Reshjet e dëborës kanë zbardhur Kukësin, ku kalon dhe Rruga e Kombit.
8 borëpastruese punojnë për largimin e borës në segmentin Morinë-Tunel i Kalimashit, pasi fluksi i lëvizjes është i lartë. Policia këshillon drejtuesit e mjeteve të përdorin goma dimërore dhe të ulin shpejtësinë.
Ndërsa në fshatrat malorë të Kukësit, si Kollovoz, Stanet e Novesojt e Arrën lëvizja bëhet vetëm me zinxhirë pasi trashësia e borës i kalon 40 cm. Në disa zona mungon energjia elektrike.
Nga reshjet e dëborës janë përshirë dhe fshatrat alpin në Malësi të Madhe dhe Shkodër. Firmat kontraktore po punojnë për të mbajtur të hapura akset Hani i Hotit-Tamarë, Tamarë-Vermosh dhe Bogë-Theth. Qarkullimi kryhet pa ndërprerje.
Trashësia e dëborës, sidomos në Qafë Thore shkon deri në 1 metër. Prefektuara e Shkodrës bën të ditur se akset Hani i Hotit-Tamarë, Tamarë-Vermosh dhe Bogë-Theth është punuar pa ndërprerje dhe rrugët janë të pastruara dhe të kriposura.
Megjithatë për të gjithë drejtuesit e mjeteve rekomandohet që të lëvizin me kujdes, të përdorin gomat dimërore ose zinxhirë.