Reportazhi i gazetarit suedez: Në Sheshin ‘Skënderbej’ ndodhet i vetmi polic trafiku në Shqipëri, por aty kalojnë karroca dhe…!/ Çfarë shkruhet në libër, për diktatorin Hoxha dhe “Bllok”-un

Reportazhi i gazetarit suedez: Në Sheshin ‘Skënderbej’ ndodhet i vetmi polic trafiku në Shqipëri, por aty kalojnë karroca dhe…!/ Çfarë shkruhet në libër, për diktatorin Hoxha dhe “Bllok”-un

Hotel 'Dajti'

Memorie.al publikon një reportazh të gazetarit të njohur suedez, Sven Aurén, të botuar në gazetën “Svenska Dagbladet” të Stokholmit, lidhur me katër vizitat e tij në Shqipëri, duke filluar nga viti 1938 kur ai erdhi për dasmën e Mbretit Zog dhe për të përfunduar në shtatorin e vitit 1968 ku ai vizitoi për herë të fundit Shqipërinë.

JETA NË TIRANË

Hoteli më i mirë i Tiranës dhe Shqipërisë, quhet “Dajti”, sipas emrit të njërit mal më të lartë nga ata, që rrethojnë kryeqytetin. Ndërtesa nga jashtë është diçka madhështore, që ndahet prej bulevardit të gjerë, nga një perde pishash. Por nuk qenë shqiptarët, që e ndërtuan, ishin italianët ata. Këta të fundit bënë çuditërisht shumë, gjatë kohës së shkurtër si zotër të vendit.

Salla e hyrjes është shumë e madhe, veshur me mermer dhe shumë formale, dhoma të këndshme, higjiena lë për të dëshiruar. Ashensori, hoteli i vetëm i Shqipërisë, me ashensor, është jashtë përdorimit, por pastruese me fustane të zeza, përparëse të bardha dhe flokët topuz, bëjnë valixhet e mysafirëve nëpër shkallët, ndërsa meshkujt e personelit, bëjnë sehir. Okupacioni turk që vazhdoi 500 vjet, ka lënë gjurma ende deri më sot.

Hotel “Dajti” është i rezervuar për të huaj, ndërsa banorët e vendit e kanë të ndaluar. Shqiptarët, që janë ulur në sallë ose që mbështeten në barin e trishtuar, janë policë me veshje civile dhe në fytyrat e tyre, nuk mund të lexosh diçka. Atmosfera përgjithësisht është e rëndë dhe karakterizon Republikën Popullore tërësisht. Portieri përshëndet mysafirët e ri, pa asnjë orvatje për një buzëqeshje, nuk dallon as shkëlqim, në sytë e shërbyesit.

Kamerieri i barit, një burrë në moshën mesatare, duket sikur ka varrosur dikë të afërt sot paradite dhe në raft, një radhë shishesh si urna, në një kolumbarium. Ato shërbejnë vetëm si dekor. Nuk mund të porosisësh pije përkatësisht (Wisky, Konjak, Sherry, etj.), veç se klientët detyrohen të zgjedhin, raki ose lëng limoni. Dhe me një gotë raki përpara, rakia më e mirë shqiptare, që thuhet kalimthi, bërë prej manaferre, nëse shfleton në ca broshura që shoqërojnë me çelësin e dhomës. Reklamë për hotelin? Propagandë turistike për Shqipërinë? Asgjë. Njëra flet mbi: “tradhtinë e Rusisë ndaj komunizmit” dhe tjetra i bën thirrje, për vigjilencë, botës socialiste: “Kuçedra kapitaliste, ngrenë kryet në Çekosllovaki”.

I kthej shpinën këtij baristi të gëzuar dhe nisem për në qytetin me emrin e bukur. Se çfarë konstaton një rrugëtar në Tiranë, i cili para lufte, kur dilte nga hoteli, ishte zhurma e rrugës.

Taksitë dhe veturat private i binin burisë pa ndalur, por kishte edhe tjetër lloj zhurme trafiku: një shumicë e madhe karroca kuajsh shkatarraqe, që i kishin pajisur, me buri veturash dhe karrocierët u binin me zellshëm sikurse automobilistët, një mori gomarësh që përdoreshin për transporte dhe kontribuonin në ulërimën e madhe të “koncertit”, qerre dhe karro, të ndryshme, katër rrotëshe, tregtarë ambulantë, që u binin zileve, muzikantë rrugësh. Përveç asaj, rrugët e këqija automobilistike bënin të veten, që kakofonia të arrinte maksimumin. Zhurma ndoshta bënte një përshtypje irrituese, por njëkohësisht pasqyronte një jetë të gëzuar në një kryeqytet, që ishte një katund Ballkanik shumë i madh.

Çfarë ndesh njeriu tashti, heshtjen. Është e çuditshme dhe e pa imagjinueshme. Hotel “Dajti” ndodhet në rrugën kryesore, i cili gjatë okupacionit italian, u ri-pagëzua nga “Bulevardi Zog”, në “Bulevardi Mussolini” dhe tani quhet “Bulevardi Stalin”. Ai është i gjerë si ‘Chams-Elysées’ dhe mjaft i mirëmbajtur: asnjë mbeturinë, asfalti shkëlqen si një pasqyrë. Në njërën anë qëndron një monument, që paraqet Stalinin, në anën e kundër, duket Lenini, ndryshe bulevardi rrethohet nga shtëpi të reja dhe mjaft pompoze, të kombinuara me parqe.

Atje larg një hapësirë e madhe, shesh i rrumbullakët, ku Heroi Kombëtar i Shqipërisë, Skënderbeu, me përkrenaren e tij të famshme, kontrollon situatën prej një kali bronzi, me këmbët e para në ajër. Nuk mund ta mohosh, që Tirana është zbukuruar. Por nëse në barin e Hotel “Dajti”-t, sundon një atmosferë si në një dhomë varri, në “Bulevardin Stalin”, mbizotëron qetësia e vërtetë e varrezave. Unë nuk e ekzagjeroj. Heshtja lidhet me situatën e trafikut ose drejt me thënë mungesën e trafikut. Bulevardi është bosh: as automobila, karroca kuajsh, qerre apo gomar dhe pothuajse, as dhe njerëz. Qe një ditë jave, nga ora katër pas dite që unë e konstatova për herë të parë.

Një grua shtynte një karrocë fëmije në mes të xhadesë, ku disa fëmijë loznin pafkash dhe një burrë i vetëm qëndronte, pa lëvizur dhe lexonte “Zëri i Popullit” e cila është “Pravda” e Shqipërisë. Si një turist në Sahara, prita gjatë që të dukej ndonjë automobil dhe më në fund, munda të shoh një kamion dhe një “Mercedez” elegant, me perde të bardha të mbyllura, pas tyre fshihej ndonjë funksionar i lartë komunist. Asnjë motoçikletë, nja dy – tri biçikleta.

Në sheshin “Skënderbej”, pret një tjetër përjetim. Në shesh shërbente një polic, me një shkop të bardhë gome. Ai është i vetmi polic trafiku në Shqipëri dhe ky i shkreti, s´ka asgjë për të dirigjuar. E ndjej nevojën për t´a ndihmuar, ashtu sikurse “Çestertoni” (‘Chesterton’), tregon se si një turist anglez, ndihmoi një faturino hekurudhe gjermane, që dukej se ishte shumë melankolik. Duke blerë një biletë, për në lagjen më të afërt dhe t´ia japë që ta presë e bëri nëpunësin dëshpëruar të gëzohet.

Një shpallje në hotel thotë se ka biçikleta me qira. Nëse unë do t´a kisha zbatuar lajmin e shpalljes dhe të kisha kaluar përmes sheshit “Skënderbej” me biçikletë, edhe unë do të kisha kryer një vepër të mirë njerëzore. Është kollaj të ironizosh, por mungesa e trafikut, ka vetvetiu një shpjegim të natyrshëm.

Shqipëria e kuqe, është një komb në skamje, që i mungon pothuaj çdo gjë dhe veçanërisht, valutat e huaja. Automobila, motoçikleta dhe biçikleta, nuk prodhohen në vend dhe duhet të blihen nga jashtë dhe të paguhen, më para tjera dhe jo lekë, që është monedha shqiptare. Në këtë situate, kënaqen të blejnë makineri të domosdoshme, d.m.th., autobusë dhe kamionë (plus një pjesë vetura, për zotërinjtë e vendit) dhe kufizimin e importimit të biçikletave, deri në minimum. Ndërkaq, karrocat, qerret dhe gomarët, konsiderohen se bëjnë një përshtypje prapambetjeje dhe janë të ndaluara, në qendër të kryeqytetit, për arsye prestigji. Rezultati: bosh dhe heshtje.

Fshesa komuniste ka fshirë shumë gjëra të tjera. Janë bërë mjaft ndërtime në Tiranë, gjatë këtyre 20 viteve të fundit dhe janë ngritur zona të reja moderne banimi. Rrëmuja e rrugicave dhe shtigjeve në periferi të sheshit “Skënderbej”, është pothuaj njësoj si përpara. Por çdo gjë, që i jepte qytetit ato ngjyra dhe atë joshje, është zhdukur: dyqanet e vegjël të panumërta dhe të zotët, që rrinin përjashta tyre dhe pinin duhan, me çibuk të gjatë të punuar bukur, gratë e mbuluara, që rrinin galiç pranë mureve, katundarët me veshjet e tyre të rralla, që vinin nga malet e larta, rreckamanët e shkretë dhe bajraktarët krenar, me kuajt e bukur, mizëri fëmijësh lypës, aroma e ëmbël e kafes turke, që përhapej prej qindra kafenesh të vogla…!

Gjithë Tirana mbante aromë kafeje në atë kohë. Tashti qyteti nuk ka asnjë aromë. Të gjithë njerëzit, duket njëlloj: burrat janë veshur me pantallona të errët dhe këmisha të bardha dhe gratë mbajnë fustane pambuku, por duhet thënë se sipas rrobave, nuk të duket se ka varfëri të theksuar. Njeriu nuk ndiqet më as nga turma fëmijësh lypës. Jo pse mungojnë fëmijë. Përkundrazi. Në Shqipërinë e sotme nxitet lindshmëria në të gjitha mënyrat dhe falë kësaj politike, është shtuar popullsia nga një milion në një e gjysmë, që pas lufte. Kryeqyteti ka 135.000 banorë në krahasim me 35.000 në vitin 1945. Sheh fëmijë kudo, po ashtu edhe gra shtatzëna. Me shami të kuqe për qafe dhe me flamur të kuq përpara rreshtit, në formë repartesh ushtarake, marshojnë të rinjtë, duke kënduar këngë anti imperialiste dhe quhen “Pionierët e Kuq”.

Nga numri i shumtë i dyqaneve të vegjël t´atëhershëm kanë  mbetur tani vetëm pak, por edhe ata, nuk kanë shumë gjëra për të ofruar. Më kujtohet një sahatçi në rrugën kryesore, i cili shiste rripa sahatesh, por jo sahatë. Jeta tregtare, është e përqendruar në magazina shtetërore, që quhen MAPO, e cila do të thotë “Magazinë Popullore”, lokale të mëdha trishtuese me pajisje të errëta, që të kujton, po të njëjtat magazina në Pekin dhe atje ka mungesë mallrash nëpër raftet. Çmimet të bëjnë të shtangësh. Rroga mesatare e punëtorit, është midis 250 dhe 500 kruna (kronor), në muaj dhe kjo e fundit, në raste të veçanta.

Këpucët kushtojnë 50—60 kr., këmisha 50 kr., një çantë grash 70—100 kr. Dhe të gjitha të thjeshta ose të thuash të drejtën primitive. Cilët janë ata shqiptare, që kanë mundësi me ble në këto MAPO?!

Përsa u përket njerëzve, janë pyetje tjera, që nuk mund të hesht edhe pse ndoshta, mund të cilësohet si tragjike. Para lufte shikoje arixhinj kudo. Unë nuk kam pa as edhe një magjyp, gjatë këtij udhëtimi. Kur mbaroi lufta, statistika zyrtare e dëmtimeve të Shqipërisë, përmbante dhjetëra mijëra invalidë. Nëpër muzetë e luftës, që ndodhen në të gjithë qytetet e mëdhenj të vendit, përsëriten gjithnjë këto të dhëna. Ku ndodhen ata tani? Gjatë dy javëve udhëtimi, këtu nuk kam parë asnjë invalid. Çfarë i ka gjetur pleqtë? Pleqtë mund të numërohen në gishtat e njërës dorë.

Kam përshtypjen se vendi përbëhet vetëm nga popullsia e moshës së punës dhe fëmijë. Ka të ngjarë, që nënshtetasit jo produktivë, të jenë ne kampe përqendrimi, ose të internuar në fshatra të izoluar, por çdo pyetjeje për të vizituar një azil invalidësh ose azil pleqsh; përgjigja e menjëhershme është negative. Në një shtet komunist, që ndodhet në epokën e hekurit dhe që si e tillë, çdo gjë vlerësohet pas shkallës së dobishmërisë, këto vëzhgime duken shqetësuese.

Kjo Tirana, e shpëlarë dhe vetëm me një alternativë, ku të pasurit nuk ekzistojnë më dhe fukarenjtë duken më pak fukarenj, është një qytet i ri. Jo më pak, ka diçka, që është fare e njëjtë dhe që tregon se veçoritë orientale tek shqiptarët, janë të gjalla; nepotizmi. Nëse dikur shëtisje në rrugë pasi të errësohej, duhet të kishe kujdes, mos shkoje afër një zone të madhe, të rrethuar me mur betoni.

Ajo ruhej rreptë: post rojet, vëzhgonin me dyshim të gjithë kalimtarët, tek-tuk shihje ndonjë grykë automatiku në frëngji. Brenda mureve banonte Mbreti Zog, bashkë me nënën e tij dhe gjashtë motrat, të gjithë aktivë në politikë. Pozitat e larta zakonisht, ishin të zëna me farefis të familjes mbretërore, që për arsye të rrezikut të ndonjë atentati, nuk dëshironin të dukeshin jashtë rezervatit të tyre të mirëmbajtur. Shteti drejtohej si ndërmarrje familjare, me Monarkun si drejtor ekzekutiv, anëtarët e familjes, si kryesi dhe fisi si aksionarë.

Sistemi nuk ka pësuar ndonjë ndryshim të thellë. Shqipëria e sotme është një ndërmarrje familjare komuniste. Zotërinjtë e rinj, kanë ngritur një lagje me vila për veten e tyre, që siç duket, janë inspiruar nga qyteti i ndaluar i kohëve të kaluara, Pekini. Kjo është e izoluar, si një shtatmadhori ushtarake, në kohë lufte. Nëse i afrohesh, të përzënë rojet e armatosura mirë, që duken se janë edhe më shumë, se në kohën e Zogut dhe përveç kësaj, kanë edhe qentë e kufirit (‘schefer’). Në këtë qytetin e ndaluar, jetojnë tri familjet, që bashkë-qeverisin Hoxha, Shehu dhe Kapo. Figura më dominuese, është natyrisht Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste, ish-mësuesi i një shkolle në Korçë, Enver Hoxha, pastaj vijnë dy veteranët e partisë, Shehu që është kryeministër dhe Kapo, që është numër 2 i partisë. Që të tre, janë martuar me motrat ose fisin e njëri tjetrit.

Zonjat Hoxha, Shehu dhe Kapo, janë super aktive si komuniste dhe anëtare të shquara të Komitetit Qendrorë të Partisë, që në Shqipëri dhe në Demokracitë e tjera Popullore, përbëjnë bazën e pushtetit. Në postet tjera kyçe, gjenden sërish vëllezër, kunetër dhe kushërinj. Vetëm Hoxha, është kujdesuar pra të ketë vënë në detyra të rëndësishme, një dhëndër dhe gjashtë kushërinj. Kjo botë, që është si një fis, jeton për veten e vet. Herë – herë del Enver Hoxha, së bashku me bashkëpunëtorë dhe i rrethuar nga policë, për të përuruar apo të mbaj fjalim dhe pastaj kthehet në lagjen e tij, si një zot fortese në kështjellën e vet.

Se si shkon jeta mbas murit rrethues me post-roje, nuk e di askush nga ata, që jetojnë jashtë atij blloku vilash! Jetojnë zotërinjtë e vendit, po aq thjeshtë si shqiptarët përgjithësisht detyrohen të bëjnë, apo është standardi i atij lloji sa që duhet të mbahet sekret? Thashethemet pëshpëriten brenda trupit diplomatik në Tiranë, ku çdo shef ambasade e konsideron postin që ka, si një formë dënimi dhe përfaqësitë e huaja perëndimore, kufizohen në dy: ambasadorët e Italisë dhe Francës. Por për shqiptarin e zakonshëm, që ende është një copë orientalisti, çështja nuk përbënte ndonjë interes të madh.

Komunist ose jo, ç´është më e natyrshmja, se ai që i’a arrin të marrë pushtetin rregullon fisin e vet, ai vendos pjesëtarët e familjes në poste kyçe, nga të cilat poste, varet pozita e tij, dhe shijon më të mirën e jetës…! Që Enver Hoxha, para njëzet vjetësh, dukej si një qejfli shtathedhur (playboy), tani duket si një bej i majmur, asnjeri nuk çuditet për këtë. Nisur nga këndvështrimi shqiptar e kundërta, nuk do të ishte e natyrshme.

Kur bëhet natë, Tirana duket si qytet i vdekur. Llamba të forta ndrisin rrugët e braktisura. Por llamba e vajgurit, që ndriste aq qetë më parë, nga arkivoli i Sulejman Pashës, në xhami dhe thuhej se kurrë nuk është shuar, sikurse flaka e përjetshme nën Harkun e Triumfit, nuk ekziston, po ashtu as edhe arkivoli.

Sulejman Pasha, qe një çifligar, që themeloi qytetin dikur në vitet 1500 dhe Enver Hoxha, siç duket mendon se varret kapitaliste të kohës së kaluar, s`kemi pse t´i ruajmë. Opera, fatkeqësisht nuk jep asnjë shfaqje dhe nëse duhet të kaloj mbrëmjen, mbetet veç klubi i natës në hotel “Dajti”. Në fakt ka një klub nate, bile është i pajisur edhe me një tabelë ndriçuese. Banorët e Tiranës, s´mund t´a vizitojnë këtë klub. Lokali është veç për të huaj dhe shpresat janë, se ata do të këmbejnë ndonjë kartëmonedhë të shtetit tyre. Të gjitha tavolinat janë bosh, përveç njërës, e cila shërben si post – observacioni, për dy policë. Të pesë muzikantët me gjysmë zemre, fillojnë me tonet e një valsi vjenez dhe kamerieri, vë një mbulesë mbi tavolinë e do të dijë nëse do të porosis raki, apo lëng limoni! Memorie.al

Nga Sven Aurén! Përkthyer nga Adil N. Bicaku

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Sulm me thikë në zemër të Londrës, por të gjithë presin hetimet

Sulm me thikë në zemër të Londrës, por të gjithë presin hetimet