Rekordi i Mesharit, vizitohet nga
3 mijë vetë brenda 6 orëve

Rekordi i Mesharit, vizitohet nga <br />3 mijë vetë brenda 6 orëve
TIRANE - Rekord vizitorësh për “Mesharin” e Gjon Buzukut në Bibliotekën Kombëtare. Nëndrejtoresha e këtij institucioni Etleva Domi tha për Shqiptarja.com se vetëm ditën e 28 nëntorit librin e rrallë e kanë vizituar plot 3 mijë vetë, nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 14:00.

“Interesi ka qenë i jashtëzakonshëm, qindra shënime janë lënë në librin e përshtypjeve që nga kryeministri e deri tek nxënës shkollash. E kanë vizituar të gjithë grupmoshat dhe sidomos nxënësit e shkollave”, thotë Etleva Domi, duke shtuar se së shpejti do të publikohet edhe një statistikë e saktë e vizitorëve që nga dita e parë e ekspozimit me 12 nëntor 2012.

Ndërkohë për të gjithë vizitorët është afishuar në posterin e madh se Meshari do të qëndrojë në Bibliotekën Kombëtare ende edhe për disa ditë të tjera.

Njoftimi i parë, me ardhjen e librit të rrallë në Bibliotekën Kombëtare thoshte se Meshari do të ekspozohej deri me 28 nëntor. Por njoftimi i ri i afishuar, e shtyn datën e fundit me 5 dhjetor. “Duke parë interesin e madh që patën vizitorët për të parë nga afër Mesharin e Gjon Buzukut, u vendos që të mbahej i ekspozuar deri në datën 5 dhjetor në mbrëmje. Përveç ditës së shtunë e të dielë, kur oraret e vizitave do të jenë nga 8:00 deri në 14:00, ditët e tjera, libri i rrallë mund të vizitohet nga ora 8:00 deri në 20:00, madje edhe në datën 5 dhjetor Meshari do të jetë i ekspozuar deri në mbrëmje”-tha nëndrejtoresha e Bibliotekës Kombëtare Etleva Domi.

Libri mbërriti për herë të parë pas pesë shekujsh në Shqipëri në 11 nëntor dhe u prit në aeroportin e Rinasit e më tej u shoqërua për në Bibliotekën Kombëtar nën masa të rrepta sigurie. Në Bibliotekën Kombëtare, u ekspozua së bashku me një kopje të fotografuar të tij të vitit 1929 nga At Justin Rrota, ndërsa në sallë përkrah tij u ekspozuan libra të tjerë të rrallë të autorëve të vjetër të shqipes, si Pjetër Budi, Frang Bardhi, Lekë Matrenga, etj.

Ekzemplari unik i Mesharit të Gjon Buzukut, vepra më e lashtë në gjuhën shqipe u bë e mundur të ekspozohej në Shqipëri me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, pas kërkesës që ju bë Bibliotekës Apostolike të Vatikanit nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Meshari u zbulua për herë të parë në Vatikan nga Gjon Nikoll Kazazi më 1740. Deri më atëherë nuk dihej asgjë rreth tij. Por edhe pas këtij zbulimi, për afro dy shekuj libri i rrallë sikur humbi në harresë, derisa në vitin 1909, kur u rigjet nga Pal Skiroi.

Ndërsa në vitin 1929 At Justin Rrota nga Shkodra, e fotografoi për herë të parë në tre kopje dhe i shpërndau.

Më 1968 “Mesharit” iu bë një (ri)botim shkencor në Tiranë me faksimile dhe trasnskribim, paisur me një studim të gjerë nga profesor Eqrem Çabej, ndërsa ekzemplari unik i tij, dergjej ende në arkivat e Vatikanit.

I botuar më 1555, Mesharit i mungojnë disa të dhëna si përshembull vendi ku u botua. Kjo pasi librit i mungojnë 16 faqet e para bashkë me ballinën.

“Meshari” është shkruar me alfabetin latin me shkronja të tipit gjysmëgotik, i zakonshëm në atë kohë në Italinë e Veriut. Dhe për tingujt e shqipes që nuk i ka latinishtja, janë përdorur dhe pesë shkronja të posaçme, të ngjashme me ato të alfabetit cirilik.

Rëndësia e tij është e jashtzakonshme, jo vetëm për historinë e gjuhës tonë, por për gjithë kulturën e kombit.

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi