Restaurim|Histori/ Portreti i një gjenerali të lashtësisë në Butrint

Restaurim|Histori/ Portreti i një gjenerali të lashtësisë në Butrint

Në sallën e fundit të Muzeut Arkelologjik të Tiranës, e pikërisht në faqen ballore të saj, është ekspozuar mbi një bazament  prej mermeri të kuq e  të bukur, portreti i “Agrippa”-s, skulptura e tij dinjitoze.

     Agrippa, ( Markus Vipsanius Agrippa ), ka qenë një personazh real i historisë. Ai komandoi flotën e Oktavianit në betejën kundër Mark Antonit, e pra, po të shprehemi me gradat e sotme ushtarake, ai ishte një gjeneral i detit, një admiral.

Ngjarjet u zhvilluan në kohën e Romës së lashtë, kur ajo ishte republikë. Mark Antoni ka qenë martuar me motrën e Oktavianit. Por erdhi një ditë dhe ai e braktisi gruan dhe u lidh me Kleopatrën, mbretëreshën e fuqishme të Egjyptit ptolemaik.

E gjitha kjo u konceptua nga Oktaviani dhe nga Senati romak si një lëvizje e rrezikshme separatiste, që kërcënonte unitetin e Republikës romake. Punët shkuan  deri aty, sa që të fillonte lufta. Beteja detare u zhvillua në detin Jon, në kepin Actium, që i përkiste provincës romake të Epirus Vetus, me 2 shtator të vitit 31 para Krishtit. Flota e Mark Antonit, e përkrahur edhe nga flota e Kleopatrës, kishte 500 anije, ndërsa ajo e Oktavianit, gjysmën. Kjo komandohej nga Agrippa, i cili konsiderohet edhe si arkitekt, apo me mirë strateg i fitores së Oktavianit. Përleshja ishte e rëndësishme dhe e egër, aq sa mbeti epokave si një ngjarje frymëzuese. Piktori Laureysa Castro na ka dhënë  në vitin 1672 një pikturë baroke, që ruhet në Muzeun kombëtar të marinës, në Mbretërinë e Bashkuar.

Fitorja e Oktavianit konsolidoi fuqinë e tij mbi Romën. Ai mori titullin Princeps, që do të thotë “Qytetar i parë” dhe mbas disa vjetëve, August, i nderuar, apo i shenjtëruar.

Por Agrippa nuk u harrua. Zotësia e tij e bëri që të meritonte jetëzimin në art. Vetëm në Shqipëri janë zbuluar gjatë gërmimeve arkeologjike dy portrete të tij, i pari dhe më i bukuri, ai për të cilin po shkruajm dhe që u gjet nga Luixhi Maria Ugolini kur po zbulonte teatrin e Butrintit në vitet 1928 – 1930 dhe i dyti më 1980, nga ekspeditat tona. Ka edhe nëpër botë portrete të tjera të tij, si përshembull ai i ekspozuar ne Luvër, apo ai i Firences, por portreti i zbuluar nga Ugolini në Butrint, është një yll në konstelacionin Agrippa.

Arkeologët mendojnë se është gdhenduar këtu, në një punishte vendase.

Fytyra e tij, e paraqitur në art është e gurtë, njëlloj si mermeri në të cilin është realizuar. Një fytyrë paksa gjatoshe me nofulla dhe vetulla dhe me buzë të shtrënguara. Është një fytyrë që paraqet  karakter të fortë ushtaraku. Është e ngrirë, sikur të ketë parë meduzën! Mendohet që skulptori e ka realizuar në në një stil klasik dhe idealist dhe se ndoshta  ka patur si qëllim që ta bënte portretin më të ngjashëm me atë të Augustit, për të vënë në pah aleancën midis tyre. “Një autor romak thotë se Agrippa i bindej vetëm njërit, (Augustit), por urdhëronte gjithë të tjerët!”

Nuk e dimë saktësisht kohën e realizimit të portretit, por dimë që Agrippa vdiq në vitin 12 mbas Krishtit. Dy studiues, Elizabeth Bartman dhe C. Brian Rose kanë çfaqur mendimin se ka mundësi që portreti i zbuluar nga Ugolini të ketë qenë një portret përkujtimor, i gdhendur pas vdekjes së Agrippës.

Dikur, aty nga viti 1983, arkeologët më sugjeruan që të ndërmerrja një restaurim të mëtejshëm të portretit, që ishte i njollosur me blana të errëta kafe, në të zezë, të shkaktuara nga qëndrimi  njëmijë e nëntëqint vjeçar nën tokë.

U vura përballë me të dhe e vëzhgova me kujdes. E vëzhgova jo vetëm në aspektin teknik të konservimit muzeal. Përshtypja e parë ishte fizionomia e tij, që m’u duk si e një njeriu të njohur. Dhe m’u kujtuan fytyrat e sa e sa gjeneralëve që kam patyr rastin t’i shoh në realitet, apo në foto. Të gjithë gjeneralët e vërtetë janë njësoj, të gjithë më fytyra të thara, të rrepta e të ngrira. Gjeneralët janë aleatët e vdekjes. E zeza na e sjell më afër fatalitetin e rolit të tyre. Nga ky këndvështrim mendova se njollat e errëta nuk e dëmtonin fizionominë e fituar nga koha dhe se i shkonin aspektit të tij ushtarak. Për më tepër ato theksonin rolin e dritë-hijes, aq e rëndësishme në leximin e volumit të një vepre arti.

Nga kjo pikpamje, pra e vlerësimit artistik, njollat nuk e dëmtojnë portretin, madje, po të shprehemi me gjuhën e skulptorëve, ato e pasurojnë. Si të tilla nuk janë të gabuara: Toka dhe koha i  kanë dhënë portretit një tonim artistik pozitiv.

Arsyetimi për vlerësimin e situatës thellohet në se do të marrim parasysh anën teknike të problemit. Skulptura ka qenë në tokë për nëntëmbëdhjetë shekuj. Nëntëmbëdhjetë  shekuj e kanë berë punën e tyre komplekse mbi mermer. Uji i shiut, i pasuruar me gazin karbonik të tretur në të, bashkëvepron me mermerin duke krijuar kripëra dhe minerale, në të cilat ndërhyn edhe hekuri në format e ndryshme që ndodhet në tokë. Shkurt dhe thjeshtë krijohet një cipë ngjyrë krem-qumështi, e pasuruar herë-herë edhe me njolla, që quhet patina e gurit. Kjo patinë, e fisnikëron gurin dhe mermerin, duke i shtuar vlerën artistike: Ta heqësh është gabim.

Njollat kafe në portretin e Akripës nuk janë vetëm bllana, por edhe një si rrjetë e tërë dhe e çrregullt, e krijuar nga rrënjët e bimëve. Atje ku ka bimë krijohen acidet humike. Këto bashkëveprojnë me të gjithë gurët karbonatorë, edhe me mermerin, që janë nën tokë, madje ndonjëherë, kur acidet humike janë me shumicë, edhe i shkrijnë fare. Bashkëveprimi krijon kripëra të ndryshme humike, edhe oksalate, të cilat janë të errëta dhe të lidhura me mermerin, duke formuar një trup thuajse kompakt. Largimi i tyre është një punë shumë e vështirë, e gjatë, do durim kinezi dhe bëhet mekanikisht, duke përdorur kruajtse prej druri të fortë, përshembull dru bliri. Shpesh herë edhe mund të mos ia dalësh. Për ta pastruar me letër zmeril, dalta hekuri dhe të tilla materiale që e kryejn punën shpejt, as që bëhet fjalë, sepse dëmtimi i sipërfaqes së skulpturës është i sigurtë.

Nga disa vëzhgime mbi objektet e zbuluara në Butrint, rezulton se ekipi i Ugolinit ka ndërhyrë për të pastruar objektet prej mermeri, ose për t’i restauruar. Dhe ndërhyrja është bërë nga specialistë të vërtetë, e për këtë na mjafton të përmendim rastin e një ndërhyrjeje plotësisht profesionale në portretin e Deas. Edhe portreti i Agrippës i është nënshtruar proceseve të kujdesëshme të restaurimit, por aq është arritur të pastrohet pa shkaktuar dëmtim të sipërfaqes. Vetë rasti të kufizon në rezultatin e dëshiruar. Dhe thom, se mirë kanë bërë!

Nëse do të ndërhyja për një pastrim të mëtjeshëm do të përballesha me disa pasoja.

E para. Do të rrezikoja sipërfaqen e skulpturës nga një ndërhyrje më e thellë. Vërtet që sot ka metoda “më komode”, përshembull duke përdorur rrezet LASSER, por nga përdorimi i tyre del një sipërfaqe plotësisht e pastër, e bardhe borë dhe portreti do të ngjasonte me portretet e varreve të reja, duke humbur ndjesinë e vjetërsisë, që të jep patina e kohës. Dhe një skulpturë afërsisht dymijëvjeçare nuk mund të konceptohet “kërk”.

E dyta. Duke larguar njollat e errëta do të hiqesh mundësia e leximit të portretit nga kontrastet e theksuara. Gjithashtu do “të zbutej” karakteri i hekurt i një gjenerali.

E treta. Restaurimi i kryer ka edhe një funksion tregues  të historisë së restaurimeve në Shqipëri. Ai ka edhe një autor. A do të ishte e drejtë ta tjetërsonim këtë aspekt?

Ja pra, pse nuk pranova të bëj një ndërhyrje të mëtejshme restauruese, që do të ishte pa kuptim dhe e gabuar.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja