SHBA - Theodhora Hinxhia është një shqiptare e cila jeton dhe punon në Konkord të Masaçusets(SHBA). Ajo ka hapur restorantin e saj pas 15 vitesh qëndrimi në SHBA.

Theodhora thotë për median Concordmonitor se ka punuar fillimisht në restorantin e gjyshes së saj në Shqipëri, ku dhe mësoi që të gatuante. Pasioni i saj për kuzhinën është shumë i madh.

Edhe pse ishte diplomuar për veterinari në Shqipëri, ajo e adhuronte punën në restorant. "Kam mësuar nga kuzhinier të mëdhenj në restorantin e gjyshes", tregon 47-vjeçarja shqiptare.

Pas kësaj, ajo punoi në picerinë e vëllait të saj në SHBA. "Unë dhe Remi jemi motër dhe vëlla në shtëpi. Kur punojmë së bashku, ne mësojmë njëri-tjetrin. Nuk mund të kisha një vëlla dhe partner më të mirë biznesi", thotë Theodhora për Concordmonitor.

Siç e përshkruan dhe faqja online amerikane, shqiptarja mikpritëse dhe me buzëqeshje në fytyrë ofron për klientët ushqime tradicionale nga vendi i saj, Shqipëria.

Ajo do që klientët të shikojnë kulturën e vendit të saj. "Unë dua që të thonë se ushqimi im është jo vetëm i mirë, por i shkëlqyer". Theodhora ndihet shumë mirë me punën që bën dhe shpreson që gjyshja e saj të jetë krenare për të.


(v.gj/shqiptarja.com)