’onë.
Është e këshillueshme që arxhinjtë e pa zanat që do të merren me bujqësi, të ndahen nga 2-3 familje për fshat, mënyrë kjo që do të lehtësojë mjaft çështjen e edukimit, çështjen e instalimit dhe të ndihmës që do të gjejnë në fshat. Ata që dinë një mjeshtëri, t’u gjindet vënd në ofiçinat a puntorina të ndryshme ose duke u ndihmuar në çeljen e dyqaneve.
Prandaj kësaj çështje duhet t’i kushtohet rëndësija që meriton dhe të niset nga puna pa humbur kohë.
Të na njoftohet puna që do të kryhet në këtë drejtim.
SEKRETAR’ I PËRGJITHSHËM:
(vula, firma)
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
MINISTRIJA E punve botore
Dega e Administratës
Nr. 521 Res.
Tiranë, më 28/VII/1947
L A N D A: Mbi banesat e arxhinjvet.
K R Y E M I N I S T R I S Ë
T i r a n ë
Në referim t’urdhërit Nr. 438 Res. datë 21.VII.1947.
E muarmë në studim përmbajtjen e urdhërit të sipërmë, dhe në vështrim të detyrës që i është ngarkuar kësaj Ministrije në lidhje me ngritjen e banesave dhe furnizimin e materjaleve të nevojshme për këtë qëllim, ky Dikaster nuk ka se si të japi ndihmën e tij direkte, tue qenë se siç dihet edhe nga ajo Kryeministri, materjalet në përgjithsi
disponohen nga Komisjoni Planit, dhe banesat ngrihen nga Komitetet Ekzekutive të K.P. të Prefekturave.
Me gjithë atë, kjo Ministri, tue marrë parasysh rëndësinë që paraqet ky urdhër nga pikpamja e përmirësimit shoqëror është e mendimit që Komitetet Ekzekutive të pregatisin nga një preventiv mbi fondet e materjaleve qi do të nevojiten për shtëpitë e arxhinjvet në qarkun e tyre, dhe mandej këta preventivë t’i-a paraqesin direkt Komisjonit të Planit për të marrë aprovimin e duhur të zbatimit, dhe autorizimin për materjalin.
Mbasi të jenë kryer këta formalitete, Komitetet Ekzekutive me anën e organevet të tyre mvartës të ndërtimit do të ekzekutojnë punimet.
Ministr’i Punvet Botore:
(firma, vula)
VDEKJE FASHIZMIT
LIRI POPULLIT
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
KOMITETI EKZ. K. P. PREF. QYTETIT
K R Y E S I J A
Nr. 948/2 Prot. Res.
Tiranë, më 30/..../1947
SHKURTIMI: Mbi sistemimin e arixhijve në toka si bujqë.
MINISTRIS BUJQSIS DHE PYJEVE
T I R A N Ë
Sikundër asht theksuar dhe në qarkoren e Kryeministris Nr. 438 Rez., dt. 21/7/1947, drejtuar dhe atij Dikasteri, në lidhje me problemin e arixhijve, ky Komitet asht i mendimit dhe beson se kjo asht mënyra ma e mirë që familjeve të kësaj kategorije që ndodhen në qytetin e Tiranës, t’u vihet në dispozicion nga nji sasi toke e mjaftueshme, në mënyrë që këta të stabilizohen nji herë e përgjithmonë dhe t’i kushtohen vetëm bujqësis
Duhet kuptuar se nga an’e jonë, janë ba të gjitha përçapjet me qëllim që t’iu sigurohet punë në sektorë të ndryshëm, por fakti asht se jo vetëm që ata nuk zotnojnë profesion, përveç atij të xhambazllikut dhe lypsis e korrupsionit, por për t’i ba që të ndrrojnë definitivisht rrugë, asht ma e udhës që të vendosen në punra bujqësore, sepse në këtë drejtim kanë shfaqun dhe dëshirën e tyne.
Simbas informatave të deri-tashme, në Tiranë ndodhen 32 familje arixhijshë, seicila mesatarisht prej pesë frymësh, dhe të thuash gati të gjithë pa ndonji punë të përcaktuar.
Sikur dihet, në juridiksionin e kësaj Prefekture nuk disponohet tokë për këtë qëllim; prandaj çështja parashtrohet me lutje që të shqyrtohet mundësia e sistemimit të tyne, simbas disponibilitetit të tokës, në Prefekturat e tjera të Shqipëris.Vetëm në këtë mënyrë, problemi i arixhijve të këtij qyteti, kishte me pasë nji zgjidhje të drejtë dhe me rezultate të kënaqshëm.
Përfundimi lutemi të na njoftohet.
Për komitetin ekzekutiv të K.P. të
Prefekturës së qytetit të Tiranës:
S e k r e t a r e: (Naxhije Dume)
K r y e t a r i: (Ibrahim Sina)
K R Y E M I N I S T R I S
T I R A N Ë
Në gjegje të shkresës Nr. 438 Rez., dt. 21/7/947.
Kemi nderin me Ju njoftue se, tue pamë që ndihmat në drejtime të tjera të dhanuna nga an’e këtij Komiteti nuk patën rezultatin e dishruar, ky Komitet asht i mendimit që vetëm stabilizimi i tyne si bujqë do të zhdukte rranjësisht veset e kqija t’arixhijve, tue i këmbye këta të vlefshëm për vehte dhe për shoqërinë.
Për komitetin ekzekutiv të K.P. të
Prefekturës së qytetit të Tiranës:
S e k r e t a r e: (Naxhije Dume)
K r y e t a r i: (Ibrahim Sina)