Investimet në çdo lagje të Bashkisë së Tiranës kanë prekur edhe banorët e Selitës, të cilët janë përfitues të një blloku të ri banimi, me rrugë të shtruara, ndriçim e trotuare. Ndërhyrja për rikonstruksionin e rrugëve të bllokut të kufizuar nga rrugët “Hamdi Pepa”, “Ilia Dilo Sheperi”, “Visarion Xhuvani”, “Leka i Madh”, ka zgjidhur problemin shumëvjeçar të mungesës së infrastrukturës për banorët e kësaj zone, të ardhur kryesisht pas viteve ‘90.
Përfundimi i punimeve u inspektua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se falë bashkëpunimit mes qeverisë dhe pushtetit vendor, edhe kjo zonë, pas legalizimit të ndërtimeve, po njeh urbanizim, çka sjell cilësi më të lartë jetese për banorët, thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat nga zyra e shtypit në Bashkinë Tiranë.
“Rikthehemi në një zonë totalisht të transformuar. Këtu projekti nuk është vetëm logjistik: asfalt, llaç e tulla, por edhe pak në mentalitet. Kemi bashkuar energjitë: qeveria bën legalizimin, kurse bashkia urbanizimin. Pa legalizim nuk ka urbanizim; pra, është shumë e rëndësishme që fillimisht banorët të marrin hipotekën dhe në fund, pasi të kanë marrë pronën, ne ndërhyjmë në gjithë rrjetin rrugor, kanalizime dhe ndriçim”, u shpreh Veliaj.
Teksa u bëri apel banorëve të bllokut të mirëmbajnë investimin e kryer, kryebashkiaku ftoi qytetarët që të bashkëpunojnë për lirimin e hapësirave, të cilat pengojnë projektet zhvilluese. “Dua të falenderoj, së pari banorët që kanë lënë pak nga territori i tyre i sapolegalizuar për t’ia dhënë bashkisë për trotuaret. Qytetarët duhet të kuptojnë se në fakt trotuari nuk është i bashkisë, por një barrierë sigurie për ata dhe fëmijët e tyre. Kur kemi ardhur këtu ka qenë një monopat i ngjashëm me një shteg dhish dhe rrëketë e lumenjve që vinin nga kodrat. Sot është dita me natën”, nënvizoi Veliaj.
Kreu i Bashkisë tha se qytetarët duhet të regjistrojnë adresën e saktë të vendbanimit, në mënyrë që zona të përfitojë nga shpërndarja më e mirë e fondeve dhe e investimeve.
“I ftoj banorët të vijojnë me regjistrimin në zonë. Sot janë të gjithë qytetarë të Tiranës dhe duhet të regjistrohen këtu. Fakti që marrim taksa nga pjesa e vjetër e Njësisë 5 për t’i sjellë në zona ku vetëm së fundi, pas legalizimit, ka filluar të paguhet pak taksë prone, do të thotë se automatikisht Bashkia e Tiranës i ka privilegjuar. Tani ka ardhur koha që edhe ata të sillen si qytetarë të Tiranës dhe të bëhen pjesë e kësaj bashkësie që paguan diçka modeste, por në fund fare kontribuon në të mirën e përbashkët”, tha ai.
Veliaj bëri të ditur se nga 17 shkolla të reja që do të ndërtohen, 3 prej tyre janë vetëm për Njësinë 5, duke sjellë një rritje të standardit dhe të cilësisë së mësimdhënies për fëmijët e zonës. “Disa nga vendimet më të rëndësishme për zonën do të jetë fillimi i shkollave të reja. Shkolla e parë që do të fillojë do të jetë afër Parkut Olimpik dhe besoj se edhe një nga problematikat e fundit që kemi, për sa i përket bashkisë në këtë zonë, shfryrja e klasave me dy turne, do të vijojë me shkollat e reja. Në total, do të jenë 17 shkolla të reja dhe vetëm për Njësinë 5, kemi 3 të tilla”, nënvizoi Veliaj.
Ministri për Diasporën dhe njëkohësisht deputeti i zonës, Pandeli Majko u shpreh se tashmë e gjithë zona është transformuar tërësisht. “Këtu kemi gjetur një fshat monopat dhe e kemi kthyer në një qytet të një standardi më të lartë. Këtu nuk është bërë thjesht shtrimi i rrugës apo rregullimi anësor i saj, por janë bërë edhe muret rrethuese dhe i kanë dhënë një pamje standardizuese gjithë rrugës, duke e kthyer atë ndoshta në pjesët më të bukura të Tiranës”, deklaroi Majko.
Blloku i rehabilituar kufizohet nga Rr. “Hamdi Pepa”, Rr. “Ilia Dilo Sheperi”, Rr. “Visarion Xhuvani”, Rr. “Leka I Madh” dhe ka një siperfaqe prej 21,2 Ha. Ndërhyrja është kryer jo vetëm në shtrimin me asfalt të rrugës, por edhe me rrjetin e ri të ujësjellës-kanalizimeve, ndriçim, trotuare, ndërkohë që muret janë të veshura me pllaka dekorative guri dhe kangjella.
..hiq Gardhet dhe Muret Abuzive..,qe i kane Shtyre deri ne Ekstrem te Rruges se Makines..,dhe kane zene Trotuarin e Kambesoreve
PërgjigjuBravo ministri per Diasporwn qe kujtohet per Selitwn qe ka nxjerre koka te Diaspores. Majko, eja edhe ketej nga Qesarake se brenda tagrit te.ministrise temde eshtw. Edhe ketu kemi diasporsa.
Përgjigju