REPORT TV siguron ekskluzivisht videon e re nga sulmi dhe djegia e katër sporteleve në tubimin e organizuar në Rrugën e Kombit në Kalimash, që degjeneroi në dhunë. Në pamjet ekskluzive të Report Tv duket gjithçka minutë pas minute, kur kanë filluar të mblidhen protestuesit e parë e deri kur rreth 200 të tillë qëndrojnë para kordonit të policisë, i cili është pozicionuar para traut dhe sporteleve ku mblidhen paratë.

Protestuesit të mbledhur nga Kukësi, Tropoja, Hasi, por edhe shqiptarë nga Kosova pas bllokimit të qarkullimit të makinave nga të dy senset e rrugës u përleshën me policinë, e cila në momentin që ngjarja precipitoi u tërhoq. Pas tërheqjes së efektivë të FNSH, protestuesit morën gjithçka që kishin përpara duke bastisur, thyer dhe shkatërruar sportelet e kompanisë koncesionare.

Fakti që protestuesit kishin me vete edhe varre dhe sende të tjera të forta tregon se skenari ishte i planifikuar dhe qëllimi final ishte shkatërrimi dhe djegia e plotë e sporteleve. Pas shkatërrimit me thyerje të katër sporteleve, dy nga secila anë, protestuesit u vendosin zjarrin me benzinë. Në pamjet ekskluzive duket qartësisht edhe personi që vendosi zjarrin. Ata kujdesen që gjithçka të marrë flakë sa më shpejt duke ndezur fillimisht një perde, ndërsa më pas i gjithë sporteli përfishet nga zjarri.

Flakët përpijnë gjithçka në një kohë të shkurtër. REPORT sjell ekskluzivisht pamjet nga afër të autorëve të shkatërrimit të pajisjeve dhe djegies së sporteleve të kompanisë koncesionare. Në pamjet e siguruara nga REPORT TV duket qartë se cilët kanë qenë autorët e shkatërrimit dhe udhëheqësit e tyre. Protestuesit bllokuan gjithçka nga ora 11:00 deri në orën 14:00 në Kalimash, ndërsa mbrëmjen e djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm u arrestuan nga policia 23 prej tyre.

Burime nga grupi hetimor i dosjes së dhunës në Kalimash pohojnë se të ndaluar nga policia janë vetëm personat që duken në pamjet, që publikoi REPORT TV, që janë aktivë në shkatërrimin dhe dhunimin e kabinave të koncesionarit. 13 nga 23 prej protestuesve ndodhen në Tiranë, ndërsa 10 në Kukës, teksa nesër ose pasnesër pritet që të dalin para gjykatës për t’u njohur me ligjshmërinë e masës së sigurisë ‘arrest me burg’.



Protestuesit kundërshtojnë taksën në Rrugën e Kombit. E ndërsa qeveria ka dënuar dhunën duke e cilësuar si barbare, opozita kërkon lirimin e protestuesve nga burgu.  REPORT TV siguroi pamjet ekskluzive të lajmit që dje bëri xhiron e medieve botërore, ndërsa tashmë u mbetet qytetarëve për të gjykuar...