Reportazhi/ Monumentet e arkeologjisë dhe simbolet e kulturës ilire në Budva (FOTO)

Reportazhi/ Monumentet e arkeologjisë dhe simbolet e kulturës ilire në Budva (FOTO)

Figura qeramike ilire të periudhës helenistike shek. III-II p.e.re, Muzeu i Budvës

Edhe pse Budva nuk ishte në axhenden e vizitave të grupit hulumtues ”Ilirët” gjatë përpilimit të skemës së qyteteve antike ilire në Mal të Zi, ky qytet vetvetiu imponohej si për nga madhështia ashtu edhe për nga historia. Budva është shumë afër Ulqinit kështu që gjithmonë lihej mënjanë si një destinacion i lehtë në të cilin do të mund të shkonim kur të donim. Po kjo ishte një ide e gabuar sepse vendi duhej vizituar e jo të anashkalohej. Vikendet kalonin e ne asesi të mblidheshim. Njëri punonte e tjetri kishte obligime familjare derisa të shtunën më 16 mars 2019 kur Gëzimi ishte i zënë me punë në Athinë, Samiu kishte obligime familjare, Indriti kishte një takim…, unë vendosa që Budven ta preki vetë. Në vitin 2012 rrugicave të kështjellës së Budvës më shoqëroi miku im budvas Rade Mudriçi të cilin sërish e thirra të pijmë nga një kafe dhe të më shoqërojë në eksplorimin tim. Ai sapo dëgjoi atë çka unë dëshiroja menjëherë është vënë në dispozicion të plotë dhe më priste që unë të mbërrija atje.

Budva ndodhet në vijën bregdetare të rrugës Cavtat – Shkodër apo siç quhej në antikitet – Via publica Epidaurus – Scodra dhe njëherit përmendet edhe në Tabula Peutinegeriana.[1] Budva përmendet edhe te Plini Plaku, i cili thotë Ab Epidauro sunt oppida civitum Romanorum Rhizinium, Acruium, Butuanum, Olcinium, quod antea Colchinium dictum est, a colchis conditium… (NH, 3, 143) duke hapur çështjen e të paturit të statusit të municipiumit të këtyre fortifikatave (Risani, Kotori, Budva dhe Ulqini)[2]. Por, Budva përmendet edhe më heret ajo është e lidhur me legjendën e ikjes së Kadmit dhe Harmonisë prej Tebës dhe me themelimin e këtij qyteti nga ata.[3] Në të vërtetë në këto territore ka jetuar fisi ilir i Enkelejve të cilët shtriheshin prej Epidaurusit (Cavtat, Kroaci) deri në Durrachium (Durrësi) dhe sipas një parashikimi që kishin marrë nga një hy, ata pranojnë Kadmin për udhëheqës me ç’rast ata do shkonin drejt fitoreve ndaj fiseve tjera ilire rivale që i kishin në kufijtë e afërt. Kadmi vjen, ata e pranojnë si udhëheqës dhe pas fitoreve ai mbretëron ilirët bëhet edhe me djalë të cilit ia vë emrin Ilir, më vonë së bashku me Harmoninë shndërrohen në gjarpërinj dhe Zeusi ua jep të sundojnë nëntokën.[4] Kadmi ishte djali i mbretit fenikas Agenorit. Atij Zeusi për grua ia jep Harmoninë, e cila ishte vajza e Afroditës dhe Arejit. Dasma e Kadmit dhe Harmonisë njihet edhe si dasma e vetme e një të vdekshmi në të cilën kanë marrë pjesë të gjithë Hyjt e Olimpit. Në Tebë ata jetuan në harmoni ku edhe fituan pesë fëmijë mirëpo më vonë në moshë të thyer u detyruan të vendosen në territorin e Enkelejëve dhe themelojnë Budvën. Ardhjen e Kadmit dhe Harmonisë në tokën e ilirëve e përmendin shumë autorë si helen ashtu edhe romak si dhe tregohen versione të ndryshme të vendosjes dhe mbretërimit të tyre në tokën e Enkelejëve. Po ashtu në Budva gjatë hapjes së themeleve për ndërtimin e një hoteli në vitin 1937/38 bëhet zbulimi i një dyshemeje me mozaik i cili i përkiste një Vile Urbane të shek. I-II e.re, ku për motiv kishte përbindëshin e detit (HIPPOKAMPOI ), një delfin (që simbolizon Neptunin) si dhe kafshë tjera çka të shtyn të vish në përfundim se ka të bëjë me legjendën e themelimit të Budvës nga Kadmi dhe Harmonia. Sipas stilit, formës, teknikës së punës dhe vjetërsisë ky mozaik hyn në grupin e mozaikëve më të vjetër dhe më të rëndësishëm të rajonit. Mirëpo, edhe pse i zhvendosur me qëllim të konzervimit ai kurrë më nuk do të kthehet në vendin e vet.[5]

Duke i sjellë nëpër mëndje këto të dhëna Budva u shfaq para meje dhe së bashku me mikun tim dhe djalin e tij dy vjeçar, Stefanin, morëm menjëherë rrugën për në Muzeun arkeologjik. Sot Budva përveç se është metropolë e turizmit në Malin e Zi dhe me një strukturë popullsie joshqiptare historia e saj që nga themelimi e deri në antikitetin e vonë është plotësisht ilire. Ky fakt ngadalë ka filluar edhe të pranohet edhe pse ngadalë dhe duke ngurruar prapë së prapë vërehen ndryshimet. P.sh., në vitin 2012 kur vizitova Muzeun arkeologjik të Budvës mes të gjitha eksponateve askund nuk munda të vëreja se kishte të shënuar madje as edhe një fjalë e vetme për eksponate që kishin të bënën me ilirët dhe në vërejtjen time që së paku helmeta iliri duhej të ishte shënuar se është ilire kustosja atëbotë nuk bëzani asgjë. Sot, pas shtatë vitesh jo vetëm helmeta por edhe shumë eksponate tjera kishin mbishkrime identifikuese që u përkisnin ilirëve. Kjo ma bëri qefin, edhe pse e di se nuk ka luajtur ndonjë rol vërejtja ime e para shtatë viteve por e ndjej veten krenar që nuk e heshta një fakt që edhe ata e dinin por nuk e thoshin.

Kur jemi te eksponatet ilire, në Budvë janë gjetur disa helmeta ilire të ruajtura mirë, prej të cilave njëra është e ekspozuar në Muzeun e Beogradit, njëra në atë të Cetinës dhe një këtu në Muzeun e Budvës. Kjo helmetë i takon fundit të shek.V p.e.re dhe së bashku me shumë gjëra tjera janë gjetur në Nekropolën e Budvës e cila gjithashtu është zbuluar rastësisht gjatë hapjes së themeleve për ndërtimin e hotelit Avalla në vitin 1937/38. Kur përmendim këtë fakt duhet treguar një të vërtetë të hidhur se: Muzeu arkeologjik i Budvës në posedim nuk ka asgjë nga gërmimet arkeologjike të zhvilluara në vitin 1937/38 pasiqë çdo gjë është tjetërsuar dhe dërguar në muzetë e rajonit e më gjerë si dhe shumë nga to gjenden në koleksionet private. Sot të gjitha eksponatet që gjenden në këtë muze janë të hulumtimeve të pas Luftës së II Botërore.

Figura qeramike ilire të periudhës helenistike shek. III-II p.e.re, Muzeu i Budvës, foto G.Ç

Nekropola e Budvës në të vërtetë përbëhet prej dy shtresave: asaj ilire-helene shek. V-I p.e.re dhe ilire-romake shek. I-VI e.re. Vlen të theksohet se në periudhën helenistike varret kanë qenë në formë drejtkëndëshi të shenjuara me një stelë të hollë mbi tokë duke treguar se dikush është i varrosur aty. Gjetjet e qeramikës, armëve dhe stolive të floririt tregojnë statusin, profesionin, gjendjen materiale të të ndjerit që ishte varrosur aty. E që nekropoli i Budvës ka qenë shumë e pasur me këso eksponate, si kuriozitet duhet përmendur se nga kjo nekropolë vetëm në muzeun e Beogradit gjenden më shumë se 300 eksponate qeramike të periudhës helenistike. Në kuadër të kësaj nekropole identifikohet edhe ajo e periudhës romake e që ka qenë gati dy metra mbi atë më të vjetrën të periudhës helenistike. Kjo periudhë karakterizohet me një lloj të ri të varrimit. Tani të ndjerët digjeshin ose ashtu vendoseshin në tokë ose në urnat e gurit të cilat pastaj gjithashtu u shënonin me stela të ndryshme. Poashtu edhe në këtë periudhë lehtë mund të bëhet identifikimi i statusit dhe rangu i të ndjerit që ka pasë në shoqëri në bazë të gjetjeve të materialit arkeologjik. Për dallim nga periudha helenistike kjo romake karakterizohet me gjetje të enëve të qelqit në numër më të madhe e që gjetjet e qelqit nga nekropoli i Budvës këtë muze e vendosin në rangun e muzeve më të pasur me enët e qelqit. P.sh., mes morisë së enëve të qelqit të formave dhe madhësive të ndryshme, dallojmë edhe ngjyra nga më të ndryshmet si dhe paraardhësit e qelqit të njohur murano e që këtu janë sjellë nga punëtoritë e Italisë së jugut por edhe nga lindja. Me një fjalë mund të themi se përmes nekropolit të Budvës më së miri pasqyrohet kalimi prej kohës së vjetër në atë të re.

Kjo nekropolë padyshim se ka sjell shumë dëshmi për mënyrën e jetës, kulturës, dhe statusit të atyre njerëzve në shoqërinë e atëhershme. Në vitin 2017 shkova në Durrës së bashku me mikun korçar poetin Arjan Kallço, një mik i përbashkët durrësak, Ardi Omeri, na tregoi vendin se ku ndodhej një kryqëzim i rrugës së famshme Via Egntia si dhe Portikun ku fillonte kjo rrugë dhe padyshim mbresat ishin të papërshkrueshme por që diçka të tillë të përafërt hasim edhe në Budvë. Në të vërtetë në Muzeun arkeologjik në katin përdhes, një metër e gjysmë nën nivelin e platosë së kështjellës dhe gjysmë metre nën nivelin e detit gjendet edhe dyshemeja me gurë të mëdhenj e të kuq të vendosur në mënyrë të rregullt që qartë tregojnë rrugën e kalldramuar e që çojnë në drejtim të Portikut të Budvës të cilin budvasit e quanin Pilon e që në të vërtetë është porta hyrëse në qytetin ilir të Budvës antike dhe daton nga shek. VI p.e.re. Kjo portë është e gjërë 2,7m dhe sot gjendet brenda një lokali afarist. Thuhet se Portikun e Budvës e përmend edhe Sofokliu në shkrimet e tija historike kurse edhe kjo rastësisht është zbuluar pas tërmetit të vitit 1979 gjatë punimeve për rregullimin e infrastrukturës së qytetit të vjetër. Kustosja e muzeut me plot lavd flet për portikun e Budës duke e cilësuar si zbulim epokal dhe thotë se është i ndërtuar në stilin e gurëve ciklopik e që i gjason Portikut të Luanit nga Mikena. Pyetjes time se kjo mënyrë e ndërtimit a gjendet më ndonjë vend tjetër ajo pa një pa dy përmend Ulqinin dhe Risanin të cilët janë qytete tipike ilire dhe poashtu muri ciklopik është identifikues për periudhën kohore kur janë themeluar këto qytete d.m.th., shek. VI p.e.re.

Duke u përshëndetur me kustosen e muzeut unë dhe miku Budvas, u nisëm kah gjurmët tjera ilire të Budvës. Në afërsi pra të kështjellës gjendet nekropoli ilir që daton që nga shek. V p.e.re. Sot në këtë kompleks përveç vendeve të varreve dominon edhe një gurë varri 1 metër i lartë në të cilin në të dy anët janë të gdhendura kurora me gjethe e lule të cilat rrinë varur nga dy koka dashi. Në lindje të nekropolit, shumë afër është zbuluar një furrë e cila si duket ka shërbyer për ngrohjen e vilës urbane ku është gjetur mozaiku me motivin e përbindëshit.

Me dëshirë që të shohim sa më shumë, shpejt e shpejt miku më drejtoj drejt altarit të gurit në formë katrore në të cilën qartë shihet shkrimi Vinicia Pavlina i cili daton prej shek. I-II dhe shërbente për të bërë therrore për hyun lokal të asaj periudhe. Interesante të përmendet është edhe ora solare e cila daton nga shek. I-II dhe sot ruhet në Muzeun arkeologjik. Se madhësia e qytetit antik të Budvës do duhej të ishte i përmasave të kështjellës së sotme të shtyn të konkludosh edhe porta shumë e vjetër e mbyllur me gurë dhe që ndodhet mu pranë portës kryesore hyrëse të kështjellës së Budvës. Duke ecur e duke diskutuar për gjurmët ilire miku im më ftoi që të vizitojmë edhe fshatin e tij të origjinës e i cili është gjysmë ore larg Budvës e që ai di vendndodhjen e disa tumulave ilire. Unë normalisht pranoj dhe befas gjendemi pranë bazilikës së shek. V-VI e që në muzeun arkeologjik më parë kishim parë enën e gurit të gdhendur me lule të bukura e që ka shërbyer për pagëzim. Në këtë bazilikë gjatë gërmimeve kanë hasur në dysheme me mbetjet e një mozaiku (afro 30m2) me elemente florale dhe të shpendëve e për mozaikun miku im më tregon se është i punuar sipas një teknike që quhet opus tessellatum të kombinuar me gurë, xhamë mozaiku, gurë mermeri e që të gjithë, sipas tij, janë marrë nga plazhi afër Budvës.

Miku im e dinte se periudha që më interesonte për momentin ishte vetëm periudha ilire deri në antikën e vonë pra deri në shek. VI të erës së re e që gjërat kryesore të kësaj periudhe i kishim vizituar ai insistonte që së bashku të shkonim në kishën e Tre të shenjtëve sepse kishte diçka të tregonte. Themelet e kësaj kishe ishin hedhur në vitin 1805 dhe ishte përfunduar më 1807. Ajo që miku dëshironte ta ndante me mua ishte e ashtuquajtura Dyert e bukura e që ishte e veçantë sepse ishte e punuar nga drugdhendës nga Shqipëria dhe se këto dyer datojnë nga shek. XVII dhe se janë sjellë si peshqesh me rastin e hapjes së kishës!? Habia ime ishte se si dyert ishin mbi 100 vjet të vjetra në momentin kur ishin sjellë aty dhe kjo hapte dyshime për prurjen e tyre në formë dhurate. Dyshimet e mia nuk i bëra publike por shijova mjeshtërinë e punës së drugdhendësve tanë. Dolëm nga aty dhe vajtëm të shijojmë nga një kafe nën rrezet e ngrohta të diellit i cili nën shushurimën e detit të kthente në antikitet dhe të shtynte të meditoje për shumë gjëra. Duke përshëndetur mikun u nisa për në Ulqin me qëllim që sa më parë të hedh në letër impresionet e rrugës së sotme.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja