Minibusi i nisur nga Berati ka qenë duke udhëtuar në korsinë e tretë. Siç tregon edhe skema 3D e ndërtuar nga inxhinieri Alfred Hasanaj, me një shpejtësi në zbritje, mjeti papritur del në korsinë e emergjencës, duke lëvizur në tendencë gjithnjë e në të djathtë të rrugës.
Gjithça ka ndodhur në momentin kur ajo pjesë e segmentit rrugor ngushtohet.
Duket se ka një koincidencë fatale, pasi fillimisht mjeti përfundon në kanal duke u anuar, dhe menjëherë më pas barriera mbrojtëse metalike, e përshkon mjetin tej për tej.
Sipas Hasanajt, problem është mbrojtësja metalike e papërfunduar.
“Kemi këyqrur segmentin rrugor dhe kemi ndërtuar një video 3D. Ky mjet fillimisht, në momentin e goditjes me barrierën duhet të ketë pasur një shpejtësi jo më pak se 100 km/h. Fillimisht ka goditur bordurën e betonit dhe mendohet të ketë qenë rreth 110 km/h dhe në momentin që godet barrierën metalike, është rreth 100 km/h. Bordura e rrugës e ka kthyer mjetin në rrugë dhe më pas ai godet barrierën metalike përballë dhe ajo më pas depërton në mjet, në gjithë gjatësinë e tij. Pjesa fundore e barrierës metalike s’ka qenë e mbyllur sipas normave, me shuarës ose në formë trekëndëshi ku kulmi i trekëndëshit ngulet në tokë”, thotë Hasanaj.
Në vendin e aksidentit nuk ka shenja frenimi, gjë që përforcon dyshimet se shoferi ka qenë pa ndjenja.
"Drejtuesi i mjetit nuk reagon në momentin e goditjes me bordurën. Ai ka vazhduar drejt dhe ka goditur gjithë pjesën e barrierës. Duket që kemi të bëjmë me një drejtues mjeti që nuk ka qenë i vetëdijshëm", tha Hasanaj.
Edhe shpejtësia me të cilën po udhëtonte mjeti, sipas policisë, ka qenë brenda kufijve të lejuar.
Në total ishin 14 persona, përfshirë këtu edhe shoferin që nuk mundi të mbijetojë. 1 grua amerikane, e cila shpëtoi fatmirësisht pa dëmtime, ndërsa 12 të tjerët përfunduan në spital.
Të paktën 6 prej tyre u rikthyen këtë të mërkurë në banesat e tyre.
Sipas të dhënave zyrtare nga spitali, një fëmijë i mitur 8 vjeç, ndodhet në pavijonin e reanimacionit “me parametra jetësorë stabël”. Jashtë kamerave, familjarët treguan për Report TV, se fëmija po udhëtonte me gjyshen, e cila gjithashtu ndodhet në spital në gjendje të rëndë dhe rrezikon humbjen e këmbëve.
Po në reanimacion, ndodhet “edhe një 56 vjeçare çeke me origjinë nga Vietnami, në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të dëmtimeve të shumta të marra”, shpjeguan mjekët.
Një tjetër fëmijë 14-vjeçar “ndodhet jashtë rrezikut për jetën, me dëmtime në gjymtyrët e poshtme”. Për 2 të plagosur të tjerë të cilët gjatë ditës së djeshme iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale, mes të cilëve dhe një 20 vjeçare çeke me origjinë nga Vietnami, spitali i Traumës njoftoi se “gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar dhe do të vijojnë të qëndrojnë në monitorim intensiv”.
Hetuesit vijojnë të dyshojnë se aksidenti i rëndë u shkaktua nga një arrest kardiak që ka pësuar shoferi 36-vjeçar. Megjithatë, do të jetë ekspertiza mjekoligjore ajo që do të përcaktojë me saktësi shkakun.
Redion Hasimi përshkonte thuajse çdo ditë itinerarin Tiranë–Berat dhe anasjelltas.
Po ashtu, verifikimet e Policisë Rrugore të Tiranës tregojnë se 36-vjeçari nuk kishte precedentë si drejtues problematik dhe nuk rezulton të ketë pasur shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Komente









Diku thoni pesoi infrakt, tani shoferi s’reagoi gjatë përplasjes,spo merreni vesh
Përgjigju