Regjistrimi i listave, KQZ: 'Afati
skadon sot' PD: U dogj mbrëmë

Regjistrimi i listave, KQZ: 'Afati<br />skadon sot' PD: U dogj mbrëmë
TIRANE- Ka skaduar apo jo afati për regjistrimin e listave të kandidatëve për deputetë?

Përgjigjen e dha sot KQZ, sipas së cilës afati i fundit është sot në mbrëmje data, 29 prill 2017. 

Zëdhënësja Drilona Hoxhaj tha se partitë kanë kohë deri në mbrëmje për të kryer regjistrimin duke rrëzuar kështu një përpjekje të Partisë Demokratike për ta nxjerrë si të pavlefshëm këtë proces.

"Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqaron opinion publik se, në bazë të nenit 67 të Kodit Zgjedhor, afati i regjistrimit të listave shumëemrore të kandidatëve të partive politike, të regjistruara si subjekte zgjedhore për zgjedhjet e datës 18 qershor 2017 është “jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve”.
Bazuar në rregullimin e mësipërm ligjor dhe në praktikën shumëvjeçare të KQZ, afati 50 ditë përpara datës 18 qershor 2017 korrespondon me datën 29 prill 2017.
Referuar nenit 67 të Kodit Zgjedhor, partitë politike duhet të depozitojnë listat shumëemërore në KQZ, jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve. Afati 50 ditor para ditës së zgjedhjeve referuar nenit 125 të Kodit Zgjedhor, llogaritet duke përjashtuar ditën e zgjedhjeve.
Kjo mënyrë përllogaritje e afateve është tashmë një praktikë e ndjekur në të gjitha proceset zgjedhore të mëparshme dhe është zbatuar edhe në lidhje me përcaktimin e datës 10 prill 2017 si data e fundit për regjistrimin e subjekteve zgjedhore që do të marrin pjesë në zgjedhjet e datës 18 qershor 2017, apo të datë 19 prill, si data e fundit për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore.
Data 29 prill, si data e fundit për regjistrimin e listave shumëemrore të kandidatëve të partive politike pjesmarrëse në zgjedhjet për Kuvendin 2017 është datë e deklaruar prej kohësh dhe e pranuar publikisht me veprime konkludente nga të gjitha forcat politike në vend, disa prej të cilave kanë edhe përfaqësues të përhershëm në mbledhjet e KQZ"
.

Kjo deklaratë e KQZ vjen pas deklaratës së PD që u shpreh sot se afati i regjistrimit ka përfunduar mbrëmë në orën 00:00.

Ndërkaq PS dhe LSI mbyllin sot listat përfundimtare me kandidatët për deputetë.



Bylykbashi: Skadoi afati
"Afati i regjistrimit të listave të deputetëve në KQZ ka përfunduar që në mesnatë, çdo regjistrim që bëhet sot është i paligjshëm", është shprehur Oerd Bylykbashi.

Deputeti demokrat ka nënvizuar sot gjate nje konference per shtyp se çdo tentativë për të ndryshuar Kodin Zgjedhor është e paligjshme.

"Në 28 prill në mesnatë ka përfunduar afati i regjistrimit të listave, çdo regjistrim do ishte shkelje ligji. Kodi Zgjedhor është shumë i qartë: listat regjistrohen jo më vonë se 50 ditë nga data e zgjedhjeve! Dita e 50 është data 29 në orën 00:00. Çdo regjistrim që bëhet sot, do të ishte i paligjshëm. Nëse e bën KQZ dhe askush tjetër nuk ka asnjë mundësi ligjore për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, për të ndryshuar rregullat dhe nëse e bën do të jetë haptazi jo vetëm në një paligjshmëri por në një veprim të njëanshëm partizan që nuk është aspak çudi sepse deri më sot ka treguar qartazi qëndrimin e tij, por do ishte paligjshmëri e hapur. Nga dita e sotme KQZ e askush nuk regjistron dot më lista ose më saktë, nga mbrëmë në mesnatë, ka përfunduar ligjërisht afati", tha Bylykbashi.

Bylykbashi deklaroi se ligjërisht ka rënë edhe dekreti i presidentit ndërsa tha se e vetmja mënyrë që shqiptarët të votojnë të lirë është të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

"Pra, përveçse politikisht, edhe ligjërisht kjo farsë ka mbaruar që u quajt zgjedhjet e dekretuara të datës 18 qershor. Ligjërisht ka rënë edhe dekreti i presidentit. E vetmja mënyrë që shqiptarët nga sot e tutje të votojnë të lirë në zgjedhje të lira e të ndershme është një marrëveshje gjithëpërfshirëse politike e cila do t'i mundësojë ata në një moment tjetër të votojnë me kushte të tjera dhe jo me këto që imponon kjo maxhorancë", tha ai.

Këtë paradite zyra e shtypit të Partisë Demokratike lajmëroi se kjo forcë do të ketë një njoftim të rëndësishëm për të bërë.



Kaso: Dita e 50-të duhet të jetë bosh, nuk bëhet asnjë veprim ligjor
Edhe pas deklaratës së KQZ që afati i fundit për regjistrimin e listave së deputetëve për zgjedhjet e 18 qershorit është sot deri në orën 00:00, Ivi Kaso, sekretari për çështjet ligjore në PD është shprehur se KQZ ka bërë llogaritjet gabim.
 
I ftuar në studion e Report Tv, Kaso u shpreh se në ditën e 50-të asnjë parti politike nuk duhet të bëjë asnjë veprim ligjor, dhe se afati i fundit ka qenë mbrëmjen e djeshme deri në orën 00:00.  
 
Sipas tij, asnjë subjekt nuk duhet të jetë në fletën e votimit sepse nuk janë regjistruar në KQZ.
 
KQZ i qëndron gabimit që ka bërë më parë. Sot është dita e 50 për regjistrimin e listës së deputetëve, por kjo ditë sipas ligjitd duhet të jetë bosh, pra afati për regjistrimin e listave ka përfunduar mbrëmjen e djeshme në orën 00:00", tha për Report Tv Ivi Kaso.



Ish kreu i KQZ Kume: Partitë kanë afat edhe sot të regjistrojnë kandidatët
Partia Demokratike përmes Ored Bylykbashit njoftoi se mbrëmë ka skaduar afati për regjistrimin partive në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por kjo kundërshtohet nga ish-kreu i KQZ Kristaq Kume.
 
Sipas Kumes sot është afati i fundit që subjektet e regjistruara në zgjedhje të paraqesin listat e deputetëve.
 
“Sipas Kodit Zgjedhor subjektet duhet të paraqesin në zgjedhje listat jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve që do të thotë se jo më vonë se sot. Sot është dita e fundit, sot është dita e 50 . Ora 00:00 është afati i fundit që subjektet që janë të regjistruar të kenë të drejtën të paraqesin listat”, tha Kume në një lidhje telefonike për Report Tv.



Gjata: Afati i listave ka skaduar,por politika s’duhet ta delegojë krizën KQZ
Ish kryetari i KQZ, Çlirim Gjata gjatë një lidhje telefonike për Report Tv i jep të drejtë Bylykbashit kur thotë se afati i regjistrimit të listave të kandidatëve nga partitë ka përfunduar mbrëmë në mesnatë.
 
Por sipas Gjatës problemi më tepër se matematikor është ligjor ndaj politika nuk duhet t’ia delegojë krizën institucionit të KQZ. 
 
“Ka të drejtë Bylykbashi. Kemi të bëjmë me një veprim të thjeshtë matematikor, kushdo e numëron vetë. Numërimi nis nga 17 qershori, pra duhen 50 ditë. Problemi nuk është matematikor por ligjor, në këtë krizë politike që jemi, ajo pjesë e politikës që do të hyjë në zgjedhje por ka problemin që opozita nuk do hyjë kërkon t’ia kalojë institucioneve këtë krizë dhe kjo është e gabuar. Që kur u bë kërkesa për shtyrjen e afatit të koalicioneve dhe KQZ nuk pranoi tregoi nuk ra si institucion por qendror. Politika sajon gjëra të tilla qe ta vë edhe KQZ para faktit të kryer”
, tha Gjata.

kalendari
  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg