Renato Mekolli është larguar nga Hell’s Kitchen Albania 2 dhe akoma nuk dihen arsyet.

Përballë konkurrentëve këtë javë do të shfaqet një shef i ri.

Produksioni, i informuar më parë për kërkesën e vetë shef Renatos për t’u tërhequr nga kuzhina, ka marrë masat e menjëhershme për ta zëvendësuar atë me një tjetër shef të njohur.

Ai është Alsi Sinanaj, i cili ka pranuar ftesën e Top Channel dhe ka ardhur enkas nga Athina, ku jeton e punon prej vitesh, për t’u bërë shefi i ri në kuzhinën e djallit.

Më herët në media  qarkulloi lajmi për Alsin se ishte miqësuar shumë me futbollistin Cristiano Ronaldon, gjatë sezonit veror ku edhe po kalonte pushimet në ishullin e mrekullueshëm grek të Mikonos.

Kuzhinieri shqiptar punonte në hotelin ku Ronaldo ishte akomoduar dhe ky ishte shkaku që të dy u njohën.

Alsi i kishte folur për ushqimet tradicionale shqiptare.

“Kur i përmenda trahananë, më tha se edhe portugezët e përdornin këtë ushqim. Ia gatova një mëngjes, por nuk e njohu.

Ishte shumë më ndryshe dhe më kërkoi të mësonte sesi prodhohej. Më shumë përshtypje i bënte çaji i malit që unë e kisha marrë në fshatin tim. E sqarova se cilësia e kësaj bime varet nga mali ku rritet. Atë që më kishte ngelur në dhomën time ia dhashë me vete”, ka treguar Alsi Sinanaj për yllin e Realit të Madridit.

Kujtojmë se për herë të fundit shef Renato u shfaq krah konkurrentëve në fshatin Bubq, vetëm një javë më parë, për t’ju përgatitur familjeve të dëmtura nga tërmeti ushqim të ngrohtë.

Alsi Sinanaj dhe Ronaldo