Reshjet e dendura të shiut gjatë ditës së sotme në zonat malore të Shkodrës kanë sjellë probleme në fshatin Theth, ku përroi i fshatit ka dalë nga shtrati për shkak të prurjeve të mëdha të ujit.

Si pasojë, uji ka hyrë në disa bahçe dhe toka të banorëve të zonës. Ndërkohë, aksi rrugor Theth–Ndërlysaj është bllokuar për shkak të rënies së inerteve në rrugë.

Po punohet për pastrimin e inerteve dhe rikthimin e qarkullimit të automjeteve, ndërsa situata vijon të monitorohet.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:14
Përroi del nga shtrati në Theth të Shkodrës, uji vërshon me furi! Përmbytjet vështirësojnë qarkullimin, Beci: Shërbimet e Bashkisë në gatishmëri (VIDEO)

 

Qarkullimi në aksin Theth Ndërlysaj në Shkodër është vështirësuar ndjeshëm si pasojë e reshjeve të dendura në zonë që nxitën edhe daljen nga shtrati të përroit. Siç shihet edhe nga pamjet në zonë uji ka vërshuar me furi duke e bërë të rrezikshme situatën për shoferët. 

"Shërbimet e Bashkisë Shkodër janë në gatishmëri dhe po ndjekin nga afër situatën në Theth, në Njësinë Administrative Shalë. Reshjet e dendura të sotme kanë shtuar prurjet e përroit të fshatit. Për momentin, nuk ka rrezik për banesat. Aksi Theth–Ndërlysaj mbetet i bllokuar nga rënia e inerteve. Po marrim masat për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e qarkullimit" shkroi kreu i Bashkisë Shkodër Benet Beci në Facebook