REPORTAZH/Të kërcesh me lumenjtë!

Më pëlqen të kërcej dhe këndoj për lumenjtë… ndjej nevojën të festoj për ta. Ne nuk mund të zhvillohemi natyrshëm në se nuk mendojmë natyrshëm edhe për natyrën që na rrethon, përfshirë këtu edhe lumenjtë.

Pjesa më e madhe e kohës sime të lirë kalon nëpër lumenj. Më pëlqen të eksploroj, të lundroj dhe luaj me ta.

Vërej se shumë lloje bimësh dhe kafshësh mund të jetojnë vetëm përgjatë lumenjve; shumë të tjera duhet të jenë në afërsi të lumenjve për të mbijetuar. Krahas peshqve dhe kafshëve të tjera ujore, shumë lloje gjallesash priren të afrohen pranë lumenjve për shkak të insekteve dhe botës bimore nënujore të bollshme. Një mbrekulli plot me jetë!

Edhe ne njerëzit kemi gjithashtu, nevojë për lumenjtë. Lumenjtë mund të transportojnë, të vadisin kulturat tona bujqësore, mund të mbushin tubacionet e ujësjellsave, të venë në lëvizje turbinat, si dhe të furnizojnë fabrikat tona me ujë.

Lumenjtë janë burim frymëzimi dhe çlodhje për njeriun. Ne kënaqemi kur lahemi, kur peshkojmë apo kur nisemi për rafting.. Sporti i ujërave të rrëmbyeshëm, më çon thuajse çdo fundjavë drejt një itinerari lumor dhe në mënyrë të pandërgjegjshme unë ndërgjegjësohem për vlerat natyrore dhe jetën që gjallon përreth.

Rafting… ky pasion që nisi nga një aventurë me komerdaret e gomave të kamionave…… ta mendosh që para njëmbëdhjetë viteve kur unë fillova, nuk të degjonte njeri kur flisje per rafting. Kjo për një arsye të thjeshtë – askush nuk të besonte, askush nuk besonte që Shqipëria mund të ishtë po aq e bukur…madje edhe për fotot na akuzonin se ishin të bëra me fotoshop apo gjëra të ngjashme me të…kurse sot interesohen pafund qindra turistë dhe këto 3 vitet e fundit 70% e tyre janë shqiptarë.

Edhe pse një vend i vogël, Shqipëria është vendi i një numri të madh lumenjsh mbresëlënës. Rrjeti i brendshëm i ujërave shqiptare përbëhet nga njëmbëdhjetë lumenj të mëdhenj dhe 150 degë të tyre. I gjatë 285 km, Drini i Zi është më i madhi dhe rrjedh nga liqeni i Ohrit deri në Detin Adriatik. Lumi Buna ka luajtur mbi disa shekuj një rol vendimtar për zhvillimin ekonomik të veriut të Shqipërisë dhe portit të Shkodrës në Liqenin e Shkodrës.

Lumenj të tjerë të mëdhenj përfshijnë Shkumbinin, Vjosën, Osumin dhe Devollin. Disa lugina, kanione dhe ujëvara janë krijuar nga rrjedha të lashta duke ofruar bukuri të jashtëzakonshme natyrore. Ndër këto janë luginat e Valbonës dhe Shala në Alpet Shqiptare, ujëvara e Grunasit në Theth, Lugina e Tomoricës dhe kanionet Osumit, Skrapar si dhe grykëderdhjet e Këlcyrës në lumin Vjosë pranë Përmetit, në Shqipërinë jugore.

Rafting nuk është i rrezikshëm, por ama nuk ta kursen adrenalinën. Në udhëtimet e shumta nëpër lumenj të ndryshëm të Shqipërisë unë ndeshem me sfida të reja përsa i përket anës teknikë për përballimin e rrjedhës së lumenjve, zëmërimin apo tërbimin e tyre me raste, karakteristikave të ndryshme që ata kanë apo surprizave që sjellin çdo sezon.

Në të njëjtën kohë është sfidë më vete menaxhimi i emocioneve, rrahjeve të shpeshta të zemrës dhe adrenalinës së madhe që ndjen në trup kur ndodhesh përballë një rrëmbese të madhe dhe ku mua më duhet të mobilizohem dhe të marr një vendim të shpejtë për t’i shpëtuar faqes së shkëmbit apo thjesht dallgës së lumit.

Frikë??? Po, nësë nuk punon në grup, nëse nuk dëgjon komandat e guidës profesionale të Federatës Shqiptare të Rafting dhe nëse nuk mobilizohesh…Atëherë pse të bësh rafting? Sepse aty ti kapërcen kufijtë e vetes…përballesh me frikërat e tua…kupton që asgjë nuk është e pamundur…ti mund t’ia dalësh edhe në momente rreziku, sepse kapaciteti yt është i pafund dhe si ia dole këtu mund t’ia dalësh kudo…ne punë…familje...në jetë. Mua më ndalet vërtet zemra kur ndodhem para shpalosjes së papritur të një peisazhi të natyrës shqiptare. Më ka ndodhur para ujvarës së madhe, ujvarës së artë në Kanionin e Skraparit, kur hyra për të parën herë aty në moshën 14 vjeçare. Ishte magji!

Më rindodh kur përshkoj luginën e Valbonës, mes ujit të kthjellët kristal i cili buron nga shkrirja e borës nga majat e Alpeve. Më përsëritet gjatë lundrimeve në mes të grykës së Këlcyrës, në Devoll, në Osum. Natyra shqiptare është befasuese. Në një vend modest në mes të Europës si Shqipëria të surprizon ndërthurja e panoramave, ekosistemeve dhe mrekullive të papërsëritshme të mjedisit shqiptar.

Mendoj se kontakti me natyrën të ndihmon të shohësh thelbin e gjërave dhe të vërtetën në njerëz. Marrja me sportin rafting më ndihmon të kuptoj më shumë dhe të kërkoj në vazhdimësi. Për mua është e rëndësishme arritja e harmonisë dhe ndjekja e një qëllimi i cili i shërben diçkaje më të madhe se unë. Tërësia e kësaj eksperience më duket e bukur. Gjithmonë është bukur të këndosh dhe të kërcesh për lumenjtë!

Nga BLERINA AGO* - Autorja është zv/presidente e Albania Rafting Group


Shkrimi u publikua në Suplementin Fundjava, në gazetën Shqiptarja.com(print), 15 mars 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 21:20

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Aksioni i RENEA-s tek Astiri, Identifikohet i dashuri i 21 vjeçares, Shqiptarja.com zbulon të kaluarën e 26 vjeçarit nga Tepelena

Aksioni i RENEA-s tek Astiri, Identifikohet i dashuri i 21 vjeçares, Shqiptarja.com zbulon të kaluarën e 26 vjeçarit nga Tepelena