Kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj iu cenua dinjiteti njerëzor dhe privatësia, gjatë vizitës mjekësore që ai kreu në korrik në një klinikë private në Durrës, në prani të punonjësve të policisë së burgjeve. Në këtë përfundim ka arritur një hetim administrativ i realizuar nga Avokati i Popullit, pas shqetësimit nga vetë Veliaj se gjatë ekzaminimit nga mjeku, në dhomën e spitalit ka qëndruar edhe një efektiv. Kryebashkiaku iu nënshtrua një ekzaminimi periodik (kolonoskopi), dhe jo një vizite të thjeshtë mjekësore.
***
Avokati i Popullit ka bërë një raport në lidhje me ofrimin e shërbimeve shëndetësore, ndaj kryebashkiakut të paraburgosur Erjon Veliaj. Nga hetimi administrativ pas shqyrtimit të ankesës së qytetarit të parë të Tiranës, Institucioni i Avokatit të Popullit evidenton se gjatë një vizite shëndetësore të kryetarit të Bashkisë në një spital privat në Durrës më 17 korrik, nuk është respektuar dinjiteti njerëzor dhe i privatësisë. Pretendimi i kryetarit të bashkisë, lidhet me prezencës e punonjësve të policisë së burgjeve, të pranishëm në dhomë edhe gjatë procedurës paraprake të ekzaminimit klizmë/kolonoskopi.
Mjeku në shpjegimet që i ka dhënë Avokatit të Popullit thotë se Veliaj ka shprehur shqetësimin për praninë e punonjësve të policisë brenda dhomës ku do të kryhej ekzaminimi. Në raportin e avokatit të Popullit, të cilin Report tv e siguron, “mjeku i ka kërkuar punonjësve të policisë që të presin jashtë dhomës deri në përfundim të ekzaminimit, por ata nuk kanë plotësuar kërkesën e tij, duke thënë se kanë për detyrë te zbatojnë rregullat e sigurisë. Në këto rrethana, është dakordësuar që punonjësit e policisë të qëndrojnë brenda dhomës me shpinë të kthyer nga shtrati ku do të kryhej kontrolli mjekësor i Z. Veliaj”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.
Por siç punonjës të institucionit të Avokatit të Popullit kanë konstatuar, “dhoma ishte një ambient i hapur pa ndarje, ku mundësia për të shmangur shikimin dhe dëgjimin nga personat e sigurisë që ndodheshin në dhomë, ishte e pashmangshme”.
“Ekzaminimet mjekësore duhet të kryhen me respekt të plotë të privatësisë së personit. Prania e stafit të sigurisë gjatë ekzaminimit apo konsultave, duhet të lejohet vetëm kur plotësohen dy kushte: - E kërkon shprehimisht mjeku për arsye të sigurisë së tij; - Stafi multidisiplinar i IEVP-së (siguri, social, shendetësor, ligjor), ka vlerësuar për shkak të rrezikshmërisë që paraqet i burgosuri”, thuhet në raportin që Report Tv siguron.
Institucioni i Avokatit të Popullit thekson se marrëdhënia mjek-pacient, ka parime që nuk duhen shkelur, siç janë ruajtja e konfidencialitetit dhe respektimi i privatësisë, parime këto që duhet të zbatohen si për pacientët, të cilët jetojnë të lirë, ashtu edhe për ata në kushte kufizimi për shkak të masave të sigurisë.
“Të burgosurit duhet të ndihen të lirë të diskutojnë çdo çështje mjekësore me stafin e kujdesit shëndetësor në konfidencialitet të plotë dhe të zhvillojnë konsulta individuale private sipas nevojës. Kjo do të jetë veçanërisht e rëndësishme në rastet kur të burgosurit mund të duan të zbulojnë pretendime për torturë ose keqtrajtim”, thekson avokati i Popullit në raportin e hetimit administrativ pas ankesës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës .
Avokati i Popullit thotë se procedura e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për shoqërimin e të burgosurve me punonjës policie edhe gjatë vizitave mjekësore – bie ndesh me kriteret e konventave ndërkombëtare për respektimin e jetës private dhe parimin e konfidencialitetit mjekësor. Sipas drejtorisë së Burgjeve, në informacionet përcjellë zyrtarisht Avokatit të Popullit për shoqërimin e Veliajt në spital, kanë qenë 8 punonjës policie të rolit bazë, 2 drejtues automjetesh, një drejtues shërbimi oficer dhe një ndihmësmjek i burgut të Durrësit.
“Nëse gjatë ekzaminimeve mjekësore (veçanërisht intime) të të burgosurve, punonjës të sigurisë do të jenë të pranishëm, pa kërkesën e mjekut dhe pa arsye sigurie të dokumentuar, kjo do të përbëjë cenim të standardeve ndërkombëtare për trajtim me dinjitet të personit dhe mund të cilësohet si shkelje e nenit 8 të Konventës (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare), dhe në raste të përsëritura ose poshtëruese, shkelje e nenit 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor ose degradues)”, thuhet në raport.
Institucioni i Avokatit të Popullit i rekomandon dhe kërkon drejtorisë së Burgjeve të ndryshojë urdhrin e vitit 2019 për procedurën e transportit dhe shoqërimit të të burgosurve kur kryejnë ekzaminime/konsulta mjekësore jashtë burgut duke përmbushur standardet kombëtare dhe ndërkombëtare, për respektimin e dinjtitetit njerëzor, te drejtës për jete private, si dhe parimit të konfidencialitetit mjekësor.
Raporti mban datën 17 dhjetor, dhe është i fundit që firmos Erinda Ballanca para ikjes nga detyra, të cilën tashmë e mban Endri Shabani.
Komente











Eh mor Shabano, Avokat i popullit, fillove t'i lash borxhet Ps-se qe te zgjodhi? Po ti je si kukull, siç edhe presidenti, merr rrogen qyl dhe vetem lexon konventat e shkruara nga te diturit. S'e mbron dot EV me keto menyra.
Përgjigju