Konsumi i popullatës ka shfaqur shenja gjallërimi në vitin 2018, duke reflektuar efektet e rritjes së ndjeshme të numrit të turistëve që vizitojnë vendin. Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e tretë të vendit, konsumi i popullatës u rrit me gati 4%, që është niveli më i lartë që nga tremujori i dytë i vitit 2016. Që prej vitit 2011, kur INSTAT raporton të dhënat, konsumi ka shënuar luhatje të mëdha, duke kaluar negativ në disa muaj të vitit 2015, në linjë me ngadalësimin e aktivitetit ekonomik.
Ndërsa në 2018-n, blerjet në vend kanë qenë më të qëndrueshme, të nxitura dhe nga gjallërimi i aktivitetit të turizmit në vend, teksa Shqipëria u kthye në një destinacion të preferuar të europianëve dhe jo vetëm. Turistët kanë shpenzuar për hotele, ushqime, pije, udhëtime, argëtim, apo dhe për blerjen e suvenireve të vendit të shqiponjave.
Sipas INSTAT, numri i vizitorëve të huaj që zgjodhën Shqipërinë për të pushuar u rrit me rreth 16 për qind në 2018-n, në raport me një vit më parë. Gjatë vitit 2018 rreth 5.6 milionë shtetas të huaj e vizituan vendin tonë për qëllime pushimi nga më shumë se 4.6 milionë turistë që erdhën më 2017.
Të dhëna të tjera të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë tregojnë në periudhën janar-shtator, të huajt kanë sjellë në vend 1.47 miliardë euro, niveli më i lartë rekord i regjistruar ndonjëherë. Në raport me një vit më parë, kjo shumë është rritur me 12%. Vetëm në tremujorin e tretë, që përkon me kulmin e sezonit turistik në vend, turistët dhe të huajt shpenzuan në vend 863 milionë euro, me një zgjerim prej 16% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Për 9-mujorin, bilanci i udhëtimeve ka qenë pozitiv për Shqipërinë, me të ardhurat neto që kanë mbetur në vend prej 359 milionë eurosh, me një rritje vjetore prej 6%. Ky bilanc është rritur me shpejtësi, që nga 2013-a kur ai ishte negativ (d.m.th. shqiptarët shpenzonin më shumë jashtë sesa të huajt tek ne), duke reflektuar rritjen e shpejtë të turistëve.
Shtimi i turistëve nga ana tjetër po nxit dhe investimet në këtë sektor. Edhe sezoni turistik është zgjatur, pasi prenotimet fillojnë që nga maji deri në tetor. Sipas INSTAT, Kosova vijoi të jetë furnizuesi kryesor i turizmit ku përgjatë vitit të kaluar mbi 1 milionë shqiptare nga ana tjetër e kufirit pushuan në Shqipëri, me një rritje 19% në raport me vitin 2017.
Turizmi patriotik vijon të furnizojë tregun vendas, pasi shqiptarët që jetojnë në Maqedoni janë grupi i dytë më i madhe i turisteve me rreth 680 mijë vizitore më 2018, po me një rritje të zbehtë vetëm 1.4 për qind në raport me vitin 2017. Më pas renditen shtetasit nga Italia, Greqia e mali i Zi.
Edhe pse numri i vizitoreve nga Shtete e Europës Perëndimorë është ende i ulët, rritja më e madhe e vizitoreve është shënuar për polakët. Gjatë vitit 2018 numri i turistëve nga Polonia është rritur me 34.2 për qind në krahasim me një vit më parë. Vendin e vizituan 153,7 mijë polakë. Rritja me ritme të përshpejtuar e turistëve nga Polonia po rrit gjithnjë e më shumë peshën e tyre në numrin total te vizitorëve./monitor/