Reportazh/Qarrishta, fshati që
shpëtoi nga vdekja 26 hebrej

Reportazh/Qarrishta, fshati që<br />shpëtoi nga vdekja 26 hebrej
TIRANE - Në ditët më të errëta për hebrejtë, në zemër të Luftës së Dytë Botërore, në Qarrishtë, një fshat malor 2 orë larg Librazhdit ata gjetën strehë dhe bukë. Ishin 26 hebrej. Mikpritësit e tyre, Familaj Biçaku, fshatarë të Qarrishtës shënuan këtu e 70 vjet më parë një copëz historie nga besa shqiptare.

Falë edhe besës e mikpritjes së tyre sot në Jaruzelem, në hartën e Shqipërisë është shkruar “Zero” ! Kjo, për faktin që asnjë hebre nuk është vrarë apo dorëzuar tek gjermanët në tokën shqiptare. Nga kjo histori e 70 viteve më parë në Qarrishtë është shndërruar tashmë në traditë një festë përkujtimi e kësaj ngjarjeje. Me këtë shkas jemi nisur për atje…

Në të majtë të qytetit të Librazhdit, drejt Verilindjes, nis një rrugë që të çon në Stëblevë e më tej. Do të duhen mbi dy orë për të mbërritur në Qarrishtë. Edhe pse rruga është shumë e vështirë, syri të rrok bukuri mahnitëse. Shpate malesh, mbushur me dushqe e pisha të buta, burimet ujore që rrjedhin pa pushim.

Çfarë do të ndodhë atje në kujtim të asaj ngjarjeje që ka ndodhur 70 vjet më parë?  Që në nisje, ishim kuriozë për të prekur nga afër një copëz histori të shkruar ndër vite të këtij fshati. Plot shtatëdhjetë vjet më parë, aty do të strehoheshin për dy vjet 26 hebrej prej inkuzicionit gjerman.
 
                                                                  ***

Ka lindur dhe është shndërruar në traditë një festë në këtë fshat. Ajo e Bashkimit. Është konceptuar kështu, për tu ndodhur bashkë një herë në vit. Të ikurit, 160 familje dhe të mbeturit rreth 200 banorë. Brenda festës, edhe ajo e përkujtimit të dy viteve që u strehuan hebrejtë. Qindra pjesmarrës në atë tokë gurishtë rreth “lapidarit” ku shkruhet: “Qarrishta, besa shqiptare”.

Në pritje të ambasadorit izraelit. Mes të pranishmëve janë edhe dy deputetë të dy forcave kryesore politike. Ambasadori vendos dy tufa lulesh artificiale mbi pllakën e gurtë përkujtimore dhe i falenderon banorët e këtij fshati e në veçanti familjen Biçaku, që mbajtëm me bukë e u dhanë jetë për dy vjet bashkëkombësave të tij e po me këtë çiltërsi ai pranon se pasardhësit e tyre nuk janë gjendur asnjëherë këtu, për të mos thënë që nuk kish dijeni se ku mund të ndodheshin ata, shumica të shpërndarë nëpër botë.

Ceremonia spostohet në oborrin e shkollës me 40 nxënës, ku kreu i komunës, Enver Shkurti tha:- “Gjyshërit dhe prindërit tanë për dy dimra mbajtën gjallë 26 jetë hebreje në emër të besës e mikpritjes shqiptare, në emër të Zotit dhe të drejtës për të jetuar, edhe pse e dinin së jeta e tyre do të shuhej në çast nga bajonetat e karabinat gjermane, pa menduar kurrë për haraç në ditët e lirisë që do të vinin.

Por,- vazhdoi ai mes të tjerave, sot shpresoj, që distanca që ndan këtë komunitet nga jeta cilivizuese përtej këtyre maleve, do të shkurtohet edhe nga kontributi i shtetit të atyre njerëve që ne strehuam në ato vite të vështira lufte e dimri”.

Edhe pse duartroktijet herë-herë ndërprisnin përshëndetjen e ambasadorit izraelit, që shqipërohej jo fort mirë, ky i fundit në thelb do të thoshte se “… mirënjohja ndaj familjes, Biçaku dhe miqësia jonë me popullin shqiptar nuk do të shuheshin kurrë”. Dhe… vetëm kaq.   
 
                                                                  ***

Pjestarët dhe pasardhësit e familjes Biçaku, janë jo fort të previlegjuar në festën që mbart brenda saj edhe kujtimet e komunitetit të vogël hebre të strehuar në shtëpinë e tyre. Ata dhanë gjithçka në atë kohë absurde për mbajtjen e përcjelljen gjallë të atyre njerëzve.

Sakrificat e papërshkruara të kësaj familjeje do të mbaheshin në sirtarë arkivash për më shumë se 50 vjet. Të djeshmit i persekutuan, pse strehuan dhe u dhanë bukë bijve të atyre që për shtetin komunist të 45 vjetëve ishin “koburja “ e ngrehur e “imperializmit amerikan”.

Të sotmit, i lanë pothujase sërisht në harresë. Veç ca dekorimesh nga lobet izraelite në Amerikë e së fundi edhe në Parlamentin shqiptar, asgjë tjetër. Djemtë dhe mbesat e familjes Biçaku (sot banues në Durrës apo në Elbasan) nuk kanë shkuar më tej sesa të përfituarit e një pune sanitare e pa shtëpi.

As shteti i tyre nuk u dha mirënjohje apo mbështetje konkrete, as shteti i atyre që strehuan e as pasardhësit e atyre hebrejve që u përcollën shëndoshë e mirë, hipur mbi kuaj, pranverën e “45-ës , drejt Strugës.

Aso kohe, teksa karvani ecte mes malesh, në të kaluar të kufirit, ata (hebrejtë) do tu premtonin një jetë të begatë të paktën tre brezave të familjes që i kishte shpëtuar si shpërblim për jetën që u kishin shpëtuar! – “Babai im do të refuzonte që në gjallje të tij lëmoshën 30 dollarëshe që do t’i vinte privatisht nga njëri prej atyre që mbajti në shtëpinë e tij”- shprehet Muhameti duke shtuar se “vetëm ishte vlersuar me dekorata në Amerikë”!. – “Asnjëri prej atyre që mbajtëm apo pasardhësit, nuk janë bërë të gjallë qoftë dhe për një kontakt fizik në këtë vend ku qëndruan për dy vjet gjyshërit e tyre “- pohon Natasha, mbesa e kësaj familjeje.

–“Gjyshi im i mori nga Tirana e i solli këtu natën me mushka e po me mushka blinim drithë e ushqime në Strugë e Ohër për tu siguruar ushqim, por të themi të drejtën pak mirënjohje na është përcjellë” – shton mbesa tjetër, Elida.

Nga ç’është bërë, gjallë po përpiqet ta mbajë në këmbë shoqata e miqësië me kontributet e dhëndrrit të kësaj familjeje mikpritëse, Kujtim Hasbiu. Ky i fundit mbetej organizatori i kësaj ceremonie, më së shumti për të lartësuar krenarinë e virtyteve shqiptare.

                                                                  * * *

Në të perënduar të diellit, kuptojmë se festa ka mbartuar. Rruga e kthimit mbart në vetvete veç imazhit të krenarisë për mikpritjen e para 70 viteve edhe zhgënjimin e sotëm… Ishte një ditë e lodhshme, por me mbresa. Në atë copëz toke shqiptare, rrethuar e harruar mes malesh u përkujtua gjer në lartësim strehimi i 26 hebrejve, më tepër si simbol i besës dhe mikpritjes të vendit të shqiponajve.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarj.com (print) 11.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

E konfirmojnë në Kosovë, Ilir Daja largohet nga FC Ballkani! Gati rikthimi te Dinamo në Superligë

E konfirmojnë në Kosovë, Ilir Daja largohet nga FC Ballkani! Gati rikthimi te Dinamo në Superligë