Aktivitete të shumta janë organizuar në burgun e Fierit, në kuadër të festave të fundvitit për të gjithë personat që vuajnë dënime në këtë institucion. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Artur Zoto tha se riintegrimi dhe rehabilitimi i tyre është thelbësore.

burgu fier

Bashkia Fier organizoi një koncert në institucionin e ri të burgut Fier me të ftuar nderi aktorët e mirënjohur, Artistë të Popullit, Reshat Arbana dhe Luftar Paja, si dhe historianin Prof.Dr. Moikom Zeqo.

Gjithashtu, të pranishëm ishin drejtues të qeverisjes vendore, deputetë zonalë dhe artistë të qytetit të Fierit.

burgu fier

Në këtë aktivitet ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto i cili tha se ky aktivitet ka një simbolikë shumë të madhe, sepse aktivitete të tilla kanë lidhje edhe me misionin që ka Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, që është rehabilitimi dhe riintegrimi i këtyre personave në shoqëri.

Ka një lidhje shumë të madhe midis procesit të riintegrimit dhe artit, sepse edhe vetë ky proçes është art. Prandaj ne kemi këtu sot ikonat e artit, të cilët njohin më mirë jo vetëm ndjeshmërinë njerëzore, por edhe nevojën apo shpresën tuaj për të dalë sa më shpejt nga ky institucion. Ju tashmë jeni njohur me iniciativën e Ministrit të Drejtësisë për miratimin e ligjit të amnistisë, që është dhurata më e mirë që mund t’ju bëjmë juve dhe të afërmve tuaj në këtë fundvit, pasi disa nga ju do të kenë fatin të lirohen menjëherë pasi ligji të hyjë në fuqi. Me këtë iniciativë ne kemi patur parasysh respektimin e dinjitetit tuaj, sepse në vetvete amnistia nuk është thjesht një politikë penale apo heqje dorë e shtetit nga ndjekja penale, por lidhet me respektimin e dinjitetit tuaj” tha Zoto.

Edhe drejtori i institucionit pritës të IEVP Fier, Arjan Hasani në fjalën e tij përshëndetëse u uroi festat banorëve të këtij institucioni, apo siç i quajti ai ‘bashkëudhëtarët e tij’, të cilët nuk i ka konsideruar asnjëherë si vuajtës dënimi, por si pjesë e një misioni të përbashkët që ka në fokus bashkëjetesën, harmoninë dhe tolerancën.

Atmosfera festive vijoi përreth dy orë, me këngë popullore të trevës dhe interpretime nga këngëtarë të muzikës së lehtë.

burgu fier


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)