Reshjet e dendura të shiut gjatë natës kanë ndihmuar në shuarjen e vatrave të zjarrit në qarkun e Vlorës, për të cilat Ministria e Mbrojtjes tha se vihen nga një grup kriminal. Vatrat janë shuar pothuajse plotësisht në fshatin Vajzë dhe në Drashovicë të bashkisë Selenicë. Aktualisht, një vatër e vogël mbetet aktive në fshatin Mavrov, por autoritetet raportojnë se ajo është drejt shuarjes.
Sot, Forcat e Armatosura kanë nisur një helikopter drejt Selenicës dhe një tjetër u bë gati për në zonën e Finiqit.
Mbrëmjen e së enjtes, në përditësimin e situatës nga zjarret në Vlorë, tha se "tipologjia dhe kronologjia e këtyre vatrave krijojnë bindjen e arsyeshme se kemi të bëjmë jo vetëm me zjarrvënie të qëllimshme, por me një grup të strukturuar kriminal në veprim në këtë zonë, anëtarët e të cilit kanë zgjedhur të veprojnë në orët e natës, kur është e pamundur ndërhyrja nga ajri."
Një vatër e re zjarri është shfaqur sot edhe mes fshatrave Dërmish dhe Rumanxa, teksa era favorizon flakët dhe rrezikohen banesat. Edhe helikopteri në aksion për shuarjen e flakëve nga ajri.
Vatrat e zjarrit janë shuar edhe në bashkinë e Fushë-Arrëzit. Konkretisht, janë shuar vatrat në zonën e Lumit të Trunit, Kulumri dhe në pyjet e Kryeziut, ku situata u paraqit mjaft problematike gjatë pasdites së të enjtes.
Si pasojë e zjarreve, në ekonominë pyjore Sakat – Laku i Hithit janë djegur 60 hektarë pyje, ndërsa u përshkruan rreth 130 hektarë të tjerë. Edhe në zonën e Kryeziut janë shkrumbuar afro 7 hektarë pyje me pisha.
Dy zjarrvënës kanë rënë në prangat e policisë. 43-vjeçari Elvis Bylyshi u arrestua pasi ndezi zjarr qëllimisht në vendin e quajtur “Fshati i Vjetër” në Selenicë pas konfliktit me bashkëfshatarin duke djegur një sipërfaqe me ullinj dhe rrezikuar bagëti të imta. Ndërkohë, në Gramsh ra në pranga një 26-vjeçar që ndezi zjarr në pyllin e fshatit Bersnik i Poshtëm dhe rrezikoi banesat. Nën hetim u vendos babai i tij.
Gjatë orëve të fundit janë evidentuar 13 vatra zjarri, nga të cilat 9 vatra janë shuar, 2 vatra janë aktive, 2 vatra janë në monitorim.
Ndërkohë, Forcat zjarrfikëse, me ndihmën edhe të Forcave të Armatosura po vijojnë ndërhyrjet në disa zona të vendit për shuarjen e vatrave të zjarrit. Në Finiq të Vlorës, dy helikopterë të FA janë duke kryer operacione intensive nga ajri, duke mbështetur forcat tokësore në shuarjen e flakëve.
Aktualisht aktive mbeten vatrat në Pezë Helmës, njësia Pezë, Tiranë: Vatra e zjarrit po mbahet në mbikëqyrje deri në fikjen përfundimtare. Sot janë shfaqur disa vatra të vogla brenda perimetrit të djegur.
Ibë, njësia Bërzhitë, Tiranë: Është aktivizuar një vatër zjarri në sipërfaqe me shkurre dhe mare, pranë zonës ku një vatër u shua një ditë më parë. Terreni është i paarritshëm për mjetet zjarrfikëse. Në ndërhyrje kanë marrë pjesë 12 forca zjarrfikëse me pajisje individuale dhe 4 forca të APR.
Parku Natyror Gërmenj, njësia Leskovik: Vijon puna për shuarjen e zjarrit, me angazhimin e 3 mjeteve dhe 14 efektivëve zjarrfikës të MZSH Kolonjë, si dhe 6 forcave policore.
Në fshatin Dërmish, njësia Finiq, Vlorë, vijon puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre. Në terren po veprojnë 5 automjete zjarrfikëse me 20 efektivë të MZSH Finiq, 20 forca vullnetare dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura, të cilët po kryejnë operacione nga ajri për shuarjen e flakëve. Momentalisht nuk ka rrezik për banesa.
Një vatër e re zjarri është shfaqur sot (22 gusht) ndërmjet fshatrave Dërmish dhe Rumanxa, në Bashkinë Finiq.
Në vendgjarje kanë shkuar shumë zjarrfikës. Gazetari i Report Tv, Limos Didani, teksa ka siguruar edhe pamjet e zjarrit dhe operacionit, informon se era e favorizon flakët në përhapjen e tyre.
Gjithashtu vatra e zjarrit përbën rrezik për banorët, sepse flakët kanë drejtim nga fshati Rumanxa.
Më herët Ministria e Mbrojtjes kishte njoftuar nisjen e y helikopterëve në Selenicë dhe Finiq, që janë parë edhe në aksion pasditen e sotme, për shuarjen e flakëve nga ajri.
Pamje nga zjarri i rënë dje në Selenicë
Ndërsa shërbimet e emergjencave po luftojnë çdo minutë me flakët në zonën e qarkut të Vlorës, që shpërthyen ditën e djeshme si një akt i qëllimshëm nga një grup kriminal i dyshuar, forca të tjera mbështetëse janë nisur drejt Jugut.
Bëhet fjalë për 1 helikopter të Forcave Ajrore që ka fluturuar drejt Selenicës, aty ku janë vatrat kryesore.
Gazetari i Report Tv, Armand Xhelili, informon se një tjetër helikopter po bëhet gati për t'u nisur për operim edhe në Bashkinë Finiq.
Ulja e temperaturave dhe reshjet përmirësuan disi situatën e flakëve në vend, por problematike mbetet ajo në qarkun e Vlorës.
Një 26-vjeçar është arrestuar në Gramsh, ndërsa babai i tij është vënë në hetim pasi janë kapur nga policia duke ndezur zjarr në pyllin e fshatit Bersnik i Poshtëm. Nga përhapja e flakëve u dogj një sipërfaqe pyjore dhe u rrezikuan banesat përreth.
“Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e autorësisë së rasteve të zjarrvënieve dhe arrestimin e përgjegjësve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh vunë në pranga shtetasin F. S., 26 vjeç dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin R. S., 70 vjeç (babai i shtetasit F. S.).
Këta shtetas janë kapur në flagrancë, dje, nga shërbimet e Policisë, duke ndezur zjarr në pyllin e fshatit Bersnik i Poshtëm, njësia administrative Kodovjat. Nga përhapja e flakëve u dogj një sipërfaqe pyjore dhe u rrezikuan banesat përreth”, njofton Policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan apelon për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Gjithashtu, fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.
Një 43-vjeçar është arrestuar në Selencië për zjarrvënie. Policia thotë se Elvis Bylyshi ka ndezur zjarr qëllimisht ditën e djeshme në vendin e quajtur “Fshati i Vjetër”, Drashovicë pas një konflikti me bashkëfshatarin e tij, dhe për pasojë është djegur një sipërfae toke me ullinj.
Sipas policisë, nga zjarri u rrezikuan edhe bagëtitë e imëta të bashkëfshatarit.
"Si rezultat i veprimeve hetimore të shpejta dhe profesionale për dokumentimin e rasteve të zjarrvënieve dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Selenicë bënë ndalimin me iniciativë dhe referuan materialet procedurale në Prokurori, për shtetasin:
E. B., 43 vjeç, banues në fshatin Drashovicë, Selenicë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se ky shtetas, më datë 21.08.2025, rreth orës 19:30, në vendin e quajtur “Fshati i Vjetër”, Drashovicë, ka ndezur zjarr në mënyrë të qëllimshme, pas një konflikti me bashkëfshatarin e tij, shtetasin F. N. Si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe toke e mbjellë me ullinj dhe janë rrezikuar të digjen bagëtitë e imta të shtetasit F. N.", njofton policia.
Komente





