Niveli i dytë i futbollit shqiptar për nga rëndësia, Kategoria e Parë, mbylli të mërkurën gjashtë ndeshjet e raundit të 27-të. Barazimi i Skënderbeut në Korçë dhe fitorja e Laçit kanë hapur garën për titullin kampion në këtë kategori, duke bërë që korçarët të vijojnë të jenë në krye (64 pikë), por me vetëm një pikë më shumë se kurbinasit.

Në stadiumin e Korçës, Skënderbeu u ndal 0-0 nga Korabi. Miqtë nga Peshkopia janë 'macja e zezë' e korçarëve këtë sezon, duke bërë që gara për titullin kampion të rihapet edhe njëherë.

Fitorja 5-3 e Laçit kundër Besës ka bërë që kurbinasit të afrohen me një pikë më pak nga Skënderbeu kryesues. Laçi shënoi në pjesën e parë me Doukouo, Bibo dhe Tresa, ndërsa Besa barazoi në fraksionin e dytë me Rrena (2x) dhe Migone. Vetëm në minutën e fundit Laçi shënoi golin e katërt me Olsi Myrtën nga pika e bardhë e 11 metërshit, ndërsa Muhammad gjeti golin e pestë në minutën 90+5'.

Tri pikë siguroi edhe Pogradeci, që buzë liqenit mposhti 3-0 Ilirinë e Fushë-Krujës. Kukësi befasoi 3-2 Lushnjën, ndërsa Kastrioti fitoi 5-2 kundër Burrelit.

Pas raundit të 27-të Skënderbeu kryeson me 64 pikë, një më shumë se Laçi ndjekës. Në zonën play-off janë; Pogradeci, Iliria, Kastrioti dhe Burreli, ndërsa në play-out Apolonia dhe AF Luftëtari. Në fundin e renditjes mbeten Lushnja dhe Kukësi me nga 21 pikë, duke bërë që gara në fundin e renditjes të jetë po aq e fortë sa edhe në krye.

Kategoria e Parë, raundi 27-të:

E mërkurë, 18 mars 2026 - 15:00

AF Luftëtari 2-2 Apolonia

Kastrioti 5-2 Burreli

Kukësi 3-2 Lushnja

Laçi 5-3 Besa

Pogradeci 3-0 Iliria

Skënderbeu 0-0 Korabi

Renditja: