TIRANË, 19 Nëntor/ATSH/-Bashkia e Tiranës ka dalë sot në një njoftim për mediat për të sqaruar problematikat që ka hasur gjatë inspektimit, pas reshjeve të dendura të shiut në kryeqytet një natë më parë.
Tirana sot paraqitet e stabilizuar, thuhet në njoftimin e Bashkisë së Tiranës, duke shpjeguar situatën se "shirat e rrëmbyer të një nate më parë kanë shkaktuar probleme serioze në rrugë, shtëpi dhe biznese. "Shtabi i Emergjencave të Bashkisë së Tiranës është mbledhur menjëherë me rritjen e intensitetit të reshjeve mbrëmjen e djeshme dhe ka përcaktuar detyrat për të gjitha ndërmarrjet dhe Policinë Bashkiake. 450 punonjës të Bashkisë dhe Policisë Bashkiake kanë qenë gjatë gjithë kohës në terren", vijon njoftimi.
Bashkia e Tiranës bënë me dije se "6 mjete të grupeve të gatshme të Policisë Bashkiake dhe karroatrecë u instaluan pranë çdo zone. Janë angazhuar gjithsej 220 forca të Policisë Bashkiake të cilët u kanë ardhur në ndihmë përdoruesve të automjeteve të cilët kanë pasur vështirësi qarkullimi dhe probleme teknike, për shkak të nivelit të lartë të ujit".
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo ka inspektuar sot të gjitha zonat me probleme në Tiranë. Në Urën e Shkozës dhe tek banesat sociale ku ndodhen edhe përmbytjet më të mëdha, Bozdo duke folur për mediat është shprehur se "i kemi kërkuar ndihmë Prefektit, pasi ka nevojë për mjete të specializuara". Ai i kërkoi qeverisë të hapë menjëherë financimin, në mënyrë që përmbytje të tilla të menaxhohen më mirë për t'u ardhur në ndihmë qytetarëve"./i.v//m.m/









