SPECIALE/ Nga udhëtimi në Shqipëri në ’86-ën, tek fillimi i misionit shqiptaro-francez në Apoloni, rrëfimi i arkeologut Lamboley: Pse mesapët i shohim si ilirët e Italisë

Jean-Luc Lamboley është profesor emeritus pranë Universitetit Lumière Lyon 2. Rikthimi i tij në Shqipëri gjatë muajit prill, lidhet me prezantimin e tezës “Mesapët si ilirët e Italisë” në Akademinë e Studimeve Albanologjike, ndonëse lidhja e arkeologut me vendin tonë është e kahershme. E gjejmë këto ditë në Apoloni, vend të cilin e njeh prej afro 3 dekadash.

“Është e vërtetë që unë e kam filluar karrierën e arkeologut në jug të Italisë, në krahinën që në antikitet quhej Mesapi, e që sot quhet Salento. Duke studiuar këtë krahinë, me kolegë të tjerë që kemi punuar aty, kemi kuptuar që kjo pjesë e jugut të Italisë gjithmonë ka qenë në kontakt në antikitet me bregun tjetër të Adriatikut, me vende që sot i korrespondojnë Greqisë, Shqipërisë dhe Epirit. Pra kështu ka filluar kërkimi im për mesapët dhe pastaj interesi im për arkeologjinë shqiptare. Kishte pasur më parë një iniciativë nga Pier Kaban, profesor karriere në Universitetin e Nanterrës, i cili ka pasur lidhje shumë të ngushta me Shqipërinë, edhe gjatë periudhës komuniste dhe falë tij, unë munda ta vizitoj Shqipërinë në vitin 1986, pra para ndryshimeve të regjimit komunist. Natyrisht që u pasionova në këtë udhëtim të parë, në një periudhë shumë të vështirë, por jemi pritur shumë mirë”, thotë francezi Lamboley.

Më pas, kur profesor Kabani, epigrafist në profesion, në 1993-1994, do të niste misionin e parë arkeologjik shqiptaro-francez në Apolloni, do të kërkonte një arkeolog terreni. Duke njohur punën e Lamboley-t në Italinë e jugut për mesapët, dhe interesin e tij për raportet mes dy brigjeve të Adriatikut, ai e bën pjesë të kërkimeve në Apoloni.

 “I nisa kërkimet me profesor Kabanin në vitin 1994. Siç ju thashë në këtë kohë vendi nuk është se kishte ndryshuar shumë nga ai që kisha gjetur në vitin 1986. Regjimi kishte rënë, por gjendja ekonomike nuk kishte ndryshuar dhe aq. Kështu, kur i fillova gërmimet, njohja ime për Shqipërinë ishte kufizuar në atë që kisha parë në vizitën time të parë. Në atë kohë nuk kishte një shtëpi arkeologu. Ne strehoheshim në manastir që ishte i shkatërruar. Është e vërtetë që kushtet e punës ishin mjaft të vështira. Nuk kishim ujë të rrjedhshëm. Uji vinte i ngarkuar me bidonë nga fshati Pojan, nuk kishte drita, një stuhi të binte, dritat ndërpriteshin. Mund të shkruaj një roman për kushtet e vështira ku jetonim, por që nuk kishin dhe aq rëndësi sepse ndiheshim shumë mirë me kolegët shqiptarë, për të cilët duhet të theksoj se ishin të një niveli të lartë shkencor, nuk di të them për disiplinat e tjera, por për arkeologjinë, po”, shton më tej ai.

Lamboley kujton bashkëpunimin me arkeologët vendas dhe vullnetin e tyre për të nxjerrë në dritë trashëgiminë arkeologjike.

“Arkeologë si Neritan Ceka, Skënder Anamali, Faik Drini dhe shumë të tjerë që mund t’i harroj tani, të gjithë kolegët me të cilët kemi punuar atë kohë, kishin vërtet përgatitje të një niveli të lartë shkencor, e them këtë nisur nga fakti që e donin shumë vendin e tyre dhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë dhe sepse pothuajse të gjithë kishin kryer studimet në Francë. Regjimi komunist ishte një regjim i ashpër, por ai autorizonte dijetarët të shkonin jashtë për të përsosur edukimin e tyre. Pothuajse të gjithë kolegët shqiptarë flisnin frëngjisht. Për fat të keq mua nuk m’u desh të mësoj shqip dhe për këtë me vjen keq. Kështu shumë shpejt ndërtuam shtëpinë e arkeologut që ju e shikoni edhe sot. Profesor Kabani e ndërtoi atë me kushte shumë më të mira se ç’kishim në manastir, dhe prej vitit 1996 të gjithë mbulonim një terren kërkimi” thotë arkeologu.

Arkeologu rrëfen, si e shikon të ndryshuar Shqipërinë prej fillimviteve ’90, duke u ndalur edhe tek zhvillimi i kërkimeve arkeologjike.

“Prej asaj kohe deri më sot kemi një zhvillim të jashtëzakonshëm të Shqipërisë, akoma i brishtë në raport me vendet e tjera të Evropës, por kur shkon në Tiranë e gjen veten si në çdo kryeqytet të Evropës. Pavarësisht rrethanave akoma të vështira të jetës politike dhe ekonomike, shteti shqiptar ka bërë progres të dukshëm. Për paradoks e gjitha kjo nuk ka pasur pasoja në kërkimet tona. Kemi qenë në gjendje të bëjmë kërkime shumë të mira edhe në kushte të vështira. Personalisht gjithnjë më ka pëlqyer të vij e të punoj në Shqipëri. Ashtu siç ju thashë në fillim, kërkimet e mia kanë qenë të lidhura vetëm me Apoloninë. I njoh edhe qendrat e tjera arkeologjike, por unë kam qenë vetëm këtu i përqendruar”, rrëfen ai.  

Ndonëse fokusi ka qenë Apolonia, ai është njohës i mirë i territorit shqiptar dhe i ka shtrirë kërkimet deri në Dardaninë antike.

“Kam pasur rastin të inicioj bashkëpunimin shkencor me Kosovën me Universitetin e Prishtinës, me profesor Arben Hajdarin.  Dhe paralel me kërkimet në Apoloni, në vitet dymijë, ngritëm një mision franko-kosovar në sitin arkeologjik të Ulpianës. Tani jam në pension, ia kam dorëzuar pishtarin për Apoloninë profesor Stefan Vershesë dhe për Kosovën, është profesor Kristof Godar. Tani kam mjaft kohë të merrem me studime dhe e di që arkeologjinë franko-shqiptare e presin akoma shumë vite përpara”, shprehet Lamboley.

Kuriozë për “Mesapët si ilirët e Italisë”, i kërkojmë arkeologut të ndajë me ne disa nga rezultatet e kërkimeve dhe  studimeve, të një jete.

'Në fakt patëm rastin ta trajtojmë këtë temë gjatë një konference në Tiranë, me ftesë të profesoreshë Belisa Mukës, drejtore e Institutit të Arkeologjisë, dhe rektorit të “Akademisë së Studimeve Albanologjike, Luan Përzhita. Për ta përmbledhur, dimë me siguri, në mënyrë shkencore, që duke nisur prej fundit të shekullit të dhjetë para Krishtit kishte emigrim popullate nga Iliria drejt Salentos, Mesapisë. Kjo do të thotë se, nga ajo që unë kam studiuar, midis paraardhësve të mesapëve janë edhe ilirët dhe çështja që shtrohet këtu është çështja e gjuhës, e gjuhës mesape. Fatkeqësisht nuk kemi mbishkrime në ilirishte, përveç emrave familjarë që gjenden në gurët e varreve, por ne nuk mund ta studiojmë gjuhën nisur nga këta emra vetëm. Kështu pra, ilirët nuk kishin veçse traditë orale, nuk kishin shkrim. Përkundrazi, mesapët, e mësuan shkrimin nga grekët dhe e  transkriptuan gjuhën e tyre në shkrime. Kemi mbishkrime mesape të cilat janë studiuar nga një dijetar, profesor de Simone', tregon ai.

Lamboley zbulon më tej lidhjen e mbishkrimeve e gjetjeve të tjera të mesapëve me prejardhjen e tyre ilire.

“Janë disa qindra mbishkrime, pjesa më e madhe e tyre mbishkrime funerare, jo domosdoshmërisht mbishkrime kulti, disa shkojnë deri në 30-40 radhë. Ashtu si për etruskishten, këto mbishkrime nuk kanë arritur të transkriptohen, por kemi një farë njohjeje të gjuhës mesape. Të gjithë specialistët bien dakord që këta mesapë janë të një dege nga Iliria. Ky ka qenë një zbulim mjaft i rëndësishëm. Dikur profesor de Simone thoshte se kishte shumë dyshime që mesapët vinin prej Ilirisë, por nuk mund ta provonte. E më në fund, në fund të studimeve të tij, në pension tashmë, ai ka pranuar se kishte shumë-shumë mundësi që mesapët të kenë ardhur nga Iliria. Kjo është e rëndësishme sepse falë mesapëve kemi një ide për atë që mund të ketë qenë gjuha ilire”.

M.Q./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës