Reshjet e dendura të ditëve të fundit në Kukës, përveç ndërprerjeve të herëpashershme në furnizimin me energji elektrike, kanë treguar edhe një herë gjendjen e rënduar të infrastrukturës rrugore në zonat e thella malore.
Në fshatin Kolesjan, në lagjen Palush, rrëshqitja e dheut nga prurjet e ujit bllokoi segmentin rreth 2 kilometra që e lidh lagjen me rrugën nacionale Kukës-Bicaj-Kolesjan-Bushticë.
Fadroma e Drejtorisë së Rrugëve të Bashkisë Kukës, ka ndërhyrë për të hapur qarkullimin.
Faik Palushi, kryetar i lagjes, thotë se situata përsëritet sa herë bie shi me intensitet.
Sipas tij, rruga që shërben për 24 familje është prej vitesh në gjendje tepër të amortizuar dhe banorëve u është premtuar nga bashkia se do të ndërtohet
Edhe Drejtoria e Rrugëve Rurale konfirmon se reshjet e ditëve të fundit krijuan probleme në disa segmente rrugore.
Bilbil Shahu, drejtori i Rrugëve Rurale, thotë se ekipet kanë ndërhyrë menjëherë në çdo pikë ku është raportuar bllokim.
Ai shton se, pavarësisht dëmeve në infrastrukturë, nuk është evidentuar asnjë rast përmbytjeje apo depërtimi të ujit në banesa dhe izolim të banorëve.
Situata më problematike është paraqitur në Zapod dhe në segmentet rrugore të Koloshit, ku mjetet e rënda janë detyruar të ndërhyjnë dy herë për të garantuar qarkullimin.
Megjithëse situata është stabilizuar, banorët e zonave të thella rurale thonë se çdo kohë me reshje e shndërron qarkullimin në sfidë, duke treguar nevojën urgjente për investime të qëndrueshme në rrugët lidhëse te fshatrave që mbeten jetike për banoret e zonave te larta malore.
Lajmi kryesor:
Moti i keq/ Vjosa del nga shtrati te Ura e Mifolit në Vlorë, evakuohen 14 familje në Njësinë Novoselë dhe Fier! Çahet argjinatura në Kune Vain, pamjet me DRON









