Kryeministri italian, Matteo Renzi deklaroi se ishte shpresëplotë për rigjallërimin ekonomik të Italisë, që nga recesioni më i rëndë i pasluftës që kaloi gadishulli apenin, edhe pse ky rigjallërim do të vinte me pak vonesë ashtu si vera e këtij viti. "Disa të dhëna janë pozitive, disa janë negative. Të dyja bashkë lënë vend për interpretim", theksoi kryeministri italian. "Kjo situatë nuk është ajo që prisnim, edhe pse gjithçka po lëviz në drejtimin e duhur. Rigjallërimi ekonomik i ngjan verës së këtij viti, është me vonesë, por do të vijë", shtoi Renzi. Italia regjistroi rritje pozitive për herë të parë pas dy vitesh, kur Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit 0,1 për qind. Statistikat kombëtare të vendit, ISTAT, pritet të japin vlerësimet paraprake për tremujorin e dytë të vitit ditën e mërkurë./ATSH/