Remo Girone: Ndryshoj nga
Placido, është martuar 25 herë

Remo Girone: Ndryshoj nga<br />Placido, është martuar 25 herë
Remo Girone, aktori i mirënjohur italian ka udhëtuar gjithë natën dhe ka mbërritur dje në mesditë në Tiranë për të qenë prezentë në mbrëmjen “Gala” të festivalit të 13-të të filmit shqiptar si i ftuar nderi. Girone, aktori që u bë i famshëm në Shqipëri me personazhin e kryemafiozit Tano Karidi në filmim “Oktapodi” u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve dje në konferencën për shtyp në orën 13.00 me një karizëm interesante, batuta të bukura dhe të qeshura të forta. Nuk kanë munguar batutat për kolegun e tij Michele Placido, Katanin, për marrëdhëniet me gratë “që është martuar 25 herë” dhe për marrëdhënien e tij besnike me bashkëshorten Viktorian, me të cilën nuk është ndarë prej 30 vjetësh që nga dita e martesës. Girone nuk ngurron të rrëfejë sesi e ka luajtur Tano Karidin, rolin për të cilin shqiptarët e vlerësojnë dhe e adhurojnë, ku tregon se filmi i ka paraprirë kritikës mbi mafian italiane, para se faktet të bëheshin të njohura nga media. Në fund Remo Girone bëri edhe fotografi me të gjithë gazetarët shqiptarë. Ndërsa dje në mbrëmje Remo Girone ishte në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Festivalit të 13-të të filmit Shqiptar në Teatrin e Operës dhe Baletit, ku ishin të pranishëm një varg personazhesh të njohura nga fusha e artit dhe politikës.

Keni qenë ndonjëherë tjetër në Shqipëri. Sa e njihni ju kinemanë shqiptare?

-Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe nuk kam pasur njohuri për shumë gjëra nga Shqipëria dhe nga kinematografia shqiptare. Njoh një pjesë të atyre që kanë origjinë shqiptare dhe një vend që quhet Piana de Albanezi dhe aty ndodhen ata. Ardhja ime u mundësua nga një ftesë e Qendrës së Filmit dhe drejtorit të festivalit të Giffon-it, zoti Klaudio Gubitosi, i cili më sugjeroi që të vij në Shqipëri.

Shqiptarët ju kanë dashur, duke ju urryer në film. Si mundët ju ta realizonit aq bukur rolin dhe sa i keni njohur nga afër krerët e mafies italiane në atë kohë?
-Dua të them se ky ishte një problem më i madh për skenaristët sesa për mua si aktor në atë kohë. Unë kam qenë një personazh shumë i njohur, sidomos mbas serisë së katërt të “Oktapodit”. Atëherë ishte hera parë që në një film në Itali shihej historia e mafies në nivelin ku komandoheshin gjërat nga krerët financierë që janë lidhur me botën e mafies. Mendoj se personazhi ishte shumë interesant sepse kishte karakteristikat humane dhe nuk ishte jonjerëzor. Dhe në një pikë mund të themi se ishte edhe i mirë. Për mua për t’ju përgjigjur pyetjes suaj është një gjë interesante, sepse ato që tregonin në film ishin shumë të lidhura me realitetin. Të gjitha seritë që vinin para serisë së filmit Mani Pulite, nuk e di nëse e njihni apo jo. Pra mund të them pas filmit Mani Pulite gjërat vinin edhe më të qarta. Seritë e filmit vinin para publikimit të fakteve në gazeta. Pra, më përpara ekzistonin seritë, por gjërat nuk mund të thuheshin shumë qartë sepse faktet nuk mund të dilnin nëpër gazeta. Pas këtij episodi, faktet filluan të nxirreshin edhe nëpër gazeta dhe ishte e mundur për ne të tregonin këto fakte në seriale. Pra, mund të them se disa seri të “Oktapodit” kalonin në censurë. Mbaj mend që shumë ndryshime bëheshin edhe në dublime. Pra një personazh që ishte deputet, bëhej një ish-deputet. Mund t’ju tregoj një episod. Njëherë u xhirua një skenë në Pallatin e Andreotit, ku ai kishte zyrën. Pra, xhirohej skena e një mafiozi që takonte një politikan. Dhe e gjitha skena u hartua në plan të parë, në mënyrë të tillë që të mos dallohej se ku po xhirohej (Qesh).

Pse ju ndoqi gjithmonë roli i personazhit negativë?

-Është e vërtetë që shpeshherë më kanë caktuar personazhe negative, por jo vetëm të tilla. Të them të drejtën, të luajturit e personazhit negativ nuk ka qenë ndonjëherë problemi im, ai ka qenë problemi i regjisorit apo producentëve që më kanë zgjedhur për këto role. Për shembull, tani unë kam bërë dy filma për kinemanë, njëri është për emigrimin dhe tek ky film unë recitoj bashkë me gruan time pjesën e një emigranti italian që do të kthehet në vendin e tij. Pastaj kam bërë një film tjetër ku isha një gjysh i lezeçëm dhe tani do bëjë një film tjetër që quhet komik, “Mirëdita president”.

Për çfarë flet ky film?

-Filmi “Mirëdita President” është një komedi mbi politikën italiane. Duhet të sjellin një president të ri për shtetin dhe rolin e këtij e bën Andrea Molaioli. Ka shumë ndryshime në karakter roli që kam unë. Ka ca skena humoristike, sepse në parlament janë duke u bërë zgjedhjet dhe njëri propozon Xhuzepe Garibaldin për president. Dhe i thotë njëri: “Ky ka vdekur!”. “Pikërisht.”, i thotë ai tjetri. “Epo atëherë le të gjemë një emër që quhet Xhuzepe Garibaldi. Dhe fakti ishte për të qeshur se aty kishte vërtetë një njeri që kishte emrin Xhuzepe Garibaldi. Pra, roli im në këtë film është drejtori i shtypit në Pallatin e Presidentit. Për të përfunduar me këtë pyetje, dua t’ju them se kinemaja tani e sheh me një sy kritik politikën, por jo politikën në përgjithësi, por politikën italiane, sepse tani kohët e fundit kemi pasur disa skandale, disa gjëra që ne i tregojmë në film. Pra, filmi nuk është kundër politikës në përgjithësi, por mënyrës së të bërit politikë në Itali.

A ka filma të tjerë që demaskojnë mënyrën e të bërit politikë në Itali?

-Ka. Për shembull është filmi “Gomora” dhe “Vivo”. Në qoftë se i keni parë janë të dy filma që denoncojnë situatën aktuale në Itali. Unë nuk e di nëse e keni parë atë episod ku flitet mbi financën dhe skandalin që lidhet me krizën ekonomike amerikane...dhe ky film është bërë më përpara krizës së Amerikës dhe përfshin botën. Filmi do të denoncojë faktin, dhe është më i butë, nuk është aq i ashpër, domethënë nuk jep një këndvështrim të drejtë apo ta gabuar, por ka nuanca dhe përputhje me realitetin dhe realiteti kështu është.

A e keni pasur të vështirë të kaloni nga një rol mafiozi në role humoristike?
-Këto rolet “serioze” më kanë bërë pak dëm në fakt, sepse jo vetëm tek “Oktapodi”, por edhe në një farë periudhe kam bërë shumë role dramatike. Por unë kam bërë edhe komedi. Për shembull, komedia “Lule Kaktusi” ku unë aktroj ka qenë një sukses i madh. Pra me këtë komedi, unë kuptova se është bukur t’i bësh njerëzit për të qeshur. Por..., edhe që është po aq e vështirë ta bësh sa rolet serioze. Mendoj që në profesionin tim ka disa gjëra që të vijnë të thjeshta dhe ka disa gjëra që janë një çikë të vështira. Mua më pëlqejnë gjërat e vështira.


Ju arritët të bëheni mjaft i suksesshëm. Sa e vështirë është ta mbash suksesin?

-Është shumë e vështirë ta mbash suksesin. Në radhë të parë vështirësia më e madhe është për ata që më ofrojnë role. Unë zgjedh njërin. Në radhë të parë lexoj rolin, pastaj shoh edhe regjisorin kur bëhet fjalë për role në teatër. Ndërsa kur bëhet fjalë për role në kinema në fillim lexoj rolin, pastaj shoh nëse është personazh i rëndësishëm apo jo në historinë që do të tregohet dhe pastaj, meqenëse gjithmonë ka shumë rëndësi edhe regjisori, unë shoh edhe se cili është regjisori. Ndonjëherë arsyetoj se kur regjisori është shumë-shumë i famshëm, ia vlen që të merren edhe role më të vogla, ose kur regjisori nuk është dhe aq i famshëm, mendoj se është mirë të merret një rol i fortë. E rëndësishme është të merret një rol i mirë, por nuk është gjithmonë e thënë që me rolin e mirë të kesh sukses. Prandaj në rastin e një regjisori shumë të mirë, shkurt ia vlen të jesh në role.

Michele Placido me rolin e Katanit, së paku këtu në Shqipëri, i ka bërë për vete gratë. Po ju vetë ç’marrëdhënie kemi me gratë?

-Unë ndryshe nga Michele nuk jam martuar 25 herë. Unë jam martuar prej 30 vjetësh me Vitorian dhe ka ndodhur vetëm njëherë. Dhe kjo më krijon shpesh situata humori me gazetarët. Kur na bëjnë ndonjë fotografi bashkë më thonë: “Po ne këtë fotografi e kemi...” (qesh). Më vjen keq do të doja të jepja material për revistat gossip, por unë nuk kam si Michele disa gra dhe disa fëmijë me gra të ndryshme. Pra, tek nuk ka periudha në jetën time që të jetë një mundësi e tillë. Por, mund t’ju them se e kam pasur këtë mundësi adhurimi vetëm në një rol tek “Oktapodi” ku burri kishte shumë fuqi, shumë pushtet dhe e di që grave iu pëlqen kjo gjë, pushteti dhe fuqia. Prandaj mund të them se isha i suksesshëm. Ndoshta kohët e fundit kam zgjedhur të bëj komedi se di që gratë duan t’i bësh për të qeshur... (qesh me të madhe)


Megjithëse nuk i keni njohur, ju keni dëgjuar shumë histori për shqiptarët, i keni paragjykuar?

-Gazetat në Itali i kanë përfolur shumë shqiptarët, por unë nuk kam paragjykime...

shkrimi u publikua në gazetën Shqiptarja.com
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi