TIRANË- Në ambientet e një godine krejtësisht të re, ka filluar një epokë tjetër për Report Tv.

Puna në shtëpinë e re nisi prej 2 muajsh, e për të shënjuar këtë moment të rëndësishëm, u organizua një festë,  pjesë e së cilës ishin vetëm ata, stafi që çdo ditë punon me profesionalizëm për të sjellë tek shikuesit atë që është motoja e kësaj medie: “e vërteta me çdo kusht”. 

Këtë investim të ri gazetari Carlo Bollino e cilëson si një “detyrim” ndaj punonjësve për të rritur cilësinë e punës, ashtu siç Report Tv “i ka hije” në rrugëtimin e një dekade.

Profesionalizmi është kryefjalë e punës së çdo dite që nis që nga ai vetë, për të vijuar më pas me redaksinë e informacionit, gazetarët, montazhierët, operatorët, drejtuesit e emisioneve që, përveç figurave besnike të ekranit tonë,  këtë sezon të ri  i janë bashkuar edhe mjaft personazhe të njohur të televizionit, shumë prej tyre edhe të rikthyer aty ku e nisën.

Që prej 25 shtatorit 2022, Report Tv hyri në një shtëpi të re, në një godinë më të madhe, me një investim të jashtëzakonshëm në infrastrukturë, me një staf të zgjeruar në të gjitha hallkat thelbësorë të televizionit, me një sinjal high definition të shtrirë në gjithë territorin kombëtar, për të “shpërblyer” shikuesin besnik që na ka zgjedhur ne për t’u informuar në kohë reale për çdo lajm të fundit.