Reshjet e dëborës janë rikthyer përsëri në qarkun juglindor, kryesisht në lartësitë 1100 deri në 1200 metër.
Reshjet kanë shkaktuar problematika për furnizimin me energji për disa abonentë. Konkretisht, fideri Vithkuq, N/St Rehovë rezulton pjesërisht në punë, pa energji 205 abonentë në zona rurale dhe rurale të thella (Lekas, Xerje, Gurmujas, Gjonbabas, Tudas, Gjergjevicë, Denas, Mazrekë, Brozdovec, Gjinikas, Protopapë, Peshtan, Osojë, Kodras).
Fideri 1, N/St Pogradec, pa energji 317 abonentë në zonën Verdovë. Fideri Potozhan, N/St Guri i Kuq, pa energji 1983 abonentë në zona rurale dhe rurale të thella.
Ndërkohë, qarkullimi nuk paraqet problematika në asnjë prej akseve.
Në zonat rreth Pogradecit kryesisht gjatë orëve të para të mëngjesit reshjet e dëborës kanë qenë me një intesitet të ulët deri në mesatar. Kjo ka bërë që autoritetet të pastrojnë akset kyce atje ku stuhia e dëborës ka qenë më e dendur.
Në aksin Qukës-Qafë Plloçë dhe në majën e Qafë Thanës, dëbora ka qenë më e dendur gjatë natës duke arritur trashësi të mëdha, por për shkak të kushteve atmosferike pranverore ajo ka nisur të shkrijë duke mbetur ende prezente vetëm në zonat malore. Edhe në zonat turistike të Dardhës, Voskopojës dhe Boboshticës, Leskovikut, Ersekës ka pasur prezencë të reshjeve të dëborës.
Autoritetet bëjnë thirrje që drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes në qarkullimin e automjeteve në këto zona.
Lajmi kryesor:
Dimër në pranverë, veriu e juglindja zbardhen nga dëbora! Vështirësohet lëvizja e automjeteve në Llogara, fermerët shqetësohen për prodhimet bujqësore










