Regjisorja, që u mashtrua
nga katër firma piramidale

Regjisorja, që u mashtrua <br />nga katër firma piramidale
Në rrugët e Tiranës njerëzit pëshpërisin të lumtur për një formulë magjike. Mesi i viteve ’90-të. Si mund të ngrysesh i varfër e të gdhihesh pasanik? Shqiptarët rendin e mbajnë rradhë nëpër sportele.

Dy para sot, katër pas një muaji. Çmenduria zapton mendjet e tyre. Nga fshatrat më të largët e deri në zemër të kryeqytetit kjo formulë turbullon të shkolluar e të pashkolluar…. Nga kooperativistët e dikurshëm, a punëtorët e fabrikave që përmbysjen e sistemit e kuptojnë si një rendje turravrap drejt mirëqenies së beftë, e deri tek intelektualët, që gjenden përballë qindra dilemave që sjell rendi i ri shoqëror…
Imagjinoni një regjisore që dëgjon këto pëshpërima në një prej kthimeve në shtëpi dhe e hipnotizuar si të gjithë nxiton hapat ta ndajë këtë lajm me familjen….

* * *
Liri Brahimi është regjisorja që punoi për vite të tëra në Kinostudio. Veç angazhimit të saj në 15 filma artistikë, energjitë dhe paisonin më të madh ia kushtoi dokumentarëve, ku spikat këndvështrimi jo i zakontë dhe detajet e veçanta.

Pas ‘heshtjes’ së Kinostudios, duket se heshti edhe Liri Brahimi…. Ajo është tërhequr tashmë në një kënd ku mund të kuvendojë qetësisht me veten, larg shesheve të xhirimit e larg kameras. Të shkruarit është kthyer për të në një pasion të ri, të pazëvendësueshëm. Pas librit të parë të saj me kujtime, “Unë dhe filmi”, ajo ka sjellë librin e dytë me kujtime “Boceti i filmit”. E ka titulluar kështu sepse vërtet ëndërronte të realizonte një film mbi emigracionin shqiptar në Itali të ballafaquar me kohën e kapitullimit të ushtrisë italiane në vitin 1943 dhe bashkimin e një pjese të ushtrisë italiane me forcat partizane duke krijuar batalionin “Antonio Gramshi”. Por iu desh ta braktisë idenë e këtij filmi dhe iu rikthye shkrimit të një libri sipas këtij boceti, duke risjellë kujtime personale nga ikja si emigrante në Itali apo dhe kujtimet e jetës së saj si regjisore në Kinostudio.

Mes shumë kujtimeve që ngërthejnë thuajse gjithë jetën e saj, në këtë libër ndalemi tek ky episod që cekëm pak më lart, ëndrrën dramatike të shqiptarëve për tu pasuruar brenda natës, piramidat famëkeqe që rrënuan ekonomitë e brishta të tyre.

***
Por, si vjen imazhi i firmave piramidale në këto kujtime të regjisores Liri brahimi?
Ajo kujton:
Në mendim e sipër, duke ecur në rrugët e Tiranës, pashë shumë njerëz që ishin rreshtuar nëpër sportele. U afrova dhe pyeta se çfarë shitet.
- Jo, - më tha një grua, - është diçka më e bukur se sa kjo që mendove. Ajo, me një frymë m’i shpjegoi të gjitha. Dhe unë, e mbarsur me eufori, sapo mbërrita në shtëpi, nisa t’i shpjegoja burrit: - Do të jap një lajm të gëzuar, që është më i bukuri në ditët e demokracisë. Janë hapur arka kursimi dhe kushdo që depoziton para, vetëm për një muaj, fitimin e ka dyfish.
- Nuk të kuptoj, fol më qartë!

- Po ja, ec dhe depozito vetëm për një muaj një mijë lekë, kur të kalojë muaji, fitimin e ke dyfish - dy mijë lekë.
- Është e pamundur!
- Uf! Aty po e gdhijnë njerëzit gjithë natën, që t’i depozitojnë kursimet e tyre: pleq, plaka, të paralizuar, lypsa, i gjithë populli, vetëm që paratë e tyre t’i bëjnë dyfish. E shikon Irakli sa bukur mendoi parlamenti shqiptar! Vërtet nuk na dhanë më rrogë, por shiko se çfarë lehtësie na sollën nga krahu tjetër! Mirë i thonë asaj shprehjes: “Zoti me një dorë të hedh, por ama me tjetrën të pret...”.
- Nuk arrij ta kuptoj, dhe logjika nuk ta pranon. Në një dramë zgjidhja e pikës kulminante ka forma të ndryshme, por ka edhe një zgjidhje që quhet “Deus ex machina” - zgjidhje nga lart. - Edhe puna e parave, mos ka një zgjidhje të këtillë?! - tha Irakliu…..

Mandej regjisorja i kthehet një çast atmosferës dhe perceptimit të saj në rradhët e njerëzve. Çfarë pasurish kishin shqiptarët? Çfarë kursimesh, çfarë depozituan ata?

“Të gjithëve juve ju kujtohen ata njerëz që shitën shtëpitë me gjithë mobilim dhe për një muaj u strehuan te familjarët e tyre”, shkruan regjisorja në librin e saj, dhe kujton: “Një natë, në lajme, një qeveritar foli fjalë premtuese për firmat. Ai, midis të tjerash, theksoi: “Janë para me duar të pastra”. Ky llaf i qeverisë i vuri vulën, dhe si përfundim populli nisi të ecte drejt arkave. Unë dhe Irakliu nxorëm çantën e zezë dhe i futëm të gjitha kursimet tona, bile vumë edhe paratë e filmit që do të xhironim për pesë gratë.

- Irakli, mos mbaj asnjë rezervë, vëri të gjitha, problemi është vetëm një muaj!
Të dy bashkë i depozituam lekët tona në të gjitha firmat: “Sudia”, “Xhaferri”, “Populli”, “Vefa”.
Por... të gjithëve na kujtohet tragjedia e parave, vjedhja e popullit.
Spikeri mundohej të justifikonte se qeveria nuk di asgjë...

Rrëqethje të ftohta ma përshkuan trupin. U tmerrova kur dëgjova zërin e spikerit në televizor. Më shpërthyen rënkime të dëshpëruara dhe të papërmbajtura që shungullonin. Ç’do të thotë kjo që na e plasën si një bombë përpara syve?! O zot, kushedi sa jam zverdhur në fytyrë! Na gënjyen! Qeveri e poshtër! E ligë! Jo, jo nuk besoj më kurrë! Irakliu u turr te dollapi, hapi çantën, nxori faturat. Po i numëronte. Zëri i spikerit: “Nuk dihet kush i ka vjedhur...”.
Ulërimat e mia:
- I keni vjedhur ju vetë?!...
Irakliu:
- Janë katër firma.
Spikeri: “Qeveria...”.

Çfarë ndodhi mëtej…? Si e kujton regjisorja pasojet e këtij mashtrimi kolektiv? Pas kësaj mbërriti tragjedia….
Regjisorja Brahimi kujton:
“Tani jeta nuk është më e lirë, tani të kërcënon. Lajmi ka ngjyrën e zezë që të bën të dridhesh si në një qeli. Lajmi është si ajo kafka e vjetër e groposur dhe që papritur shpërthen nga thellësia. Ishte pantera. Populli u drodh, u zvogëlua, u mblodh sa një grusht, u mbyll në guaskë ... dhe hiç, asgjë!...
Por papritur koha u prish... Shpërtheu furtuna. Populli u hap, doli nga guaska... Dukej sikur kambanat binin pa pushim dhe lajmëronin për vdekje njerëzish. Nisi tragjedia, shpërthyen depot e armatimit.

Populli shpërtheu në luftë. Çdo ditë dëgjonim gjëma dhe ulërima poshtë penxheres tonë. Sa shumë të rinj që po vriteshin! Varrezat u mbushën plot, pra, tani doli problemi që terreni i varrezave u mbarua i tëri. Nisën të hapin toka të reja, të cilat, çdo ditë mbusheshin me të vdekur. Unë, burri dhe Irda, ishim mbyllur brenda. Aty në kuzhinë, poshtë tavolinës së bukës, kishim vendosur një dyshek. Irakliu mbante pranë vetes ditarin, kurse Irda kishte mjetet e pikturës bashkë me tabakët e letrave. Edhe telefonin e kishim afruar aty poshtë. Ishte i vetmi mjet komunikimi, sepse Televizioni Shqiptar nuk funksiononte. Por ishim me fat sepse luftën në Shqipëri po e filmonte dhe e transmetonte Televizioni Italian. Ne ishim me fat. Për çdo gjë që ndodhte na lajmëronte menjëherë Anila. Dita nuk dallohej nga nata. Brenda ishte vetëm errësirë e plotë dhe ajri i rënduar. I kisha mbyllur mirë portat dhe penxheret. Dy fatkeqësi të mëdha na qëndronin pranë: paratë na i vodhën dhe tani na kërcënojnë edhe për vrasje... Popull i pafat! Irakliu u ngrit nga poshtë tavolinës për të marrë një libër në bibliotekë. Mos, shpejt, sepse breshëritë e plumbave bënin një kryqëzim të tmerrshëm nga të dyja drejtimet. Sa bukur po pikturonte Irda, me pasion dhe ndjenjë: kafka të vdekurish!... M’u mbushën sytë me lot. Gjithmonë e ruaj në kornizë këtë picture…


Regjisorja e dokumentarëve

Liri Brahimi, regjisorja e dokumentarëve siç e quajnë sot, e nisi karrierën me filma artistikë. Për 10 vjet punoi me këmbëngulje e pasion në 15 filma artistikë, si “Kapedani”, “Operacioni zjarri”, “Mimoza llastica”, “Shpërthimet”, “Ndërgjegja”, “Tinguj lufte”, etj... Por duket se filmi dokumentar e ka joshur më tepër... Ajo kujton sot se i ka pëlqyer të xhirojë filma dokumentarë... “Për vite me radhë fiksova portrete heronjsh, mjekësh, shkrimtarësh dhe artistësh; u futa në botën e brendshme të fshatares, zbërtheva fytyrat e zbehta të fshatarëve në Lekebibaj, ku mbartnin me kotruve ujin dy orë larg.

Jetova ankthet e djemve të rinj në Minierën e Memaliajt, që zbrisnin me kovë pesë nivele nën tokë dhe që kishte raste të mos dilnin me në sipërfaqe...” Regjisorja kujton xhirime nga më të ndryshmet, me avion, nëndetëse me silura, dhe Katera. “Njoha të gjitha armët moderne; njoha dhe xhirova natyrën aq të bukur të vendit tim, nga Tamara, Vermoshi e gjer në Vukël të Kelmendit. Një natyrë e ashpër, me male tepër të lartë, që ngriheshin si apartamente, me stalagtite e stalagmite në dimër dhe me dhjetra ujëvara të mahnitshme dhe plot lule mali gjithësojshe në verë”.

Për të dokumentari ishte jetë, jetë plot larmi: me dramaticitet, gëzime, varfëi, personazhe nga më të larmishmit. “Fiksova një copëz të historisë së popullit tim nën diktaturë. Kam xhiruar 25 filma dokumentarë, shumë kronika dhe suzhete, 15 filma artistikë si regjisore e dytë. Pra fiksova pjesë të historisë së popullit tim të lashtë, histori të cilat jetojnë në kujtesën time, histori që më kalitën dhe më dhanë forcën të kuptoja se kush ishte diktatura”.


Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 26 mars 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Këngëtarja italiane Giusy Ferreri koncert në Tiranë: E lumtur që rikthehem, të rinjtë të jenë autentikë

Këngëtarja italiane Giusy Ferreri koncert në Tiranë: E lumtur që rikthehem, të rinjtë të jenë autentikë