FIFA ka publikuar renditjen e re mujore pas ndeshjeve të zhvilluara në nëntor, duke sjellë lëvizje të rëndësishme për kombëtaret.

Shqipëria ka pësuar rënie me dy pozicione, duke kaluar nga vendi i 61-të në të 63-in. Kuqezinjtë regjistruan një fitore minimale 0-1 ndaj Andorrës, por u mposhtën 0-2 nga Anglia në Tiranë, rezultat që ka ndikuar negativisht në koeficientët e FIFA-s.

Shqipëria zbret në vendin e 63-të

Në anën tjetër, Kosova ka bërë një hap të madh përpara, duke u ngjitur me katër pozicione dhe duke u renditur në vendin e 80-të. “Dardanët” arritën një fitore 0-2 ndaj Sllovenisë dhe barazuan 1-1 me Zvicrën në Prishtinë, rezultate që kanë rritur ndjeshëm pikët në renditjen botërore.

Të dyja ekipet janë të kualifikuara për fazën “play off” të Botërorit, ku do të jenë pjesë e Vazos së Tretë. Ato do të mësojnë kundërshtarët e tyre sot, rivalë që do jenë nga Vazo e Dytë e fazës play-off për zonën UEFA. Shorti fillon sot në orën 13:00.

Kosova ngjitet në vendin e 80-të

Në krye të renditjes globale, Spanja ruan vendin e parë, e ndjekur nga Argjentina, Franca dhe Anglia. Brazili ka përfituar dy pozicione dhe tani renditet i pesti në botë.

Dhjetë kombëtaret më të mira në botë