Numri më i madh i emigrantëve shqiptarë nëpër botë po shton çdo vit e më shumë remitancat. Në vitin e kaluar është regjistruar një tjetër rekord, pasi emigrantët sollën në Shqipëri përmes kanaleve formale (transferta) mbi 1.1 miliardë euro shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Në krahasim me vitin 2024, rritja ishte rreth 74 milionë euro.
DËRGESAT E EMIGRANTËVE
Viti 2024 1,045 mln euro
Viti 2025 1,119 mln euro
Diferenca +74 mln euro
Referuar shifrave të Bankës së Shqipërisë në tremujorin e fundit të 2025-ës, që përkon me festat e fundvitit, është kapërcyer për herë të parë edhe pragu prej 300 milionë euro, pasi për muajit tetor-nëntor-dhjetor 2025 erdhën në total si remitanca 302 milionë euro.
REMITANCAT NË TREMUJOR
Tetor-Dhjetor 2024 273 mln euro
Tetor-Dhjetor 2025 302 mln euro
Diferenca +29 mln euro
Ndikim në këtë rritje të shpejtë në shifra, jep edhe hyrja në SEPA. Prej 7 tetorit 2025 çdo pagesë që vjen në llogarinë e një qytetari apo biznesi në vend nuk ka komision më të lartë se 3 euro, pavarësisht vlerës që ka. Pra për të gjitha remitancat që vijnë në Shqipëri kostoja nuk është më shumë se 3 euro.
Gjithsesi dërgesat e emigrantëve janë edhe më të larta se këto vlera të publikuara nga banka qendrore, nëse vlerësojmë edhe miliona euro që vijnë në vend cash, sidomos në periudha kur emigrantët kthehen në vend për pushime apo festa të ndryshme.
“Gjatë periudhës u evidentua zgjerim i dërgesave si përmes kanaleve formale, ashtu edhe në formë cash, duke reflektuar besim të qëndrueshëm të emigrantëve në ekonominë vendase”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.
Volumi i lartë i remitancave që vjen kryesisht nga Italia, Greqia, Gjermania dhe SHBA-të, ka ndikuar në uljen e nivelit të varfërisë, por ato janë goditur nga kursi i këmbimit.
Monedha evropiane është tkurrur me rreth 30% brenda një dekade. Nëse në vitin 2015, euro këmbehej me deri 140 lekë, vlera e saj ka zbritur në 96 lekë, duke zhvlerësuar direkt edhe vlerën e remitancave, kur kthehen nga euro në lekë.
Komente










Fiks prej besimit te madh te ekonomia shqiptare i dergojm leket ne shqipri ne emigrantet, interpretim super i sakt nga banka shqiptare. I dergojm per familjaret q i ka len shteti pa buk o hunj q drejtoni institucione financiare q kush iu ka len me drejtu
Përgjigju