Rënia e euros është një hallkë e cila po godet drejtpërdrejt eksportuesit. Kreu i shoqatës së eksportuesve Alban Zusi foli në Studio Live me gazetarin Arbër Hitaj lidhur me sfidat që bizneset janë duke ndjerë nga kjo goditje e monedhës.

Zusi shpjegon se kërkesat e eksportuesve në institucionet përkatëse, më konkretisht në Bankën Qendrore vendase nuk është thjesht në interesin personal të sipërmarrësve, por edhe të punonjësve.
Ai shton se krahasuar me vendet që mund ta kenë përjetuar këtë goditje nga rënia e euros, humbja e tyre nuk krahasohet me humbjet e sipërmarrësve vendas, pasi sfidat janë të ndryshme. 17 deri në 18% është humbja e biznesmenëve nga ky fenomen shqetësues i ekonomisë.

“Kemi kërkuar dëmshpërblim sepse humbja e bizneseve eksportuese shqiptare ka qenë 17-18% ëhtë e pamundur për t’u menaxhuar. Ata që do të ngelin në rrugë të madhe do jenë punonjësit e këtyre eksportuesve që ndoshta nuk do dalin në rrugë të madhe edhe nëse detyrohen t’i mbyllin. Pra do krijohet një problem i madh social. Duhet të evitojmë këtë. Bizneseve eksportuese u mungojnë para nga këmbimi i euros që janë 10 fishi nga konsumi i tyre. Pra nëse konsumojnë 5 fish, ju mungon 100 fish. S’po kërkojnë para për veten, por për të rritur pagat, konkurrueshmërinë etj. Nuk po flasim për të kompensuar para për sipërmarrësit dhe për të investuar për veten e tyre.”- thotë Zusi.

Lidhur me kërkesat që eksportuesit i janë drejtuar Bankës së Shqipërisë, Zusi thekson se BSH do duhet t’i kushtojë më tepër rëndësi këtij fenomeni duke u konsultuar me vendet që kanë kaluar eksperiencë të ngjashme. Nga ana tjetër ai thotë se retorika e Bankës për inflacionin është një lloj standardi që na mban larg synimeve tona për Ekonomitë e Zhvillimit që parasheh edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

“Mjafton të thërrasë ekspertët që i kanë kaluar këto situata më përpara. Të konsultohen me bankat zvicerane ose në vende që e kanë kaluar. Ligji për BSH e parashikon për të ndjekur politikë të kontrolluar të kursit të këmbimit. Mjafton të zgjidhet kjo. Nuk kemi pasur asnjë përgjigje. Ne jemi të hapur, u kemi bërë dhe shkresa. Po ndjek politika të viteve 90. Të thuash që prioriteti im është inflacioni është si të thuash që je në Afrikë ose sikur je në vitin 1990. S’mund të kemi ne prioritet inflacionin. Pra nuk flasim për politika zhvillimi. Ne duam të zgjidhim një problem jo të bëjmë politikë.”- thotë Zusi.