Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë rajonin e Lezhës që prej mesnatës së kaluar kanë shkaktuar probleme në furnizimin me energji elektrike dhe lëvizjen detare.

Sipas të dhënave, shumë fshatra në zonën e Zadrimës, si dhe në njësitë administrative Kolsh dhe Zejmen, kanë ngelur pa energji elektrike për shkak të defekteve të shkaktuara në rrjet.

Grupet e punës së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ndodhen në terren dhe po punojnë për rikthimin e energjisë në zonat e prekura.

Ndërkohë, nga moti i keq në brigjet e Shëngjinit është krijuar dallgëzim i lartë, çka e bën të rrezikshme lundrimin me mjete të vogla. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të varkave të peshkimit që të tregojnë kujdes dhe të shmangin daljet në det deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.

Nga ana tjetër strukturat e emergjencave civile në të tre Bashkitë e Qarkut të Lezhës, janë vënë në gatishmëri për t'i paraprirë çdo situatë që mund të krijohet.