Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku ka deklaruar në një intervistë për “Report TV”, se në kryeqytet nuk janë krijuar problematika të theksuara si pasojë e reshjeve.

“Kolektorët e qytetit janë pastruar gjatë vitit dhe këtë herë nuk patëm përmbytje në zonën e qytetit, por në zonat përreth tij. Konkretisht në Zall-Bastar, Zall-Herr dhe Kashar, që kanë pasur probleme nga përrenjtë që kalojnë në zonë, të cilët kanë patur prurje uji dhe kanë bërë që të ndërpriten kontaktet”, ka deklaruar Mazniku.

Ai ka bërë me dije se numri familjeve të evakuuara nga këto zona është 12, shumica prej të cilave kanë vendosur, sipas tij, të shkojnë tek familjarë të tjerë, ndërsa vetëm 2 kanë qëndruar në strukturat e ngritura nga bashkia.

“Reshjet pritet të vijojnë, por jo në volume të mëdha. Volumet do të jenë më të ulëta dhe të qëndrueshme”, ka thënë më tej Mazniku, i cili ka nënvizuar se problemi akut është ai me Bovillën.

“Si pasojë e shirave uji është turbulluar aq shumë saqë ne nuk kemi mundësi ta përpunojmë dhe ta bëjmë të pijshëm për qytetarët. Ftojmë qytetarët që në orët në vijim të kursejnë sa më shumë ujin e pijshëm dhe të përdorin sa më pak ujin në familje”, ka apeluar Mazniku, i cili ka mohuar që nga Bovilla nuk ka patur shkarkime.

“Ne vijmë nga një thatësirë e gjatë dhe gjithë uji që ka ardhur ka qenë i dobishëm. Jemi ende në nivelet normale”, ka vijuar nënkryetari i Bashkisë së Tiranës.

Sa i takon debateve për përmbytjet, të cilat u janë atribuuar palmave, Mazniku është përgjigjur: “Përmbytjet nuk kanë ndodhur për shkak të pemëve dhe palmave, por për shkak të bllokimeve të kanaleve”. 

G.F. / Shqiptarja.com