“Narko euro sot kanë efekte më shkatërrimtare sesa piramidat e viteve '90, efekte dramatike”. Kështu u shpreh kreu i PD Sali Berisha sot gjatë një tryeze të organizuar për atë që opozita e cilëson si fenomenin e “narko-euros”

“Problemi më madhor numër një është origjina e këtij zhvlerësimi me distancë më i madh në planet sipas analizës së Eurostatit, i cili krahasoi 40 monedhat e rëndësishme të botës, raportin e tyre me euron dhe dollarin dhe gjeti se Shqipëria, leku shqiptar sot ka zhvlerësuar raportin me euron, ka një zhvlerësim të euros dhe dollarit 33 dhe 35%.

Asnjë monedhë tjetër në vendet prodhuese kryesore të drogës, Kolumbi e me radhë, në asnjë vend euro nuk ka këtë zhvlerësim. Në Kolumbi është 8%, në Meksikë është 12%, në vendet e tjera luhatet midis këtyre shifrave. Sipas këtij studimi në Shqipëri arrin në 33 apo 35%.  Por ky zhvlerësim është goditja më e rëndë, më e rëndë që i jepet prodhimit në Shqipëri dhe eksporteve shqiptare. Është goditje shkatërrimtare”, tha Berisha.

Sipas tij, zhvlerësimi i monedhës evropiane po penalizon veçanërisht eksportuesit shqiptarë, të cilët shpenzimet për paga, lëndë të para dhe detyrime të tjera i kanë në lekë, ndërsa të ardhurat i sigurojnë në euro.

“Kjo rënie e euros është një taksë e tmerrshme mbi eksportin dhe prodhimin, investimet dhe eksportin. Çdo investitor që dëshiron të vijë në Shqipëri duhet të llogarisë taksën 30% të zhvlerësimit të parave të tij. Çdo eksportues i cili të gjitha shpenzimet në Shqipëri i ka në lekë dhe fitimet i ka në euro duhet të llogarisë se eurot e tij kanë një vlerë 30% më të vogël seç e kishin.

Kjo është një goditje e madhe për prodhimin në Shqipëri, për eksportet në Shqipëri, për vetë strukturën e ekonomisë. Ky është një faktor i verbër që në njëra anë godet prodhimin, deindustrializon vendin, ndërpret procesin e industrializimit të vendit”, shtoi Berisha.